1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çeki: Vështirësi në krijimin e qeverisë së re

Angjelina Verbica28 Tetor 2013

Çekia ka votuar. E qartë është se qeveria e deritanishme liberale-konservatore u ndëshkua dhe nuk ka më shumicën në parlamentin e ri. Por e paqartë është se cilat parti do të krijojnë tani qeverinë.

https://p.dw.com/p/1A7CS
Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe pas zgjedhjeve paqartësitë vazhdojnë. Shtatë parti janë të përfaqësuara në parlamentin e ri çek, shumica të qëndrueshme një herë për një herë nuk ka. Rezultati e ka transformuar peisazhin politik, thotë politologu Ivan Klima: "Këto ishin votime proteste. Një tërmet i vërtetë. Më parë kishte vetëm të majtë dhe të djathtë. Ky sistem dual është tejkaluar. Në Çeki ka një krizë të thellë besimi të partive politike."

Veçanërisht i madh është zhgënjimi te socialdemokratët. Megjithë humbjet e mëdha CSSD vazhdon të mbetet partia më e madhe, por duke mos marrë më shumë se 20%, ajo mbetet shumë më prapa, nga sa kishte shpresuar. Një fitore e hidhur, pranon kryetari i partisë, Bohuslav Sobotka. Por kërkesën për dorëheqje ai e refuzon.

Socialdemokrati Bohuslav Sobotka
Socialdemokrati Bohuslav SobotkaFotografi: picture-alliance/dpa

"Ne jemi të gatshëm për të filluar bisedimet për koalicionin qeverisës. Në ditët e ardhshme do të krahasojmë programet dhe pikësynimet politike me ato të partive të tjera. Synimi është një qeveri e re dhe e qëndrueshme."

Një gjë është e sigurtë: aleanca ndërmjet socialdemokratëve dhe komunistëve, që pritej nga shumë vëzhgues para zgjedhjeve, nuk do të realizohet. Pa fituesin e vërtetë të zgjedhjeve, lëvizjen populiste ANO të miliarderit Andrej Babis, është gati e pamundur një shumicë në parlament. Partia e tij e "Qytetarëve të Pakënaqur" arriti të marrë gati 19 përqind. "Ne jemi të gatshëm për të negociuar, nëse na drejtohet dikush. Por fillimisht presidenti duhet të flasë me socialdemokratët. Ata pastaj mund të na drejtohen ne."

Gjatë fushatës Babis kishte refuzuar çdo përfshirje në qeveri. Politikanët abuzojnë me pushtetin le tyre. Në parlament ka hajdutë dhe mashtrues. Këto janë mesazhet e thjeshta të ANO. Në këtë mënyrë kjo parti e sapothemeluar pasqyron mendimin e shumë çekëve. 90 për qind i konsiderojnë politikanët e tyre të korruptuar. Më shumë se dy milionë euro ka investuar miliarderi në fushatën e tij tejet profesionale. Që prej disa javësh atij i përkasin të dyja gazetat kryesore të vendit.

Komunisti i dikurshëm është tani njëriu më i fortë në Pragë, mendon politologu Tomas Lebeda: "Ai tani ndodhet nën një presion të madh dhe nuk jam i sigurtë, nëse do t'i përmbushë shpresat. Babis dhe partia e tij nuk kanë kurrfatë përvoje politike, ideologjie dhe një program pa asnjë profil."

Fituesi i vërtetë i zgjedhjeve, Andrej Babis
Fituesi i vërtetë i zgjedhjeve, Andrej BabisFotografi: picture-alliance/dpa

Por një alternativë serioze ndaj aleancës së socialdemokratëve, partisë së protestës ANO dhe kristiandemokratëve të kthyher në parlament me afro 7 përqind, nuk ka. Partitë e qendrës së djathtë të qeverisë në ikje u ndëshkuan nga zgjedhësit. Ato morën faturën për kursin e padëshiruar të kursimeve të viteve të fundit dhe për një skandal të madh korrupsioni. Edhe presidenti Milos Zeman është një nga humbësit e zgjedhjeve. Partia e tij SPOZ me gjithë një fushatë të kushtueshme arriti të marrë vetëm 1,5% të votave.

Megjithatë Milos Zeman do të jetë javët e ardhshme një figurë qëndrore në Pragë: Sipas kushtetutës vetëm ai do të vendosë për dhënien e urdhërit për krijimin e qeverisë.

Por për shumë çekë nuk janë të interesuar për politikën e tyre. Pjesëmarrja në votime nuk arriti as 60% duke qenë shumë më e ulët se para tre vjetësh.