1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian barometër për gjendjen në politikën e brendëshme gjermane

Cornelia Rabitz14 Qershor 2004

Edhe në Gjermani si në vende të tjera të BE-së zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë më tepër pasqyrim i zhvillimeve në politikën e brëndshme, se sa vërtet një konfrontim i zgjedhësve me çështjet e rëndësishme për BE-në. Për këtë zgjedhjet e së dielës mund të konsiderohen më tepër si një kartelë e verdhë që elektorati gjerman i drejtoi partisë social-demokrate në pushtet për shkak të politikës së saj dhe reformave në fushën sociale.

https://p.dw.com/p/Ar6Q
Zhgënjim pas zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës
Zhgënjim pas zgjedhjeve për Parlamentin e EvropësFotografi: AP

Socialdemokratët pësuan në zgjedhjet e 13 qershorit humbjen më të thellë në të gjithë historinë e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Numrin më të madh të votave, megjithë disa humbje e fituan demokristianët. Të gjelbërit fituan gjithashtu shumë vota, liberalët arritën të rihyjnë sërish në Parlamentin Evropian. E sukseshme ishte edhe Partia për Socializimin Demokratik.

Bashkimi kristiandemokrat triumfoi, edhe pse nuk iu përmbushën të gjitha ëndërrat. Distanca me partinë socialdemokrate është gjithmonë në rritje. Pas çdo organizimi zgjedhjesh ndryshimi në radhët e qeverisë gjermane në favor të partisë demokristiane në zgjedhjet e 2006 po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, në rast se demokristianët do të jenë në gjendje që t'i mënjanojnë gabimet e rënda. Megjithatë edhe pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian nuk mund të thuhet nëse demokristianët përfituan sepse kanë në krye njerëz më të aftë se socialdemokratët, apo se përfituan prej pakënaqësisë së elektoratit me punën e qeverisë federale gjermane. Katastrofa për partinë socialdemokrate ishte e parashikueshme, por përmasat e saj ishin shokuese. Rezultatet e zgjedhjeve të djeshme treguan se humbjet e socialdemokratëve kanë arritur një pikë kulmore. Dhe meqënëse shumica e elektoratit thekson, se si motiv për të mos ua dhënë votën socialdemokratëve ishte politika e tyre, bëhet e qartë se vota e zgjedhësve ishte një kartelë e verdhë për kancelarin Shrëder. Pjesëtarët e koalicionit qeveritar në Gjermani, të gjelbërit, duket se nuk pësuan dëme prej pakënaqësisë ndaj politikës së qeverisë. Ata madje fituan edhe më tepër vota se më parë, falë angazhimit të tyre në fushatën elektorale. Edhe liberalët arritën që pas dhjetë vjetësh të riktheheshin në Parlamentin Evropian. Për Gjermaninë kjo do të thotë një forcim i pozitës së kryetarit të kësaj partie, Gido Westerwelle. Fituese tjetër e zgjedhjeve mund të konsiderohet Partia për Socializimin Demokratik, pasuese e ish-partisë socialiste të RDGj-së. Përfundimi i këtyre zgjedhjeve me siguri i ka dhënë asaj zemër për politikën e brendëshme edhe pse kjo parti vazhdon të jetë një parti e përqëndruar vetëm në zonën lindore të Gjermanisë.