1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vritet në Kiev një kritik i Putinit

24 Mars 2017

Në Kiev është vrarë opozitari rus Voronenkov, një dëshmitar në procesin kundër ish-presidentit Janukoviç. Vrasja ka shkaktuar reagime kontradiktore.

https://p.dw.com/p/2ZshH
Ukraine Mord an Denis Woronenkow, Abgeordneter aus Russland
Fotografi: DW/A. Magazova

Për herë të dytë brenda më pak se një viti është vrarë në Kiev të Ukrainës një politikan i njohur dhe kritik i Kremlinit, i ikur nga Rusia. Denis Voronenkov, i cili mes viteve 2011 - 2016 ka qenë deputet i komunistëve në Dumë, është vrarë të enjten në një hotel në Kiev. Atentatori i dyshuar është plagosur nga truprojat e Vorononekovit dhe ka vdekur më vonë në një klinikë në Kiev. Policia dyshon se kemi të bëjmë me një vrasje të porositur. Në verë 2016 u vra gazetari i njohur rus Pavel Sheremet, kur ka shpërthyer makina e tij në mes të qytetit.

Dëshmitar kundër Janukoviçit

45-vjeçari Voronenkov ka qenë ndër politikanët më të njohur rusë që ka ikur kohët e fundit nga Moska në Ukrainë. Për dallim prej Sheremetit, i cili jetonte prej vitesh në Ukrainë Voronenkovi konsiderohej si dëshmitar kundër ish-presidentit Janukoviç, i cili ka ikur në Rusi në vitin 2014. Prokurori i Ukrainës Jurij Luzenko e konsideronte atë shumë të rëndësishëm. Edhe këtë të enjte ka qenë e planifikuar që ai të japë dëshmi të reja, tha Luzenko. Procesi për tradhëti kundër Janukoviçit ka filluar në mars, por po zvarritet. Në një intervistë për "Censor.Net", Voronenkovi i pati kritikuar ashpër autorët për "aneksimin e Krimesë, duke e quajtur atë si një gabim që duhet të përmirësohet". Vëmendje ka zgjuar edhe deklarata e tij se Vladislav Surkov, këshilltar i Putinit, fillimisht ka qenë kundër kësaj ndërhyrjeje në Krime.

Interes i madh

Rasti i tij ka zgjuar vëmendje të madhe, sepse Voronenkovi ka qenë edhe vetë pjesë e elitës ruse për një kohë të gjatë. Ai ishte pjesë e Partisë Komuniste, e cila konsiderohet si partnere e Putinit. Voronenkovi kishte një përgatitje të shkëlqyer ushtarake dhe juridike dhe kishte lidhje shumë të mira me policinë, ushtrinë dhe shërbimet sekrete. Ai më parë ka rënë në sy për kritika për shkak të korrupsionit në shërbime dhe kjo e ka vënë në konflikt me njerëz të fuqishëm. Në vitin 2007 ai i mbijetoi në Moskë një sulmi me armë.

Pas largimit në Kiev, kundër tij u hap një proces në Rusi, me shpjegimin se ka bërë manipulime me imobiliet. Një gjykatë në Moskë ka kërkuar në mars arrestimin e tij. Në Ukrainë ai kishte ikur së bashku me bashkëshorten e tij të njohur, Maria Maksakova, e cila ka qenë këngëtare e operës në "Mariinnskij Teater" dhe deputete e "Rusisë së Bashkuar" në Dumë. Të dy ata ishin larguar nga partitë, për shkaqe formale.