1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tribunali i Hagës zbut dënimet e ish udhëheqësve ushtarakë serbë

Bahri Cani23 Janar 2014

Tribunali i Hagës vendosi që ish-krerët e Serbisë dhe të ushtrisë serbe të mbeten në burg. Megjithatë për disa prej tyre janë zbutur dënimet.

https://p.dw.com/p/1Aw6O
Fotografi: Reuters

Tribunali i Hagës për Krimet e Luftë në hapsirat e ish-Jugosllavisë vendosi të enjten (23.01.2014) që të ulen dënimet për disa nga ish-krerët politikë dhe ushtarakë të Serbisë dhe të ish-Jugsollavisë, për krime lufte në Kosovë, duke nisur nga marsi i vitit 1999. Ish kryeministrit të Jugosllavisë së cunguar, Nikolla Shainoviq i është zvogluar dënimi nga 22 në 18 vjet heqje lirie. Udhëheqësi i njësive policore serbe në Kosovë, Sreten Llukiq do të mbetet në burg 20 vjet, e jo siç ishte vendosur në shkallën e parë 22 vjet. Ndërsa komandanti i njësive ushtarake në Prishtinë, Gjenerali i ushtrisë, Vlladimir Llazareviq dënohet me 14 dhe jo me 15 vjet burg. Vetëm gjeneralit Nebojsha Pavkoviq, i cili ka mbajtur edhe përgjegjësinë kryesore për veprimin e forcave ushtarake në Kosovë, i është konfirmuar denimi prej 22 vjet heqje lirie.

Krerët e dikurshëm politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë dhe Serbisë denohen për shkak të krimeve të luftës, vrasjeve dhe zhvendosjeve të dhunshme masive të shqiptarëve të Kosovës në periudhën luftës dhe bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.