1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zënkat në koalicionin qeverisës konservatoro - liberal

12 Janar 2010

Koalicioni qeveritar në Gjermani nuk ka mbushur ende 100 ditëshin dhe partitë e vogla të tij, CSU dhe FDP, kanë filluar të grinden me njëra - tjetrën për kursin qeveritar. Grindje ka edhe brenda partisë së madhe CDU.

https://p.dw.com/p/LRbN
Merkel (CDU), Westerwelle (FDP) dhe Seehofer (CSU) gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit, 26.10.2009.
Jo më në harmoni - mbi pikat kryesore të marrëveshjes së koalicionit, kanë plasur zënkat.Fotografi: AP

Angela Merkel nuk qeveris me shpatë në dorë dhe, kur të tjerët grinden, ajo fillimisht hesht. Madje edhe kur është fjala për vetë atë. Kështu edhe të hënën në Berlin me rastin e hapjes së vitit të diversitetit biologjik. Në fjalën e saj Merkel iu përmbajt temës së ruajtjes së llojeve të ndryshme dhe nuk shpenzoi asnjë fjalë për dinosaurin që drejton ajo vetë: Partinë Kristiandemokrate.

Kritikët: Merkel po harron prejardhjen konservatore të CDU/CSU-së

Një ditë më parë disa krerë të partisë kishin kërkuar me një letër të hapur ndryshme në stilin e saj udhëheqës. Njëri prej tyre ishte Mike Moehring, kryetar i grupit parlamentar të CDU-së në Turingji. "Ne kemi kërkuar në letrën tonë një profil të qartë të politikës partiake që merr në konsideratë prejardhjen tonë konservatore", sqaroi Moehring për mediet televizive.

Ministrat: stili drejtues i Merkeli i suksesshëm

Disa ministra të kabinetit Merkel, e morën në mbrojtje kancelaren: "Stili udhëheqës i Angela Merkelit është shumë i suksesshëm. Këtë e tregon pikërisht fakti që ajo është në gjendje ta mbajë të bashkuar një parti kaq të madhe siç është CDU-ja dhe t'i sjellë asaj fitoren në zgjedhje. Dhe kjo ka ndodhur vitet e mëparshme", është shprehur për mediet televizive ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Anette Schavan.

Ministrja gjerman e Arsimit dhe Shkencës, Anette Schavan.
Ministrja gjerman e Arsimit dhe Shkencës, Anette Schavan.Fotografi: AP

Edhe ministri i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg si dhe ministrja e Bujqësisë, Ilse Aigner, të dy nga Partia Kristiansociale, e kanë marrë në mbrojtje stilin udhëheqës të kancelares. Por ndryshe shikohet qeveria federale nga perspektiva bavareze. Në takimin e fundjavës së simotrës kristiansociale (CSU), u dëgjuan pakënaqësi për shkak të rëndësisë së madhe që ka në qeveri partia liberale (FDP) e ministrit të jashtëm Westerwelle.

Ulja e barrës fiskale mbetet mollë sherri mes partnerëve në koalicion

Divergjencat - sidomos ato të politikës tatimore - ndërmjet këtyre dy partive të vogla të koalicionit qeveritar, dolën edhe një herë në pah në fundjavë. "Ç'është ky kuptim dekadent për një shtet, që thotë se ulja e tatimeve është dhuratë e shtetit ndaj qytetarëve. Është qytetari ai i që i dhuron shtetit diçka përmes tatimeve dhe jo anasjelltas", tha Westerwelle, duke mbrojtur kështu kursin e liberalëve për uljen e tatimeve, duke filluar nga viti i ardhshëm.

Kryetari i Unionit Kristiansocial (CSU), Horst Seehofer.
Ulja e barrës fiskale në kohë krize - politikë jorealiste.Fotografi: AP

Kryetari i Unionit Kristiansocial, Horst Seehofer, e konsideron këtë kërkesë tërësisht jorealiste, sidomos tani, në kohën e krizës: "Në politikë duhet të veprosh me realizëm, e jo duke i injoruar të dhënat ekonomike e konjukturore", tha ai me rastin e mbledhjes vjetore të partisë së tij.

Edhe për këtë çështje Angela Merkel vazhdon të heshtë, të paktën në publik. Deri nga fundi i javës ajo do të ketë dy mundësi për t'i zgjidhur konfliktet. E para është të enjten, në një mbledhje të partisë së saj, dhe e dyta do të jetë në fundjavë, në zyrën e saj, ku ka ftuar krerët e partive të koalicionit. Sidoqoftë, një gjë nuk pritet të ndryshojë: stili i Merkelit. Edhe këtë radhë ajo do t'i zgjidhë konfliktet pas dyerve të mbyllura e jo para kamerave.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Eliana Xhani