1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zëri i vetëm kundër - Natasha Kandiq propozohet për çmimin e qytetares së nderit të Ferizajt

20 Mars 2010

Në zyrat e organizatës joqeveritare Inicitiva për Progres - INPO, u nënshkrua të mërkurën (17.03) kërkesa për t’i dhënë çmimin "Qytetare Nderi Komunës të Ferizajt" aktivistes nga Beogradi, Natasha Kandiq.

https://p.dw.com/p/MY3d
Albulena Sadiku dhe Natasa Kandic
Albulena Sadiku dhe Natasa KandicFotografi: DW

Kërkesën drejtuar kryetarit të Asamblesë dhe shefave të grupeve të këshilltarëve, e kanë nënshkruar tri organizata joqeveritare, të mbështetura edhe nga klubi i gazetarëve ferizajas, "Haki Braha". Kërkesën për ndarjen e këtij çmimi në emër të shoqërisë civile e ka argumentuar Albulena Sadiku nga INPO. Për DW-në ajo sqaroi: "Kjo iniciativë realisht ka dalur në muajin qershor të vitit 2009, kur në bashkëpunim me shoqatën e ish të burgosurve politikë nga komuna e Ferizajt, kemi organizuar një takim të përbashkët me zonjën Kandiq. Duke pasur parasysh rolin e saj në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të të burgosurve politikë nga komuna e Ferizajt, i njohur ndryshe si grupi i Ferizajt, në mesin e tyre kanë qenë 11 persona, katër prej të cilëve tani janë të ndjerë, ka lindur iniciativa që zonja Kandiq dhe kontributi i saj të njihet në komunën e Ferizajt përmes shpalljes qytetare nderi. Duke qenë se zonja Kandiq, ka qenë ndër zërat e vetëm gjatë asaj kohe në Serbi gjatë viteve 90-99 në protestimin kundër torturës dhe vrasjes dhe në dokumentimin e mizorive të kryera gjatë luftrave jugosllave ne kemi menduar, që kontributi i saj në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë e veçanërisht në komunën e Ferizajt, të shpërblehet me ndarjen e çmimit qytetare nderi".

Nuk është çmimi i vetëm

Pas priftit italian Dom Sandro Shaboleta dhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, Natasha Kandiq nga Serbia, do të jetë personi i tretë i nderuar me çmimin "Qytetar Nderi" i komunës së Ferizajt. Por ky nuk do të jetë shpërblimi i parë për themeluesen dhe drejtuesjen e "Fondit për të Drejtat Humanitare", nga Beogradi, Natasha Kandiq.

Albulena Sadiku nënvizon se: "Kontributi i zonjës Kandiq në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut është çmuar dhe shpërblyer me mbi 20 çmime ndërkombëtare duke përfshirë këtu edhe çmimin "Qytetare nderi e Sarajevës", pastaj "Urdhërin e Nderit" të Republikës së Kroacisë pikërisht në mbrojtjen e të burgosurve pastaj në përgjithësi në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut."

Natasha Kandiq është shumë e nderuar dhe shumë e emocionuar për iniciativën e shoqërisë civile nga Kosova. Gjatë një vizite në Ferizajt, vitin e kaluar ajo ka deklaruar se e ndjen veten të lidhur emocionalisht me grupin e ish të burgosurve nga Ferizajt."Ne jemi në kontakt me zonjën Kandiq që nga qershori i vitit 2009. Kemi biseduar me të dhe në atë kohë ia kemi shprehur idenë rreth iniciativës për shpalljen e saj qytetare nderi. Zonja Kandiq, e ka pritur mjaft mirë këtë iniciativë. Në takimin e qershorit 2009 ajo pati thënë, se është e lidhur emocionalisht me grupin e Ferizajt, me ish grupin e të burgosurve politikë meqenëse njihen ndër grupet që kanë qenë më të torturuarit nga policia serbe e asaj kohe prandaj ajo vazhdon ende që të mbajë një lidhje të fortë emocionale me këtë grup dhe pati thënë, se ndihet jashtëzakonisht e nderuar në një formë që ka pas mundësinë të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e tyre në një kohë kur familjet e këtyre të burgosurve nuk e dinin për ta a janë gjallë dhe se ku gjinden ata."

Të gjithë dakord

Para se propozimi të dorëzohet në Asamblenë Komunale të Ferizajt përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë zhvilluar biseda me përfaqësuesit e të partive politike në Kuvend. Kështu që ekziston një pajtueshmëri e plotë që asambleja komunale në seancën e prillit ta zyrtarizojë ndarjen e këtij çmimi.

"Ne para se të bëjmë publike kërkesën e dërguar në Asamblenë Komunale paraprakisht kemi kontaktuar me udhëheqësit e grupeve parlamentare në Kuvendin Komunal, po ashtu edhe ekzekutivin e komunës për të marrë pajtimin e tyre rreth kësaj inciative dmth një pajtueshmëri absolute e të gjitha grupeve ekziston prandaj besoj, që gjatë muajit prill do të finalizohet kjo iniciativë dhe zonja Kandiq do të shpallet qytetare nderi e komunës tonë,"

thotë për Deutsche Wellen Albulena Sadiku, e cila në fund shfaq shpresën se ndarja e këtij çmimi do të ndikojë sadopak edhe në përafrimin dhe mirëkuptimin mes dy popujve: "Besoj që në një formë personat e komunitetit serb që jetojnë qoftë në Kosovë apo në Serbi, ata të cilët i ndajnë të njëtat mendime me zonjën Kandiq besoj që do ta çmojnë shumë ashtu siç e çmojnë edhe shqiptarët ndarjen e këtij çmimi, veçanërisht ata të komunës së Ferizajt. Megjithatë puna që ka bërë zonja Kandiq në përfaqësimin dhe mbrojtjen e të burgosurve politikë nga Kosova, ka ngjallur urrejtje ndaj saj tek ish udhëheqja e asaj kohe në Serbi. Por sidoqoftë, ndarja e një çmimi një qytetareje serbe në një formë ose tjetër do t'i shërbejë përfarimit ose së paku mirëkuptimit mes dy popujve".

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama