1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet lokale në Maqedoni: LSDM fiton bindshëm

16 Tetor 2017

Socialdemokratët kanë fituar bindshëm zgjedhjet lokale: dyzet e pesë kryetarë komunash fituan në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të dielën (15.10.) ndërsa 35 do të shkojnë në raundin e dytë më 29 tetor.

https://p.dw.com/p/2lv1n
Kommunalwahlen in Mazedonien
Fotografi: DW/P. Stojanovski

LSDM-ja në raundin e parë fitoi 37-të kryetarë komunash, VMRO-DPMNE 3, BDI 2 dhe Partia Demokratike e Turqve 1. LSDM-ja dhe VMRO-ja do të garojnë në raundin e dytë në 19 komuna, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët do të garojnë në 5, BDI dhe BESA në 7 dhe në një komunë BDI-LSDM.

Zaev: Përfundoi koha e nacionalizmit në Maqedoni

Krerët e partive politike procesin zgjedhor e vlerësuan nga këndvështrime të ndryshme. Koha e nacionalizmit përfundoi. Këtë e treguan rezultatet nga zgjedhjet lokale, thotë kryeministri Zoran Zaev. "Zgjedhjet ishin konfirmim për kandidatë të mirë, ndërsa qytetarët dhanë mbështetje për atë në cilin drejtim do të lëvizë shteti. Mesazhi erdhi deri tek ne si konfirmim për politikat tona. Këto zgjedhje le të jenë fund i gjithë nacionalizmit në shtet Pamë se nuk kaloi nacionalizmi, as në Maqedoninë lindore as në atë perëndimore. Duhet të respektohen këto politika”, ka deklaruar Zaev. Ai i ka bërë thirrje opozitës që t'i ndryshojë politikat e saj, të cilat, siç tha, i ka zhvilluar në periudhën e kaluar. Nevojitet opozitë e fuqishme dhe bashkëpunim me të në interes të qytetarëve dhe për çështjet që priten në të ardhmen.

"Populli në këto zgjedhje dha mesazhin, se mbështet politikat e qeverisë së re, i dha mbështetje politikës sonë për një shoqëri për të gjithë, i dha mbështetje rritjes dhe zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Zaev.
Raundi i dytë -fushëbetejë për partitë shqiptare

Lideri opozitar dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski akuzoi qeverinë për parregullsi zgjedhore dhe presion ndaj kandidatëve për kryetar të VMRO-DPMNE-së.

BDI nga ana tjetër e shpalli vetën si parti dominuese në nivel republikan edhe pse pothuajse në të gjitha komunat ku garon kjo parti do të ketë raund të dytë zgjedhor.

"Në nivel republikan deri më tani, dukshëm udhëheq BDI dhe mendoj se ky do të jetë mandati i 11-të i fitores së BDI-së. Në pjesën dërmuese të komunave udhëheq BDI”, është shprehur Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kryetari i Lëvizjes "Besa” Bilall Kasami shpalli Besën fituese absolute në kampin politik shqiptarë. "Duke pasur parasysh se BDI ishte në koalicion me LSDM-në, i bie që Besa është partia e parë me vota shqiptare në Maqedoni. Nga votat e numëruara deri më tani ne jemi në rritje dyfish të votave dhe kjo na bën partinë e parë”, ka thënë Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Kryetai i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela njëkohësisht kandidat për Strugën theksoi, se rezultati i raundit të parë vulos fitoren edhe në raundin e dytë.

"Kushdo që do të jetë kundër kandidat në raundin e dytë, ne do t'i fitojmë zgjedhjet si Aleancë për Shqiptarët. Ky është vullneti i popullit dhe atë nuk ka çfarë e ndal”, ka thënë Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Procesin zgjedhor nuk e komentoi Partia Demokratike Shqiptare, së cilës në nivel republikan i është përgjysmuar trupi votues.

Së shpejti zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Njohësit e rrethanave politike shprehen se tanimë Zoran Zaev i ka të gjitha parakushtet për të kërkuar zgjedhje të parakohëshme parlamentare për të forcuar edhe më shumë pozitën e partisë së tij në parlament. Analisti politik Alajdin Demiri shprehet, se në momentin kur të gjithë mendonin se VMRO-DPMNE do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, këtë gjë do ta bëjë Zoran Zaev dhe me siguri në pranverën e ardhshme do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

"Fakti që në zgjedhjet lokale arriti një rezultat jashtëzakonisht të favorshëm për LSDM-në, tani lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Madje në pranverën e ardhshme do të ketë zgjedhje për një arsye shumë themelore, kjo ka të bëjë me koalicionin e brishtë të qeverisë dhe faktin që në zgjedhjet e fundit VMRO-ja ishte fituese, Zaev detyrimisht do të kërkojë zgjedhje të parakohshme për ta verifikuar mandatin e ardhshëm”, ka deklaruar Demiri.
LSDM tashmë i ka të gjitha parakushtet për të nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare për ta forcuar edhe më shumë pozitën e saj në parlament dhe qeveri, vlerëson analisti Xhenis Sulimani.  "Numri i favorshëm nga zgjedhjet e fundit, plus edhe përkrahja e parezervë e shqiptarëve ndaj LSDM-së, që rezultoi edhe në lokale, janë bazë që Zoran Zaev të kërkojë zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Sulimani.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut