1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet më të mira që ka përjetuar ndonjëherë Shqipëria

29 Qershor 2009

Sistemi i ri elektoral i jep fund një kulture politike, në të cilën mandatet e drejtpërdrejta dhe vendet në listë tregtoheshin si në ndonjë pazar oriental.

https://p.dw.com/p/IdIC
Popull duke votuar ne Tirane
E rëndësishme është që pas këtyre zgjedhjeve do të krijohet një sistem partiak më i qartëFotografi: DW

Për herë të parë që prej fundit të komunizmit në Shqipëri u zhvilluar zgjedhje të tilla, ku opozita nuk mund ta akuzojë më vonë fituesin për manipulim. Këto zgjedhje ishin pa dyshim më të mirat që ka përjetuar ndonjëherë Shqipëria. Me në fund qeveria arriti t'i përfshijë të dhënat e regjistrave, deri tani konfuzë dhe pa strukturë, të gjendjes civile në një regjistër elektronik qendror. Përveç kësaj ajo i ka pajisur me letërnjoftime biometrike të pafalsifikueshme të gjithë qytetarët, që kishin bërë me kohë kërkesën. Numri i madh i atyre, që në fakt ekzistojnë në regjistrin e popullsisë, por që nuk kanë letërnjoftime apo pasaporta, nuk është defekt i sistemit por dëshmi, se sa të dhëna të paaktualizuara mbart ende me vete sistemi i vjetër. Shumë prej tyre jetojnë jashtë shtetit.

Deri tani pati vetëm një rast falsifikimi të njohur. Dhe ai qe i mundur vetëm, sepse lokalet zgjedhore nuk janë të pajisura me skaner për pasaportat. Ndihmësit elektoralë nuk e kishin kuptuar siç duket menjëherë gabimin. Megjithatë ky rast më vonë u zbulua, gjë që dëshmon se sistemi është i siguruar mirë.

Pati edhe raste, në të cilat votuesit u kapën duke u përpjekur të fotografonin fletën e votimit në kabinë me telefonin celular. Përpjekje të tilla për të minuar sekretin zgjedhor, është e vështirë të pengohen madje edhe në demokracitë e zhvilluara, në rast se votuesit e lenë vetën të korruptohen.

Së paku po kaq e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë është edhe që pas këtyre zgjedhjeve do të krijohet një sistem partiak më i qartë. Sistemi i deritanishëm i përzier me mandate të drejtpërdrejta dhe lista u zëvendësua nga një sistem krejtësisht proporcional. Prandaj mund të ndodhë, që gjatë periudhës së ardhshme legjislative shumë nga të 45 partitë ta humbasin rëndësinë.

Në këtë mënyrë do të marrë fund edhe një praktikë politike, e cila i ka rrënjët në tryezat e rrumbullakëta të viteve postkomuniste të transformacionit. Partitë e mëdha shpesh bënin koalicione me parti të parëndësishme për të krijuar përshtypjen se kanë një bazë më të gjërë sociale. Prej kësaj u krijua një kulturë politike, në të cilën mandatet e drejtpërdrejta dhe vendet në listë tregtoheshin si në një pazar oriental. Para katër vjetësh partitë aplikuan atëherë një sistem kompleks shpërndarjeje për mandatet parlamentare, të bazuar në koalicione të krijuara që përpara zgjedhjeve. Këtë nuk e merrte dot vesh asnjë votues. Për fat të mirë kjo ka marrë fund.

Autor: Fabian Schmidt
Redaktoi: Pandeli Pani