1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wolfgang Petritsch: Kjo është njohje e fakteve dhe realitetit

21 Shtator 2010

Dialogu mes Prishtinës dhe Serbisë që ofron ndryshimi i rezolutës për Kosovën eshte një lloj shpërblimi që Serbia i ka bërë vetes mendon diplomati austriak dhe eksperti për Evropën juglindore, Wolfgang Petritsch.

https://p.dw.com/p/PILg
Diplomati austriak dhe eksperti për Evropën juglindore, Wolfgang Petritsch.
Diplomati austriak dhe eksperti për Evropën juglindore, Wolfgang Petritsch.Fotografi: AP

Deutsche Welle: Zoti Petritsch, ndryshimi i rezolutës për Kosovën nga Serbia u cilësua si një sukses i diplomacisë europiane. A duhet tani Serbia të marrë shpërblim nga Bashkimi Europian për këtë?

Wolfgang Petritsch: Besoj se para së gjithash Serbia është ajo e cila duhet të urojë vetveten, sepse më në fund edhe atje ka depërtuar në një lloj realizmi dhe që tani po përpiqet që t'i përcaktojë prioritetet e duhura. Kjo sepse mbrojtja e pafundme e një province të humbur të Kosovës, që në fakt do të thotë heqje dorë nga antarësimi në Evropë, nuk është aspak një ide e mirë. Pas vendimit të GJND-së, pas iniciativave të ndryshme të viteve të fundit dhe pas përmirësimit të situatës së sigurisë, të paktën në pjesët jashtë Mitrovicës, do të duhej që më në fund të fillojë edhe dialogu për serbët. Ky dialog është një lloj shpërblimi që Serbia i ka bërë vetes, ndërsa BE-ja duhet të përpiqet që hapat e ardhshëm të bëhen shumë shpejt. Por të dyja palët, në radhë të parë Beogradi, duhet të japin kontributin e tyre.

Deutsche Welle: A mund të pranohet Serbia si anëtare e BE-së edhe nësë ajo më parë nuk njeh Kosovën si shtet të pavarur?

Wolfgang Petritsch: Këtu besoj se ka mundësi të ndryshme, sepse mes njohjes dhe mosnjohjes ekzistojnë hapa dhe mundësi të shumta, por që në fakt kanë një domethënie të njëjtë. E shihni edhe vetë që hapi i tanishëm drejt dialogut nuk është njohje definitive e Kosovës, siç thotë me të drejtë edhe vetë Beogradi. Në anën tjetër, është kjo një lloj njohje e fakteve dhe realitetit. Prandaj, besoj se në fund Kosova do të pranohet prej Beogradit si shtet sovran. Nga ana formale e së drejtës ndërkombëtare, mund të gjenden rrugë dhe mundësi të ndryshme, për të mos ngarkuar tepër psiqikën serbe. Do të zgjasë edhe shumë vite dhe gjërat do të zhvillohen si në situatat e tjera të ngjashme.

Deutsche Welle: Cilat janë detyrat e Prishtinës tani pas gjithë këtij zhvillimi, zoti Petritsch?

Wolfgang Petritsch: Ky hap i Beogradit, ku edhe diplomacia evropiane ka dhënë kontributin e saj, pa dyshim që Prishtinën e sjell në një situatë ku me një përgjegjësi të shtuar duhet të reagojë ndaj Serbisë si një partner. Kjo do të thotë se së pari duhet të kujdeset që pozita e serbëve në Kosovë të përmirësohet edhe më shumë, që të ndërmirren hapa drejt rivendosjes së mirëbesimit dhe që të mos ketë diskriminime, pse shqiptarët janë shumicë etnike në Kosovë. Shqiptarët duhet të përpiqen që serbët t'i pranojnë si qytetarë plotësisht të barabartë dhe t'ua dëshmojnë këtë, sepse kjo është edhe në interesin e tyre.

Deutsche Welle: Zoti Petritsch, si do të zgjidhet problemi i veriut të Kosovës? Vazhdimisht kjo pjesë do të kthehet në një mollë sherri për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë?

Wolfgang Petritsch: Pjesa veriore e Kosovës është një çështje e rëndë, por mendoj se duhet hequr dorë nga ideja e ndarjes. Ndarja e Kosovës vetëm sa do të shkaktonte probleme edhe në Maqedoni apo në jug të Serbisë. Besoj se kjo nuk është zgjidhje. Në fund të fundit, të gjitha vendet e rajonit duhet të jenë të interesuara për një antarësim sa më të shpejtë në BE, sepse kufijtë edhe ashtu do të hiqen. Ngjashëm sikur mes Austrisë dhe Italisë në pjesën e Tirolit ku kufijtë janë të hapur dhe njerëzit mund të bëjnë tregti, t'i vizitojnë të afërmit dhe të udhëtojnë pa e ndjerë fare se aty ka ndonjë kufi. Besoj se ky duhet të jetë qëllimi kryesor për shqiptarët dhe serbët e Kosovës si dhe për të gjithë serbët.

Intervistën e zhvilloi Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë