1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhja e kryetari të bashkisë së Londrës provë opinioni për kryeministrin Brown

Engel, Silke (RBB)30 Prill 2008

Në 1 maj në Londër do të zgjidhet një kryetar i ri bashkie. Duket se zgjedhja do të jetë tensionuese pasi kryetari aktual Ken Livingstone nuk e ka të sigurtë rizgjedhjen.

https://p.dw.com/p/Dr8S
Kryetari i bashkisë së Londrës, Ken LivingstoneFotografi: AP

Sipas sondazheve sfiduesi i tij Boris Johnson nga konservatorët ndodhet dukshëm përpara. Jo sepse premton patjetër një politikë më të mirë për Londrën. Në këtë aspekt dallimet mes të dyve nuk janë shumë të mëdha. Por ai simbolizon ndryshimin dhe është më pak arrogant se kryetari aktual.

Për analistët e sondazheve në Britaninë e Madhe është prej javësh e qartë: Boris Johnson kryeson. Fillimish avantazhi i sfiduesit konservator në sondazhe ishte vetëm disa pikë. Ndërkohë diferenca është thelluar. Dhe kështu konservatori shprehet i bindur për fitore:


"Ne kemi një qeveri të lodhur jo vetëm në Uestminster në plan kombëtar por edhe në plan komunal këtu në qytet. Por shumica tani kërkon ndryshimin përmes një kryetari bashkie të angazhuar si unë. Për banesa me çmime të pagueshme dhe transport urban më të mirë."


Mesazhet e tij politike nuk bëhen më konkrete. Por kjo nuk është e nevojshme. Kryetari aktual i bashkisë së Londrës Ken Livingston është që tani në presion. Në krah të zbavitësit Johnson ai lë përshtypjen e një njeriu të lodhur, të konsumuar dhe madje mendjemadh. Duket sikur Livingstone si numri një i Londrës nuk e ka të nevojshme fushatën zgjedhore për një mandat të tretë në detyrë. Rebeli dhe eksentriku i dikurshëm i laburistëve është tani vetë pjesë e sistemit. E megjithatë ai distancohet nga partia e tij. Ken Livingstone druhet se i duhet të paguajë për dështimet e kryeministrit Gordon Brown:


"Unë nuk jam këtu si zëdhënës i laburistëve dhe nuk mbroj kryeministrin. Unë prezantohem si personalitet vetjak. Unë edhe nuk besoj në avantazhin prej 10 për qindësh të sfiduesit tim. Megjithatë ne duhet të kujdesemi më shumë për drejtësi sociale."


Livingstone përpiqet të fitojë pikë para së gjithash me përvojën e tij: ai e ka kthyer Londrën në të gjithë botën në një magnet për turistët, shkëlqimin e modës dhe fuqinë ekonomike. Në lumin Tejms përqëndrohen bankat europiane. Atje realizohen më shumë transaksione në dollarë se sa në Nju Jork. Edhe projektet për mbrojtjen e ambjentit përmes taksës për makinat nuk ka marrë vetëm vlerësime negative.


Ish gazetari Boris Johnston përpiqet të tërheqë vëmendjen nga mungesa e tij e përvojës në burokracinë administrative, manaxhimit apo fushat e rëndësishme politike duke paraqitur ide origjinale si p.sh. rifutjen në politikën e transportit urban të autobuzëve tradicionalë britanikë: modelit të hapur me dy kate.


Por Ken Livingstone mbetet i qetë. Ai hedh poshtë edhe akuzat për arrogancë dhe nepotizëm. Nën drejtimin e tij Londra është bërë më multikulturore dhe më tolerante.


"Incidentet raciste apo antisemite janë përgjysmuar gjatë tetë viteve të fundit. Unë mund të flas vetëm për Londrën jo për gjithë vendin ku është shënuar rritje edhe prej 12 për qindësh. Por në Londër ka më shumë respekt dhe tolerancë."


Në zgjedhjet e 1 majit nuk është në lojë vetëm zgjedhja e kryetarit të ri të bashkisë por edhe e ardhmja e kryeminsitrit Brown. Një humbje e laburistëve do të ishtë një sinjal negativ për kryeministrin dhe zgjedhjet parlamentare.