1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zëri dhe forca e të rinjve në shoqëri

Arben Muka12 Gusht 2015

12 gushti, Dita Ndërkombëtare e Rinisë risjell diskutimin mbi pjesëmarrjen e kufizuar të të rinjve në problematikën shoqërore. Ata nuk preferohen për t’u afruar që të kontribuojnë konkretisht në strukturat e partive.

https://p.dw.com/p/1GELk
Tirana albanische Jugend politisches Engagement
Fotografi: Arben Muka

Ana Dervishi drejton organizatën joqeveritare "Përtej Barrierave" (Beyond Barriers), BBA, e cila në kuadër të 12 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, është pjesë e Lëvizjes Action-2015, që mbledh mbi 1900 organizata nga më shumë se 145 vende te botës. Angazhimi i tyre është për të siguruar një të ardhme më të mire per njerëzimin në nivel global. “Projekti Balkanaction-2015 synon të promovojë dhe informojë të rinjtë mbi Objektivat e Zhvillimit te Qendrueshëm të lancuara nga Kombet e Bashkuara”, thotë Dervishi për Deutsche Welle-n.

Duke treguar për aktivitetin rreth 11 vjeçar në Shqipëri të BBA-së ajo thotë se në fokus janë sidomos të rinjtë me disavantazhe sociale, duke u ofruar atyre mbështetje për t'u fuqizuar dhe për të qenë pjesë aktive në jetën e komunitetit ndaj dhe pjesë integrale e punës janë aktivitetet me grupet e margjinalizuara dhe veçanërisht me personat me aftësi të kufizuara.

Angazhimi vullnetar i të rinjve

“BBA ka ngritur brenda strukturave të saj Shërbimin Vullnetar Lokal, i cili prej vitit 2010 shërben si urë lidhëse mes të rinjve që duan të japin kontributin e tyre si vullnetarë për grupet në nevojë dhe institucioneve/organizatave që kërkojnë të presin vullnetarë lokalë. Shërbimi Vullnetar Lokal u ofron të rinjve mundësi konkrete pune me qëllim përmirësimin e kompetencave të tyre, si puna në skuadër, aftësitë komunikuese dhe kreative, aftësi organizative, të folurit në publik, zhvillimi i mendimit kritik etj. “

Prej vitit 2010 dhe në vazhdim mbi 3000 të rinj nga Tirana kanë pasur mundësi të angazhohen në punë vullnetare me target grupe të ndryshme, si personat me aftësi të kufizuara, komuniteti rom, të rinj me disavantazhe sociale etj.

Një tjetër program që ofron BBA është dhe "Shërbimi Vullnetar Europian" (European Voluntary Service), si pjesë e programit Erasmus dhe me financim nga Bashkimi Europian. Ky program u ofron të rinjve shqiptarë dhe atyre europianë mundësi për të mësuar nëpërmjet vullnetarizmit në organizata të shteteve të ndryshme të Europës.

“BBA ka pritur mbi 130 vullnetarë të huaj nga shtete të ndryshme të Europës, si Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Estonia, Sllovenia, Portugalia etj., në projekte të ndryshme afatgjata dhe afatshkurtra. Në të njëjtën kohë kemi dërguar mbi 70 të rinj shqiptarë në projekte të ngjashme në organizatat partnere europiane. Organizata ofron aktivitete të ndryshme në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar në formatin e shkëmbimeve rinore, kurseve të trajnimit, seminareve, vizitave studimore etj. Temat që diskutohen janë interesante dhe tërheqëse për të rinjtë dhe përfshijnë qytetarinë europiane, sipërmarrjen rinore, manaxhimimin e organizatës dhe shkrimin e projekteve, minoritetet, mësimi ndërkulturor, përfshirja sociale, të drejtat e njeriut dhe pjesmarrja rinore”.

Ndryshimet që të rinjtë presin duhet të jenë më të shpejta dhe të matshme

Vladimir Thano
Vladimir ThanoFotografi: DW/A. Muka

Vladimir Thano, themelues i Lëvizjes “Modeli i Bashkimit Europian për të Rinjtë në Shqipëri” shikon disa shtresime në rradhët e të rinjve. Janë ata të cilët përpiqen të ruajnë një dominim brënda shoqërisë ku jetojmë në bazë të aftësive, iniciativave, punës dhe të kontributit që ata dëshirojnë të arrijnë e lidhur kjo me ambicjet e tyre personale. Ka gjithashtu dhe të rinj, të cilët presin se dicka do të ndodhë me ta duke ndjekur thjesht trendet e shoqërise duke qëne thjesht shtresë që përcjell kulturën e ditës e hasur kjo në zonat urbane. Një grupim tjetër sipas Thanos janë dhe ata të cilët shohin jetësën e lidhur ngushtësisht me punën dhe mirqënjen familjare, duke kaluar nje kalvar vështirësish kjo shtresë gjendet më shumë ë lidhur me zonat perfirike ose ato jo urbane. Në kohët e sotme vihet re ndarja dhe krijimi i hendeqeve të thella midis vetë të rinjve dhe këtyre shtresimeve thotë ai për Deutsche Welle-n.

“Megjithatë tendenca e të rinjve të dy shtresave të para është të krijojnë një lloj pavarësie mendimi, edhe nga familja, megjithatë ajo mbetet ende baza dhe qëndra kryesore ku ata mbështetn. Sot rina ështe pjesa më aktive, e cila reflekton jo vetëm një vitalitet moshor në shoqëritë e Ballkanit Perendimor, por shumë të rinj e shohin perspektivën e tyre midis një mërie që ata kanë me politikat qeversisëse të të gjithë spektrit politik, pozitë-opozitë dhe dëshirës për të qenë pjesë e ndryshimeve. E gjithë kjo simbiozë i ka rrënjët thellë në tranzicionin e gjatë të shoqërisë ku jetojmë, por edhe të dëshirës që ndryshimet që të rinjtë presin duhet të jenë më të shpejta dhe të matshme. Ndaj pas çdo lloj burokracie dhe ballafaqimi me pushtetin ata krijonë mënjëhërë një mefshtësi në lidhje me sjelljen e pushtetit dhe në mendimin se si ata e konceptojnë shoqërinë dhe komunitetin ku ata jetojnë”.

Sipas arsyetimit të Thanos, përballë arrogancës së pushtetit shumë të rinj e kanë gjetur veten shumë më të lidhur me misione vullnetare, çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, të drejtave të njeriut, një tendencë kanë edhe pjesmarrja e tyre në misione humanitare, si mbështetje për shtresat në nevojë, në ndihmë të të rinjve me aftësi të kufizuara dhe moshës së tretë, pasi në vetvete ky lloj angazhimi pa burokracinë mbetet i matshëm dhe sjell kënaqësi të disafishtë shpirtërore, por edhe sensin e të përballurit me problemet e shoqërisë.

“Pse ky orientim, mund të pyetet. Kjo nuk është lidhur vetëm me dëshirën e rinjve për të qënë sa me socialë, por kjo është lidhur edhe me vetë misionin i cili në vetvete ky lloj angazhimi nga mbrojtja tek perkujdesja sjell ‘aksione' të ndryshme të cilët sjellin një histori reale të matshme dhe një një kohë të shkurtër, pra ata bëhen pjesë e zgjidhjes së problemit ose të të qënit aty. Roli i shoqerisë civile mbetet ende i pafuqishëm për të përmbushur shumë nga aksionet ku të rinjtë mund të bëhen pjesë kjo pasi shoqeria civile shqiptare ajo e fokusuar tek të rinjtë duke qenë se përbehet nga të rinjtë ka një lloj ‘misioni' të papërmbushur për vetë faktin se duke u përbërë vetëm me të rinj pa eksperincë, në ngritjen e politikave, shpeshherë ata dështojnë dhe nuk përfaqësojnë zërin e të rinjve pasi nuk kanë një bashkëpunim me ‘ekspetët' në fushën e rinisë.”

Të rinjtë nuk preferohen në formacionet politike

Erjon Tase
Erjon TaseFotografi: DW/A. Muka

Prej disa vitesh në Tiranë është e hapur Akademia e Studimeve Politike, si një program i Këshillit të Evropës që trajnon politikanët e forcave të ndryshme dhe liderët e tjerë të rinj nga administrata qendrore dhe lokale, biznesi dhe shoqëria civile. Drejtori i Akademisë, gazetari Erjon Tase mendon se të rinjtë shqiptarë shfaqen të angazhuar në proceset zgjedhore dhe kanë informacion për zhvillimet politike. Sipas tij, kjo edhe për shkak se në përgjithësi siguria e punësimit të familjarëve të tyre në institucionet shtetërore apo edhe vetë biznesi privat familjar, pse jo banesa që pret legalizimin apo shërbimet thelbësore të jetesës së një të riu, janë të ndërvarura nga rotacioni i pushtetit. Dashur pa dashur të rinjtë janë të lidhur në këtë mënyrë me politikën, thotë Tase për Deutsche Welle-n.

“Kjo jo për shkak të ideologjisë apo prej dëshirës për të kontribuar në zhvillimin e vendit, por si mundësi për të siguruar një mirëqënie apo punësim për ta apo familjarët e tyre. Kjo besoj se është një nga arsyet e zbulimit të sondazheve, të cilat tregojnë se shumica e të rinjve, mbi 70 përqind, kanë të njëjtat bindje politike të prindërve të tyre”.

Në lidhje me fenomenin e gjithëpranuar se në Shqipëri të rinjtë nuk preferohen për t'u afruar që të japin kontribute konkrete në partitë politike, Erjon Tase e shikon përgjigjen te mungesa e demokracisë së brendshme partiake dhe sistemit të karrierës dhe vlerësimit të meritave në formacionet politike.

“Partitë nuk i lejojnë vetes ‘luksin' e të paturit një demokraci të shëndoshë të brendshme, pra zëra që mendojnë ndryshe, grupime apo rryma brenda tyre. Si rrjedhojë, brenda këtyre grupimeve politike nuk ekziston një sistem i vlerësimit të anëtarëve mbi bazën e formimit të tyre intelektual apo kontributeve që ata mund të sjellin në këto organizime. Ngjitja e shkallëve të hierarkisë në parti është e lidhur me besnikërinë ndaj udhëheqësit apo numrin e votave që mund të sigurojë në një zonë të caktuar një anëtar. Si rrjedhojë, të rinjtë e përgatitur dhe formuar në shkollat më të mira, e shikojnë veten të pavlerësuar dhe të konkuruar padrejtësisht në formacionet politike. Ata detyrohen që të përshtaten me nivelin e ‘besnikërisë' së anëtarëve të tjerë apo të largohen nga këto grupime. Të paktë janë ata që arrijnë të gjejnë një të mesme të përshtatshme për të vazhduar karrierën politike.”

Fondi i rinisë miratohet pa konsultim me grupet e interesit

Arlind Cara, bashkëthemelues i organizatës “Rini për Integrim, Aktivizim dhe Sensibilizim”, RIAS, mendon se për grupimin më të madh e më të ri të interesit në Shqipëri, shumë probleme mbeten ende të vjetra, Sipas tij, problem i madh vijon të jetë edhe vetë shteti. Fondi për rininë, prej vetëm 40 milion lekësh, është një kuotë qesharake, thotë Cara për Deutsche Welle-n.

“Fondi i rinisë kaloi në Parlament pa u konsultuar me grupet e interesit. Një ‘konsultim' u bë vetëm pasi kishte kaluar fondi për votim në Parlament. Ishte lajm dhe veprim i shkëlqyer hapja e një Qendre Rinore në kryeqytet. Por kjo është shumë pak për Tiranën. Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë të rinjtë dhe studentët shihen si një aktor jashtë sistemit. Është për të ardhur keq që në të gjithë projektligjin e kaluar në Parlament përmenden rreth 20 herë fjala “student”, dhe përmenden mbi 70 herë fjala “bord”. Ky projektligj i ri praktikisht i anullon Këshillat Studentore. Është e vërtetë që Këshillat Studentorë mbase edhe për fajin e tyre mund të ketë luajtur një rol të vogël, por ligji i ri të riun shqiptar ia vështirëson jetën universitare me kostot të shtuara, me burokraci që pritet t'i rriten dhe me statusin e një spektatori të fatit të tij”.

Arlind Cara nga RIAS, shton dhe faktin se Shqipëria është ende pa plotësuar objektivin për të akorduar kartën e studentit. “Problemi më i madh në shoqërinë civile dhe konkretisht për grupimet dhe organizatat rinore është fakti se grupet e interesit ende nuk mirren seriozisht, por më shumë shihen si zbukurim”.