1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wulffi shpallet përfundimisht i pafajshëm

Auron Dodi13 Qershor 2014

Ish-Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff nuk duhet të përgjigjet më para gjyqit. Një revizion vendimi i gjykatës nuk do të ketë. Shpallja e pafajshme e Wulff-it nga akuza e pranimit të favoreve tani ka fuqi juridike.

https://p.dw.com/p/1CHw2
Fotografi: Getty Images

Gjykata rajonale në Hannover e pati shpallur Christian Wulffin më 27 shkurt të këtij të pafajshëm nga akuza e pranimit të favoreve në kohën kur ka qenë kryeministër i Landit të Saksonisë së Poshtme. Por prokuroria lokale nuk deshi ta pranojë këtë vendim, të paktën në atë kohë.

Por tani - pas verifikimit të imtësishëm të argumentimit prej 76 faqesh të vendimit të gjykatës - prokuroria e tërhoqi kërkesën për revizion, siç bëri të ditur vetë ajo. Argumentim për këtë pala akuzuese nuk pranoi të japë. Prokuroria Oliver Eisenhauer tha: "Për sfondin e vendimit ne nuk japim asnjë informacion."

Një hetues i nivelit të lartë të organeve të drejtësisë, pati pranuar megjithatë para bërjes publik të vendimit se prokuroria nuk donte të "merrte një shuplakë nga Karlsruhe". Në Karlsruhe do të ishte Gjykata më e Lartë Federale gjermane që do të vendoste nëse procesi gjyqësor do të rihapej nga e para. Prokuroria duhet të vërtetonte se Gjykata rajonale në Hannover kishte bërë gabime në procesin gjyqësor.

Viktima e drejtësisë Wulff?

Fillimi i hetimeve çoi në shkurt 2012 në dorëheqjen e Wulffit si President i Gjermanisë - pas qendrimit vetëm 598 ditë në post. Prokuroria e akuzoi 54 vjeçarin se kishte pranuar favore nga producenti i filmave mik me të, David Groenewold.

Së fundi, Wulffi e paraqiti veten në prezantimin e librit të tij "Fare lart fare poshtë" si viktimë të një drejtësie super të zellshme. Përsa i përket politikave të drejtësisë mbetet shumë problematike që "një prokurori e vetme me duar bosh" mund t'i bëjë presion një kryetari shteti të japë dorëheqjen. Mënyra si se mediet dhe drejtësia ia hodhën topin njëra-tjetrës, kërcënon ndarjen e pushteteve dhe në fund të fundit demokracinë, tha Wulff.

aud/wa/kle (dpa, afp)