1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresa të vakëta mbi një marrëveshje për veriun në takimin Thaçi - Daqiç

Bahri Cani4 Mars 2013

Bisedimet mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel mund të jenë vendimtare për suksesin e dialogut dhe normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve.

https://p.dw.com/p/17pkU
Auf dem Bild: From left to right: Mr Hashim THACI, Prime Minister of Kosovo; Ms. Catherine ASHTON, High Representative of the EU for Foreign Affairs and Security Policy; Mr Ivica DACIC, Prime Minister of Serbia. Rechte: Christos Dogas/ European Commission Angeliefert von Ivan Djerkovic am 20.2.2013
Fotografi: Christos Dogas/ European Commission

Shanset që të hënën (4. 03. 2013) në Bruksel të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes kryeministrave të Kosovsës dhe Serbisë për veriun e Kosovës dhe strukturat paralele serbe atje janë të vogla. Kjo sepse kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq janë nisur për në Bruksel me qëndrime të kundërta - gati të papajtueshme.

Palët janë dakrod se në veri të Kosovës duhet të krijohet një asociacion i komunave të banuara me shumicë serbe, por nuk janë dakord rreth kompetencave dhe përgjegjësive që duhet të ketë ai. Autoritetet e Prishtinës e kanë refuzuar kërkesën e Serbisë që këto komuna të kenë edhe të drejta ekzekutive, ligjëvënëse dhe juridike. Qeveria e Kosovës pohon se në veri nuk do të lejohet krijimi i një asociacioni apo bashkësie të "ngjashme me ndonjë Republikë Serpska" si në Bosnjë e Hercegovinë.

Mundësia e bashkimit të komunave me shumicë serbe në ndonjë asociacion parashikohet edhe në ligjet e Kosovës dhe në Pakon e Martti Ahtisaarit. Por Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e këtij vendi nuk parashikojnë mundësinë që ky asociacion të ketë komeptenca ekzekutive dhe ligjvënëse. Nuk parashikohet as mundësia që përgjegjësitë e komunave të barten tek ky mekanizëm. Autoritetet në Prishtinë e përjashtojnë mundësinë që në këto rajone të krijohet "një nivel i tretë pushteti", krahas komunave dhe nivelit të institucioneve në Prishtinë.

Ndërsa kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq dhe autoritetet e tjera në Beograd kanë kërkuar që ky asociacion të ketë kompetenca të rëndësishme, të cilat do të mundësonin edhe një lloj vetëqeverisjeje të serbëve të Kosovës. Beogradi ka kërkuar që ky mekanizën t'i shtrijë kompetencat e veta në sektorin e gjyqësisë, në polici, në dogana, në arsim të lartë, shëndetësi.

Autoritetet e Serbisë kanë kërkuar prej autoriteteve ndërkombëtare që të ushtrojnë presion ndaj qeverisë së Kosovës që t'i pranojë këto kërkesa, me argumentin se "vetëm nëse përfitojnë të dy palët, mund të bëhet fjalë për kompromis".

Pas një takimi të zhvilluar mes krerëve të Serbisë, presidentit Tomisllav Nikoliq, kryeministrit Daçiq dhe zëvendëskryeministrit Aleksandar Vuçiq u kumtua se "raundi i ardhshëm i negociatave është vendimtar". Ndaj "Serbia pret prej bashkësisë ndërkomëtare që të ushtrojë presion ndaj Prishtinës. Të njëjtat kërkesa ka paraqitur kryeministri serb Daçiq edhe në takimin me ambasadorët e pesë shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian (Greqisë, Spanjës, Qipros, Rumanisë dhe Sllovakisë), të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të zhvilluar këto ditë në Beograd.

"Pala serbe mbetet në qëndrimin se asociacioni i komunave serbe duhet të ketë përgjegjësi ekzekutive", deklaroi zëdhënësi i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq.

Dialogu në krizë

Ndërsa kryeministri i Serbisë u shpreh se dialogu gjendet në krizë. "Nuk e di se për çfarë mund të bisedojmë, kur dihet se autoritetet e Prishtinës i kanë refuzuar të gjitha kërkesat tona që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive", deklaroi Daçiq i cili pret që Serbia "të jetë nën presione të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare" për të bërë lëshime të tjera në Kosovë.

"Nuk e di se çfarë mund të bisedoj me kryeministrin Thaçi dhe nuk e di se çfarë gjëra të reja mund të propozojmë. Vetëm të njohim edhe pavarësinë e Kosovës dhe të themi 'bëni çfarë të doni'", u shpreh me ton ironik Daçiq, i cili edhe më tej mendon se zgjidhja më e mirë do të ishte ndarja e Kosovës dhe përkufizimi me shqiptarët, por kjo është refuzuar nga të gjitha palët.

Autoritetet e Brukselit dhe ndërmjetësuesja në dialog, shefja e BE-së për politikën e jashtme Chaterine Ashton, presin vazhdimin e dialogut dhe shpresojnë arritjen e një marrëveshje, mes kryeministrave, të cilët thonë se dialogu është në krizë. Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane Maja Kocijançiq përsëriti se "dialogu është në interesin e Serbisë dhe Kosovës", por Beogradi dhe Prishtina janë skepktik se në këtë takim mund të bëhet ndonjë hap vendimtar drejt arritjes së ndonjë marrëveshjeje serioze.

Analistët vlerësojnë se nga suksesi i këtij dialogu për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës varet edhe procesi i afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Evropian. Pritet që në takimin e ardhshëm të krerëve të BE-së të vendoset nëse Serbia do të marrë një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim. Në rast dështimi të dialogut shanset për afrim me BE-në janë minimale. Raundi më i ri i bisedimeve do të përfundojë po të hënën (04.03.2013).