1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zënka për privatizimin e sektorit të ujësjellësit në Evropë

Günther Birkenstock / Eliana Xhani18 Shkurt 2013

Komunat dhe iniciativat qytetare protestojnë kundër një direktive të re të BE-së për furnizimin me ujë në Gjermani. Kjo direktivë e re mund të sjellë privatizime të detyruara, thonë kritikët.

https://p.dw.com/p/17gLH
Hand im Wasser - Wasser tropft ab © PiChris #25964784 - Fotolia.com
Eine Hand im Wasser mit WasserstrahlFotografi: Fotolia/PiChris

Argumenti është i njohur: konkurrenca e gjallëron biznesin. Më shumë konkurrencë sjell produkte më të lira dhe shpesh edhe më të mira. Këtë thekson aktualisht Komisioni i BE-së pasi ndër të tjera synon të riorganizojë kompetencat për furnizimin me ujë në Gjermani. Termi me të cilin përmblidhet projekti është "direktiva për koncesionin për shërbime". Një koncesion është një e drejtë përdorimi. Deri tani detyra e furnizimit me ujë në Gjermani ka qenë në duart e komunave. Në pjesën më të madhe të rasteve komunat kujdesen vetë për mirëmbajtjen, që të shtrohet sasia e duhur e tubave të ujit në mënyrë që çdo familje të ketë furnizim me ujë dhe nga rubineti të rrjedhë ujë në sasinë dhe cilësinë e duhur. Por ka raste kur komunat u japin firmave private kontrata për të siguruar furnizimin me ujë. Në raste të rralla i gjithë koncesioni për furnizimin me ujë kalohet në duar private.

Orientimi nga fitimi ka si pasojë uljen e cilësisë së ujit

Një direktivë e re për koncensionet për shërbimet synon tani arritjen e kushteve të njësuara në mbarë Evropën, dhe nga kjo preket ndër të tjera edhe sektori i ujit. Në fund të 2011 Komisioni i BE-së paraqiti një paketë ligjore përkatëse. Në mars Parlamenti Evropian do të vendosë për të. Komunat ngulin këmbë në të drejtën e tyre për vetadministrim dhe e shohin veten nën tutelën e Komisionit të BE-së. Veç kësaj ato theksojnë se administrimi i ujit duhet t'u përshtatet kushteve rajonale. "Energjia mund të përzihet sipas dëshirës, uji jo", thotë Hans-Joachim Reck, drejtor i përgjithshëm i shoqatës së ndërmarrjeve komunale. Nëse furnizimin me ujë në Gjermani do ta marrin në duar kompani që veprojnë në gjithë Evropën, janë në rrezik standardet e higjenës. "Kudo ku në Evropë furnizimi me ujë është në duar private, qytetarët kanë pasur përvoja negative", thekson Reck. Për këtë arsye për shembull furnizimi me ujë në Paris, pas disa vjetësh në duar private tani i ka kaluar sërish sektorit publik.

E mirë e përbashkët dhe jo mall tregtie

Edhe Mathias Ladstätter, ekspert për ekonominë e ujit në sindikatën e sektorit të shërbimeve Ver.di, e kundërshton direktivën e re për koncesionet dhe sjell si shembull negativ qytetin e Berlinit. Aty një pjesë e furnizimit me ujë në fund të viteve '90 kaloi në duar private. Përkundër njoftimeve në fillim, çmimet për ujin në kryeqytet janë rritur vazhdimisht, thotë Ladstätter në bisedë për Deutsche Welle-n. Deri tani rritja ka qenë më shumë se 30 për qind. "Dhe nga këto 30 për qind, të paktën 6 deri 10 për qind janë fitime të pastra nga privatizimi, të cilat nuk kanë kontribuar në sistemin e furnizimit me ujë të Berlinit." Në vend që të investohej në sistemin e furnizimit me ujë, sipërmarrjet thjesht i kanë futur në xhepa fitimet. Komunat kanë detyrën e kujdesit për qytetarët ndërsa firmat private janë të orientuara nga fitimet, thotë Ladstätter.

Privatizim i detyruar

Rasti më eklatant i zhvillimit të gabuar për shkak të privatizimit është sipas eurodeputetes socialdemokrate gjermane, Evelyn Gebhard, qyteti i Londrës. Atje 40 për qind e ujit humbet në tokë pasi firmat nuk kanë investuar në mirëmbajtjen e tubacioneve. Për ekspertin e ujit Mathias Ladstätter, skenari më i keq do të ishte nëse direktiva e re e BE-së do të shkaktonte një lloj privatizimi të detyruar.

Një shqetësim i përligjur thotë eurodeputetja Evelyn Gebhardt. Nëse do të ketë privatizim atëherë vetëm me objektivin e qartë të respektimit të kritereve të vazhdueshmërisë. "Kontratën nuk duhet ta marrë ofruesi më i lirë por ai që i kushton rëndësi cilësisë."