1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuçiq i quan kërkesat e BE të "tmerrshme"

Bahri Cani9 Tetor 2015

Kërkesat e BE për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë vlerësohen në Beograd si të "tmerrshme". Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërcënon me anulimin e takimit me kryesministrin e Kosovës Mustafa.

https://p.dw.com/p/1Glhp
Serbien Regierungschef Alexander Vucic
Kryeministri i Serbisë Aleksandar VuçiqFotografi: picture-alliance/dpa/M. Ojala

"Kërkesat në 'kapitullin 35 për Kosovën', nga platforma e BE-së për negociata me Serbinë, janë më shumë se vet kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës", vlerëson kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq duke shtuar se "ata po përpiqen të realizojnë të gjitha ato që nuk kanë arritur t'i realizojnë me dialog, për shembull të na marrin Gazivodën."

Vuçiq i ka bërë këto komente pas marrjes së platformës së BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Platforma për negociatat me BE-në i është dorëzuar të mërkurën (07.10) Marko Gjuriqit, shef i zyrës së Serbisë për Kosovën.  Shumica e 49 pikave që përmenden në këtë dokument janë neutrale për statusin e Kosovës, por ato çojnë drejt njohjes së drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës, njoftojnë mediat serbe!

Normalizimi i raporteve mes dy shteteve

Negociatat e Serbisë me BE mund të përfundojnë vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Burimet serbe thonë se një vend evropian insiston që kjo marrëveshje të nënshkruhet pas normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo nënkupton njohjen e Kosovës si shtet dhe anëtarësimin e saj në OKB. Dokumeni për negociata është duke u përgatitur në zyrën e Komisionerit për Zgjerim Johannes Hahn dhe më pas do t'i dërgohet të gjitha vendeve të BE-së për miratim. Këto vende mund të konsultohen edhe me Serbinë, para miratimit. Ndërsa teksti përfundimtar duhet të miratohet nga të gjitha vendet. Kapitulli 35 është një ndër kapitujt e parë që duhet të hapen në negociatat me Serbinë dhe ai nënkupton arritjen e një marrëveshjeje të re me Prishtinën për normalizimin e raporteve.

Para Serbisë ditë të vështira

Vuçiq thekson, se para Serbisë gjenden ditë të vështira. Por më shumë dhe më konkretisht gjërat do të dihen pas takimit të tij me shefen e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, së cilës tai ia ka dërguar të enjten (09.10) sugjerimet e tij ndaj dokuementit të marrë nga Gjuriq. Vuçiq ka paralajmëruar madje se në qoftë se këto kërkesa futen në kapitullin 35, ekziston mundësia që ai të anulojë takimin e radhës me homologun e tij kosovar, Isa Mustafa, i cili duhet të zhillohet më 13 tetor në Bruksel.

Aktualisht Serbia dhe BE-ja kanë përfytyrime të ndryshme edhe sa i përket ritmit të negociatave. Vuçiq shpreson se së shpejti do të hapen kapitujt 32, për kontrollin financia, dhe ai 35. Ndërsa në fillimit të vitit 2016 edhe kapitujt 23 dhe 24. Ndërsa ministri i Jashtëm britanik Philip Hammond, gjatë qëndrimit në Beograd të enjten (08.10) tha se do të ishte mirë sikur deri në fund të vitit të hapej një kapitull.

Britania mbështet anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Ministri i Jashtëm britanik Philip Hammond tha të enjten në Beograd se Londra do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe do të kërkojë prej Kosovës që të kujdesen për vlerat kulturore serbe në këtë vend. Ndërsa Vuçiq ishte i mendimit se ky anëtarësim "do të kishte pasoja mjaft negative. Kjo është një lojë tepër e madhe ku ne po përpiqemi të ruajnë interesat tona". Kosova i ka dërguar letër të mërkuren vendeve anëtare të UNESCO-s dhe ka këkuar anëtarësim në këtë organizatë duke premtuar se Kosova do të kujdeset për të gjitha vlerat kulturore në këtë vend.