1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çekia e vogël e çoi BE-në një hap të madh përpara

7 Maj 2009

Miratimi pas një ngurimi të gjatë nga Senati Çek i Marrëveshjes së reformimit të BE, të njohur si Marrëveshja e Lisbonës, komentohet sot në dy të përditshme gjermane.

https://p.dw.com/p/HlAF
Senati Çek
Senati Çek miraton Marrëveshjen e reformimit të BE, të njohur si Marrëveshja e Lisbonës.Fotografi: AP

Në gazetën FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND për këtë temë lexojmë:


"Çekia e vogël e çoi BE - në një hap të madh përpara. Nuk duhet të jesh ithtar entuziast i integrimit evropian, për t'u ndjerë i lehtësuar pas miratimit nga senati çek i Marrëveshjes së Lisbonës. Sa më shumë zgjat ankthi për të ardhmen e projektit reformues të BE, aq më e vogël bëhet aftësia për veprim e Brukselit, në një kohë kur BE nevojitet urgjentisht të reagojë si aktor në politikën ekonomike. Këtë skenar mund t'ia kursejmë Evropës, nëse irlandezët e kryejnë me shpejtësi referendumin dhe i thonë gjithashtu Po Lisbonës."

Ja edhe mendimi i analistit të gazetës LEIPZIGER VOLKSZEITUNG:

"Për fat në senatin çek fitoi pikëpamja se Marrëveshja e Lisbonës është e nevojshme për ta organizuar në mënyrë më demokratike dhe efektive bashkëjetesën e 27 shteteve. Pak para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, nga Praga vjen një sinjal pozitiv. Por ratifikimi përfundimtar mbetet një seancë pokeri, sepse presidenti skeptik ndaj BE, Klaus, si dhe kolegu i tij polak Kacinski, zvarrisin nënshkrimin e tyre dhe e bëjnë atë të varur nga vota e irlandezëve. Në Irlandë me krizën ekonomike tronditet një front refuzimi, sepse shumë vetë kujtohen papritur për vlerat e zonës mbrojtëse të Euros. Le të shpresojmë se ky qëndrim do të mbajë deri në zhvillimin e referendumit." (aud/aca/dpa)