1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Agjent i huaj" në SHBA dhe në Rusi

23 Nëntor 2017

Si përgjigje ndaj masave të SHBA kundër transmetuesve rusë, Kremlini do të regjistrojë tani edhe mediet si "agjentë të huaj". Po çfarë kuptojnë me këtë koncept në SHBA dhe në Rusi?

https://p.dw.com/p/2o4ft
Putin Portrait Symbolbild NGO-Agenten-Gesetz Russland
Fotografi: AFP/Getty Images/A. Nikolsky

"Jemi të detyruar që të reagojmë ndaj përndjekjes së stacionit televiziv Russia Today (RT) në SHBA", deklaruan deputetë të Dumës shtetërore në mes të nëntorit 2017. Ata patën miratuar ndryshime ligjore, në bazë të të cilave mediet e huaja mund të kategorizohen si "agjentë të huaj" në Rusi. Edhe në SHBA ka një ligj për agjentët e huaj - Foreign Agents Registration Act (FARA). Autoritetet amerikane futën para pak kohësh në këtë listë RT dhe radiostacionin rus Sputnik.

Koncepti "agjent i huaj" ka në rusisht një kuptim negativ dhe barazohet me fjalën "spiun". "Edhe një anglishfolës me anglishten gjuhë amtare do të mendonte se bëhet fjalë për spiunazh", i thotë DW Eliot Borenstein, profesor i gjuhëve sllave në New York University. Por dallimi është se në Rusi me këtë ligj duan të stigmatizojnë të gjithë shoqërinë civile, kurse regjistrimi në FARA i RT në SHBA ndjek një "synim më të ngushtë". Sipas Borensteinit, me të synohet të shenjohen radiostacione ruse, që e minojnë sistemin politik amerikan. Në zhargonin politik një "agjent i huaj" megjithatë nuk është spiun, por një lobiist, puna e të cilit financohet nga një shtet tjetër.

Ngjashmëri dhe dallime

Ligji FARA i SHBA u miratua në vitin 1938, për të vepruar kundër propagandistëve të Gjermanisë naziste. Ndryshimet e bëra në vitin 1966 synonin në radhë të parë të preknin lobiistët politikë, të cilët veprojnë me porosi të shteteve të huaja. Këta mund të jenë si persona juridikë, ashtu edhe persona fizikë.

Ligji rus për agjentët e huaj është i vitit 2012. Dihet që ai është një reagim i udhëheqjes ruse për protestat masive në dimër 2011 dhe pranverë 2012. Në formën e tij të mëparshme, ai prekte vetëm organizatat jofitimprurëse. Por pesë vjet më vonë ai u zgjerua edhe tek mediet.

Në vështrim të parë, ligji rus dhe ai amerikan për agjentët e huaj kanë shumë ngjashmëri, për shembull në regjistrimin në ministrinë e Drejtësisë dhe në nevojën për të paraqitur raporte llogaridhënieje. Por në Rusi, agjentët e huaj duhet t'i nënshtrohen një verifikimi vjetor dhe të paraqesin çdo gjashtë muaj një raport për veprimtarinë e tyre.

Disa përcaktime janë më të ashpra në ligjin amerikan. Për shembull kopje të materialeve informative duhet të paraqiten te autoritetet më e vonta 48 orë pas publikimit të tyre. Ligji i FARA-s kërkon që materialet propagandistike të shenjohen si të tilla. Por në praktikë këto rregulla nuk zbatohen siç del nga një raport i inspektorit të ministrisë së Drejtësisë të vitit 2016.

Kur një person ose një organizatë drejtohet ose kontrollohet direkt nga një qeveri ose organizatë e huaj, atëherë ajo mund të deklarohet agjente e huaj në SHBA. Kurse në Rusi mjafton që të marrësh para nga jashtë, për t'u kategorizuar i tillë. Kjo vlen edhe për mediet. Potencialisht, çdo medie mund të deklarohet agjent i huaj në Rusi.

Zbatim i ndryshëm 

Por dallimi kryesor konsiston në faktin se regjistrimi si "agjent i huaj" në bazë të legjislacionit amerikan nuk sjell me vete kufizimin e aktivitetit. Ministria ruse e Drejtësisë nga ana tjetër i paralajmëroi një sërë mediesh amerikane për "kufizimin e mundshëm të veprimtarisë së tyre në Rusi".

Shkelja e dispozitave të sjell në SHBA në teori pesë vjet burg ose deri në 10.000 dollarë. Por që prej vitit 1966 në gjyq kanë shkuar vetëm shtatë raste, dhe vetëm në një rast u mor vendimi për shkelje të ligjit. Në Rusi, ligji për agjentët e huaj ka çuar në mbylljen e një sërë organizatash jofitimprurëse. Dhe OJF që janë në listën e "agjentëve të huaj", përjetojnë diskriminim.