1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhja e presidentit të Gjermanisë kalon në raundin e tretë

30 Qershor 2010

Koalicioni konservator liberal Merkel-Westerwelle nuk e kalon testin. Kandidati i preferuar i maxhorancës, Christian Wulff, nuk arriti ta fitonte shumicën e votave të Asamblesë Federale as në raundin e dytë.

https://p.dw.com/p/O78y
Zhgënjim te Angela Merkel dhe Christian WulffFotografi: AP

Zgjedhjet presidenciale në Gjermani po bëhen gjithnjë e më interesante. 50 vjeçari Christian Wuff nuk arriti as në raundin e dytë që të merrte shumicën e votave të Asamblesë Federale.

Siç bëri të ditur sërish kryetari i Bundestagut: “1239 veta dhanë votat, një ishte e pavlefshme, 7 abstenime, 490 per Joachim Gauck (SPD/Të Gjelbrit), 123 për Lukretia Jochimsen (E Majta), 615 për Christian Wulff (CDU/CSU/FDP) dhe 3 për Frank Rennecken (NPD)”

Në këtë mënyrë, kandidati i maxhorancës fitoi 15 vota më shumë se në raundin e parë, por ato nuk mjaftojnë për të krijuar shumicën. Zgjedhjet do të kalojnë kështu në raundin e tretë dhe të fundit, prej të cilave del fitues ai që ka shumicën relative të votave.

Shumica e analistëve mendojnë që shanset më të mira i ka Chirstian Wulff, kandidati i maxhorancës, pasi njëra nga partitë opozitare, E Majta, nuk është e gatshme që t'ia japë votat kandidatit të opozitës. Shkak për këtë është kritika e ashpër që i bën ish-disidenti i RDGJ-së sistemit të komunist në lindje. E megjithëse merret me mend që fitues do të dalë Wulff, me dramaturgjinë e tyre këto zgjedhje po e zëvendësojnë më së miri boshllëkun emocional të teleshikuesit në këtë ditë pa ndeshje botërori.

Sinjal paralajmërues ndaj kancelares

Që në mesditë, nën kupolën e qelqtë të Rajhstagut ndjehej tensioni. Shumë delegatë të kampit konservator-liberal e kishin deklaruar dilemën e tyre: Ata do ta kishin votuar me dëshirë kandidatin e opozitës, ish-disidentin e Gjermanisë Lindore, Joachim Gauck, por për shkak të disiplinës brenda partiake duhej të votonin për atë të maxhorancës.

Një dilemë kjo, që u pasqyrua më së miri në rezultatin e raundit të parë: "1242 vota të dorëzuara, një e pavlefshme, 13 abstenime, 499 për Joachim Gauck (SPD dhe Të Gjelbrit), 600 për Christian Wulff (CDU/CSU dhe FDP), 126 për Lukrecia Jochimsen (E majta), 3 për Frank Rennecke (NPD)."

Në këtë mënyrë, Christian Wulff jo vetëm që nuk arriti shumicë absolute të votave. Por përkundrazi maxhorancës doli që i mungonin 44 vota. Votimi ishte i fshehtë, kështu që devijuesit nuk njihen, por një numër shumë i madh mendohet se vijnë nga radhët e Unionit Demokristian ose Kristiansocial. Analistët e interpretuan rezultatin menjëherë si një shenjë pakënaqësie ndaj politikës së kancelares. Njëri prej tyre, Friedrich Nowotni, tha në kanalin televiziv Phoenix: “Ky është një paralajmërim për kancelares dhe për mënyrën se si sillet ajo me partinë. Dhe ajo ka për ta vrarë mendjen për këtë”.

Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani