1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çdo strukturë tjetër paralele cilësohet ilegale

Bekim Shehu / Prishtinë12 Mars 2008

Administrata ndërkombëtare, kërkon nga autoritetet e Serbisë që mos t'i mbështesin strukturat paralele serbe në Kosovë. Ata thonë se UNMIK-u së bashku me institucionet kosovare, janë autoritetet e vetme në Kosovë

https://p.dw.com/p/DNTe
Serbët që protestojnë kundër pavarësisë së Kosovës në kufirin Serbi -Kosovë - në Merdare
Serbët që protestojnë kundër pavarësisë së Kosovës në kufirin Serbi -Kosovë - në MerdareFotografi: picture-alliance/ dpa

Zyrtarë të administratës ndërkombëtare në Kosovë, thanë se autoritetet serbe duhet ta respektojnë rezolutën 1244 të KS-it, për aq kohë sa ajo do të jetë në fuqi në Kosovë. Në këtë mënyrë ata i tërheqin vërejtjen autoriteteve në Beograd, që të mos mbështesin strukturat paralele serbe në Kosovë, sepse kjo bie ndesh me mandatin e UNMIK-ut. Ata thanë se strukturat ndërkombëtare kanë autoritet në tërë rajonin e Kosovës dhe të tilla do të mbesin edhe gjatë procesit të transferimit gradual të përgjegjësive tek institucionet e Kosovës. Zyrtarët e UNMIK-ut, pranuan se në pjesën veriore të Kosovës ka vështirësi në funksionimin e administratës, por thanë se kryeadministratori i Kosovës, Jaokim Rycker, është duke biseduar me liderët lokal serbë që të zgjidhë problemin.

Aleksandër Ivanko, është zëdhënës i UNMIK-ut. "Ka disa çështje të pazgjidhura në veri, mirëpo shefi i UNMIK-ut, ka takuar kryetarët serb të tri komunave veriore. Bisedat me ta akoma janë duke vazhduar dhe në besojmë se shumë shpejtë UNMIK-ut, do të jetë plotësisht funksional edhe në veri të Kosovës", tha zëdhënësi Ivanko. Serbët e veriut të Kosovës, pengojnë punën e UNMIK-ut, në dy pika kufitare me Serbinë dhe poashtu kanë pamundësuar punën e gjykatave atje. Autoritetet në Beograd kanë thënë se edhe zgjedhjet e parakoshme serbe do të mbahen edhe në teritorin e Kosovës, sepse ata akoma Kosovën e cilësojë si pjesë të Serbisë.

Udhëheqësit politik kosovar janë shprehur vazhdimisht se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje edhe në Kosovë, ndërsa tash pas shpalljes së pavarësisë sipas tyre kjo gjë nuk duhet lejuar as nga mekanizmat ndërkombëtar në Kosovë. Mirëpo, zyrtarë të UNMIK-ut akoma nuk kanë qëndrim të prerë se a duhet lejuar apo jo që zgjedhjet e Serbisë të zhvillohen në territorin e Kosovës. "Serbia duhet ta respektojë mandatin e UNMIK-ut, sa i përket zgjedhjeve dhe është vetëm administrata ndërkombëtare ajo që mund të therras dhe të lejojë zgjedhje në teritorin e Kosovës", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko. Ai tha se çështja se a do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë do të diskutohet gjatë javës së ardhshme ndërmjet vendeve të grupit të kontaktit. Kjo për faktin që sipas tij, UNMIK-u, në këtë periudhë është në një pozicion delikat dhe çdo veprim duhet konsultuar me kujdes në mekanizmat ndërkombëtar.