1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Çdo kontakt personal na çon përpara'

18 Maj 2009

Programi i mysafirëve të Republikës Federale Gjermane fton çdo vit një numër të caktuar funksionarësh nga vende të ndryshme të botës për të qendruar disa ditë në Gjermani. Javën e kaluar mysafirët ishin nga Ballkani.

https://p.dw.com/p/HsvM
Qendra e Përbashkët Doganore dhe Policore Gjermano- Polake priti mysafirë nga Ballkani
Qendra e Përbashkët Doganore dhe Policore Gjermano- Polake priti mysafirë nga BallkaniFotografi: DW / Anila Shuka

Para portës së Qendrës së Përbashkët Doganore dhe Policore Gjermano- Polake tani ndalen vetëm makina me vizitorë

Programi i mysafirëve të Republikës Federale Gjermane kishte ftuar javën e kaluar (11-15 maj) përfaqësues të disa vendeve të Ballkanit që merren me ndjekjen e krimit. Qëllimi i vizitës ishte njohja me përvojën gjermane. Stacioni i fundit i programit ishte qendra e përbashkët doganore mes Gjermanisë dhe Polonisë, në Svieçko.

Para një viti e gjysmë, kur Polonia nuk kishte hyrë ende në Shengen, vargu i makinave që prisnin këtu para dy postblloqeve kufitarë ishte disa kilometrash. Tani që kufiri është hapur, para portës së Qendrës së Përbashkët Doganore ndalen vetëm makina me vizitorë, si për shembull grupi i përfaqësuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja-Hercegovina, që javën e kaluar gjendeshin në Gjermani në kuadër të Programit të Mysafirëve të Republikës Federale Gjermane.

Në qendrën doganore përfaqësohen të gjitha institucionet dypalëshe

Donuta Lazarcyk e drejton qendrën së bashku me homologun e saj gjerman, Ulf Buschmann. Në një sallë të përbashkët janë ulur përbri njëri-tjetrit nëpunës të të dy shteteve. Shumica e tyre i flasin të dyja gjuhët. Ata dallohen vetëm nga ngjyra e uniformave: gjermanët bojëqielli, polakët të gjelbër.

'Këtu përfaqësohen të gjitha institucionet'
'Këtu përfaqësohen të gjitha institucionet'Fotografi: DW / Anila Shuka

“Këtu përfaqësohen të gjitha institucionet: Kolegët nuk kanë nevojë të shkojnë nga një dhomë tek tjetra për të mbledhur informacione”, sqaron Lazarzyk.

Kolegu i saj Ulf Buschmann, konkretizon me shifra rezultatin e këtij bashkëpunimi:

“Ky sistem bashkëpunimi të drejtpërdrejtë na krijon mundësinë që çdo pyetje që kanë kolegët tanë në terren t‘i përgjigjemi brenda 15 minutash”.

Gjatë vitit 2008 për shembull u kapën gjashtëdhjetë milionë cigare

15.000 pyetje iu drejtuan qendrës nga policët në terren ose institucione të ndryshme, vetëm gjatë vitit 2008. Në telefon merrnin si policët e qarkullimit, e deri tek nëpunës të doganës që zbulojnë mallra kontrabandë, sidomos cigare dhe mjete narkotike.

“Gjatë vitit 2008 për shembull u kapën gjashtëdhjetë milionë cigare që përmes Polonisë ishin trafikuar ilegalisht në Gjermani”, - thotë zoti Silbernagel, përfaqësuesi i Policisë Doganore të Landit Berlin Brandenburg, që gjithashtu ka një zyrë në Svieçko.

Bashkëpunimi kufitar në rastin e Kosovës - i vështirë

Qendra polako-gjermane ishte stacioni i fundit i programit pesëditor të delegacionit nga Ballkani:

“Unë nga kjo vizitë mora një mesazh politik: Se në qoftë se nuk bashkëpunojmë për njëfarëlloj kalimi ndërkufitar, vendet tona të rajonit, atëherë do të jemi më larg integrimeve”, - thotë Eqrem Kryeziu, deputet në parlamentin e Kosovës. Por, për një bashkëpunim të tillë, nuk mjafton vetëm vullneti politik, nevojitet edhe baza ligjore, që duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës, kufijtë e së cilës nuk njihen nga Serbia, ky bashkëpunim ndërkufitar hë për hë është gati i pamundur.

Por, edhe me Bosnjën nuk mund të nënshkruhet kontratë bashkëpunimi, për shkak të të njëjtit problem. Kjo e vështirëson punën e atyre që merren me çështjen e krimit, siç është Oleg Çafka:

“Një pjesë e madhe krimit të organizuar që operon në Bosnjë, e ka qendrën në Kosovë”, thotë prokurori i Sarajevës. Bashkëpunimi i Kosovës me Bosnjë-Hercegovinën bëhet nëpërmjet institucioneve ndërkombëtarë. Sidoqoftë, një vizitë e tillë e përbashkët shërben jo vetëm për të marrë përvojë, por edhe për të njohur njëri-tjetrin: “Çdo kontakt personal është një hap përpara drejt bashkëpunimit në të ardhmen”, thotë Çafka.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Auron Dodi