1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Çakalli” dënohet me burgim të përjetshëm

16 Dhjetor 2011

Një gjykatë franceze ka dënuar me burgim të përjetshëm terroristin e famshëm “Karlos Çakallin” për dy sulmet e kryera në fillim të viteve 80. Dy bashkëpunëtorët e tij janë dënuar në mungesë.

https://p.dw.com/p/13UV6
Terroristi Illich Ramirez Sanchez Carlos, i quajtur "Çakalli"
Terroristi Illich Ramirez Sanchez Carlos, i quajtur "Çakalli"Fotografi: picture alliance/dpa

Terroristi venzuelian Ilich Ramirez Sanchez, i njohur si Karlos Çakalli, është dënuar me burgim të përjetshëm. Ai u shpall fajtor për dy sulmet me bomba të kryera në vitin 1982 dhe 1983 në Francë. Një gjykatë e posaçme penale në Paris i dha dënimin maksimal për katër sulmet vdekjeprurëse ku humbën jetën 11 vetë dhe u plagosën 100 të tjerë.

Fillimi i procesit gjyqësor në Paris.
Fillimi i procesit gjyqësor në Paris.Fotografi: dapd

Ndërkohë Sanchez ka mohuar akuzat. Avokatja e tij Isabelle Coutant-Peyre e quajti verdiktin "një skandal" dhe deklaroi se do ta apelojë. 62 vjeçari është duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e tre qytetarëve francezë në vitin 1975. Në një fjalim pesëorësh në fund të gjykimit, Carlos akuzoi gjykatën për "propagandë kundër Carlos dhe çështjes palestineze". Ai mbylli fjalimin e tij duke bërtitur “Rroftë revolucioni”.

Avokatja franceze, Isabelle Coutant-Peyre
Avokatja franceze, Isabelle Coutant-PeyreFotografi: dapd

Bashkëpunëtorët e gjykuar në mungesë

Gjykata dënoi gjithashtu edhe dy të akuzuar në mungesë. Me burgim të përjetshëm u dënuan edhe gjermani Johannes Weinrich dhe palestinezi Ali Kamal al-Issawi.

Weinrich, krahu i djathë i Carlos, është duke vuajtur një dënim me burg në Gjermani, ndërkohë që al-Issawi ende është në kërkim. Karlos Çakalli mori famë në vitin 1975, kur ai dhe pesë persona të tjerë morën peng 70 persona në një takim të OPEC-ut në Vjenë. Tre persona, përfshirë një polic austriak, u vranë gjatë sulmit. Grupi kërkoi për të fluturuar drejt Algjerisë, ku u liruan shumica e pengjeve. Guerilast u dorëzuan tek autoritetet atje dhe u liruan disa ditë më vonë. Ramirez u arrestua në Sudan në vitin 1994 dhe u transferua në Francë, ku edhe do të vazhdojë të vuajë dënimin e tij.

Autor: Andreas Illmer / Amarildo Topi

Redaktoi: E. Xhani