1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Weichert: Situata e krijuar nga greva e urisë në Shqipëri kërkon zgjidhje emergjente për të evituar shkallëzimin e mosmarrëveshjeve

10 Maj 2010

Në intervistë për DW-në përfaqësuesi i Fondacionit gjerman Friedrich Ebert, Michael Weichert, shpreh shqetësim për situatën e krijuar në Shqipëri. Ai thotë se palët duhet të kenë vullnetin për rifillimin e bisedimeve

https://p.dw.com/p/NKdJ
Pozita dhe opozita në Shqipëri nuk po gjejnë rrugë bashkëpunimi
Pozita dhe opozita në Shqipëri nuk po gjejnë rrugë bashkëpunimiFotografi: DW

DW: Si e vlerësoni situatën gjatë këtyre ditëve në Shqipëri?

Weichert: Nga njëra anë kemi të bëjmë me gjendjen e njerëzve, që kanë hyrë qysh prej dhjetë ditësh në grevë urie dhe disa prej tyre janë dërguar në spital. Por nga ana tjetër kemi të bëjmë edhe me një situatë të vështirë, të krijuar në qytet, ku pengohet qarkullimi rrugor, ai është bërë kaotik dhe përmes demonstratave të opozitës dhe kundërdemonstratave të qeverisë, kaosi është edhe më i madh, rrugët janë të mbushura me makina dhe policë. Kjo krijon një atmosferë paralizuese dhe njëkohësisht të një tensioni që fare lehtë mund të marrë përmasa më të mëdha. Kjo jep shkas për shqetësim.

DW: A mund të themi se Shqipëria ndodhet në një krizë politike? A shihni ju elementë të një krize politike, apo kemi të bëjmë këtu më shumë me një problem teknik?

Weichert: Kemi të bëjmë vërtet me një krizë, sepse një institucion i rëndësishëm i shtetit, pra parlamenti, funksionon vetëm pjesërisht. Nëse në parlament miratohen ligje pa pjesëmarrjen e opozitës nuk mund të bësh fjalë për një shtet parlamentar funksional. Përveç kësaj ka disa projektligje, të cilat kërkojnë një mazhorancë të cilësuar dhe nuk mund të miratohen pa të.

Shqipëria po përpiqet të hyjë sa më shpejt në BE dhe synon liberalizimin e vizave. Kuptohet që pa një parlament funksional Komisioni Evropian nuk mund të hapë dritën e gjelbër për hapat e mëtejshëm drejt integrimit në BE. Kemi të bëjmë me një krizë që vazhdon prej kohësh, dhe që përmes zhvillimeve të fundit është ashpërsuar sërish, çka potencialisht mund të çojë në ashpërsimin e konflikteve. E një gjë të tillë nuk e dëshiron askush.

DW:Z. Weichert në Shqipëri në dy dhjetëvjeçarët e fundit procesi politik është shoqëruar nga krizat, si mund të dilet nga kjo krizë e fundit?

Weichert:Për fat të keq midis dy oponentëve, pra mes qeverisë Berisha dhe opozitës së drejtuar nga Rama, nuk është arritur në një konsensus se si mund të trajtohen problemet. Komisioni parlamentar i krijuar nga mazhoranca parlamentare bllokohet prej opozitës, sepse në këtë komision nuk janë marrë parasysh kërkesa të rëndësishme të opozitës. Kjo krizë po vazhdon dhe tani është ashpërsuar më tej, sepse të dyja palët insistojnë në pozicionet e tyre, nuk bëhet asnjë hap për të komunikuar dhe aktualisht nuk ka bisedime, që mund të hapnin një shans të tillë.

DW: Pse ndodh kështu dhe a është greva e urisë mjeti i duhur për të dalë nga kriza?

Weichert: Nëse është greva mjeti i duhur ose jo, tani unë nuk do ta shtroja këtë çështje, sepse ne na duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo situatë. Për mua është e rëndësishme që të dyja palët të japin kontributin e tyre në mënyrë që bisedimet e zhvilluara me ndërmjetësimin e presidentit të rifillojnë.

DW: A ka Shqipëria nevojë për një ndihmë teknike ekspertësh për transparencën e votimeve të 2009, apo Shqipërisë i duhen ndërmjetësues politikë në mënyrë që të dyja palët të ulen sërish në një tryezë bisedimesh?

Weichert: Duhen ndërmjetësuesit politikë, por së pari na duhet vullneti i të dyja palëve për të zhvilluar bisedime. Unë kam kontakte më shumë me opozitën dhe kam përshtypjen, që nuk ka perspektivë për bisedime, sepse opozita nuk do të lëvizë në drejtim të një konsensusi me qeverinë. Ndoshta i ngjashëm është qëndrimi edhe nga këndvështrimi i qeverisë. Për aq kohë sa tek të dyja palët ekziston përshtypja, që bisedimet nuk sjellin zgjidhje, atëherë kriza do të vazhdojë. Për fillimin e bisedimeve duhet të ekzistojnë premisat dhe sigurisht që ka nevojë edhe për ndërmjetesim politik. Në rrethanat aktuale unë jam pak skeptik dhe njëkohësisht i shqetësuar për shkak të situatës së krijuar nga greva e urisë. Në një sfond të tillë duhet vepruar me emergjencë për zgjidhjen e situatës, sepse njerëzit po dëmtohen dhe kjo mund të çojë në shkallëzimin e mosmarrëveshjeve. Sipas mendimit tim, situata mund të zgjidhet vetëm nëse zhvillohen zgjedhje të reja bashkë me zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm. Deri atëherë edhe opozita edhe qeveria me ndërmjetësim ndërkombëtar mund të kontribuojnë për të evidentuar dhe shmangur mangësitë e shfaqura në zgjedhjet e fundit.

DW: A mund të zgjidhet kriza thjesht duke hapur kutitë e votimit, apo mos vallë opozita synon të imponojë pikërisht zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Weichert:Një zgjidhje tjetër do të ishte që të dyja palët të nisin një proces, që të çojnë më tej atë që u arrit gjatë bisedimeve në parlament në mars. Qeveria dhe institucionet shtetërore duhet të krijojnë kushtet që të mundësojnë një sondazh të zgjedhjeve të fundit. Kjo mund të ndodhë pavarësisht se nga cila instancë do të bëhej kjo, qoftë kombëtare apo atyre ndërkombëtare. Propozime në këtë drejtim janë bërë, por deri tani nuk është arritur një konsensus për këtë.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi