1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Greqi, Karamanlis përballë Papandreut

3 Tetor 2009

Greqia voton të dielën (04.10) për një parlament të ri. Kryeministri konservator Karamanlis i "Nea Demokratia", shpalli para katër javësh zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare. Shanset e tij nuk janë të mira.

https://p.dw.com/p/Jx3X
Kryeministri grek Kostas Karamanlis
Kryeministri grek Kostas KaramanlisFotografi: dpa

Që prej viteve 60-të dhe deri sot familjet Karamanlis dhe Papandreu dominojnë skenën politike të Greqisë. Tani në zgjedhjet e parakohshme parlamentare Jorgos Papandreu, i biri i Andrea Papandreut dhe kryetar i "Lëvizjes Socialiste Panheleniste" (Pasok), synon të pasojë si kryeministër Kostas Karamanlisin, nipin e ish presidentit Konstantin Karamanlis. Të dy sfiduesit kanë zhvilluar një betejë të ashpër elektorale. Ata mobilizuan potencialin e tyre zgjedhor në shumë manifestime në sheshet qendrore të qyteteve greke. Fushata zgjedhore "Jorgos kundër Kostas" është varianti i ri i duelit politik klasik grek.

Në fakt mandati i kryeministrit konservator Kostas Karamanlis zgjat deri në vitin 2011. Por Papandreu kishte deklaruar në zgjedhjen e presidentit nga parlamenti në mars se do të impononte zgjedhjet e reja. Karamanlis u tregua më i shpejtë. Për shkak të krizës ekonomike dhe financiare globale vendi për dy vitet e ardhshëm ndodhet në rrugë të vështirë, tha Karamanlis dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Karamanlis synon një mandat të ri për interes nacional

"Në këto kushte kam vendosur, që të synoj një mandat të ri, për të zbatuar masat e duhura politike dhe dëshëroj që ta dini, se motivi im është vetëm interesi nacional."

Në rast se rizgjidhet ai premton, se do të luftojë evazionin fiskal dhe shpall ndalimin e punësimeve në sektorin publik për një vit dhe ngrirjen e rrogave dhe pensioneve.

Këto masa nuk janë gjë tjetër veçse një kurs rigoroz kursimi, sepse arkat e shtetit janë bosh dhe borxhet janë të larta. Borxhi shtetëror arrin në 260 miliardë euro. Kjo i përgjigjet 100% të prodhimit të brendshëm bruto. Deficiti shtetëror e ka kaluar prej kohësh kufirin tre përqind të Maastrichtit dhe arrin mbi gjashtë përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

Akropolis në Athinë
Akropolis në AthinëFotografi: AP

Qeveria konservatore, asnjë masë kundër borxhit të lartë

Por qeveria konservatore "Nea Demokratia" akuzohet se për pesë vjet rradhazi nuk ka ndërmarrë asgjë kundër malit me borxhe. Babis Papadimitriu, analist për çështjet ekonomike i grupit të mediave Skai në Athinë është i bindur se problemet ekonomike të Greqisë janë aq të rënda, saqë qeveria konservatore në këto kushte nuk do të kishte asnjë mundësi ta çonte deri fund periudhën legjislative.

"Qeveria aktuale ka patur vështirësi të mëdha për t'i përballuar problemet ekonomike: Duhej menaxhuar në të njëjtën kohë si kriza ekonomike globale, ashtu edhe ajo brenda vendit. Do të kishte qenë sigurisht më e thjeshtë, sikur opozita socialiste t'i kishte dhënë mbështetje. Por nuk ishte kështu, sepse Pasoku donte që të shpalleshin zgjedhje të reja."

Greqia ka borxhe të larta
Greqia ka borxhe të lartaFotografi: picture alliance/dpa

Karamanlis dhe partia e tij konservatore kanë zbatuar pak prej premtimeve të dikurshme. Karamanlis donte ta ndryshonte nga themelet shtetin, korrupsionin dhe nipoterinë donte t'i zhdukte. Asgjë prej tyre nuk ndodhi.

Udhëheqësi i opozitës Jorgos Papandreu premton një fillim të ri për vendin e tij. Ai do t'i japë fund shpërdorimit të fondeve publike. Por ndryshe nga Karamanlis ai flet për domosdoshmërinë e mbështetjes aktive të ekonomisë. Ai planifikon një program konjunkturor me deri në katër miliardë euro. Motoja e tij është "Zhvillim ekonomik ekologjik."

Griechenland Land und Leute Athen Panepistimiou Straße
ATHENS GREECE Panepistimiou str. (C) NIKOS PILOSFotografi: Nikos Pilos

Papandreu për një teknologji të re në mbrojtje të klimës

"Zhvillimi ekonomik ekologjik" është kalimi në një bazë tjetër prodhimi, e cila karakterizohet nga teknologji te reja, në mbrojtje të klimës. Fjala është për teknika prodhimi, që mund të shërbejnë që Greqia të nxjerrë në pah epërsitë e saj. "Zhvillimi ekonomik ekologjik." krijon vende pune."

Gjendja dramatike ekonomike i ka lënë në hije të gjitha temat e tjera. Vetë politika e jashtme mbetet në sfond. Megjithatë edhe në këtë fushë të dy sfiduesit patën një debat të ashpër psh lidhur me marrëdhëniet me Turqinë. Grekët janë të zemëruar për fluturimet e ulëta të avionëve turq mbi ishujt grekë. Përveç kësaj Ankaraja akuzohej se nuk punon në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjes së Qipros. Papandreu akuzon Karamanlisin se nuk i ka shfrytëzuar sa duhet ambicjet evropiane të Turqisë, për ta detyruar t'i bëntë lëshime. Dhe kryeministri i kujton udhëheqësit të opozitës që dhe kryeministri kujton udhëheqësit e opozitës se para pesë vjetësh ka aprovuar "planin famëkeq" të Ananit për çështjen e Qipros. Në një çështje ata janë të një mendimi. Dhe kjo është grindja për emrin e Republikës së Maqedonisë.

Ministri i Jashtëm Miloshoski dhe homolgja e tij greke Bakojani
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Miloshoski dhe homologja e tij greke BakojaniFotografi: MIA

Karamanlis dhe Papandreu, të një mendimi për çështjen e emrit

"Përsa i përket çështjes së emrit, unë si grek dhe maqedonas mund t'u garantoj qytetarëve të vendit tonë se ne kemi hequr një vizë të kuqe në bisedime. Dhe ne nuk do ta kalojmë atë. Historia nuk mund të fallsifikohet dhe të shkruhet sërish."

Anketimet e fundit para dy javësh flisnin për një fitore të qartë të socialistëve opozitarë të Jorgos Papandreut. Anketuesit parashikojnë që Pasoku do të jetë në avantazh me gjashtë deri nëntë përqind ndaj "Nea demokracisë", që qeveris.

Autor: Stamatis Assimenios/Angjelina Verbica

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi