1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çekia në krizë të thellë politike

M. Najezchleba/Eliana Xhani8 Gusht 2013

Çekia nuk po gjen rrugëdalje nga kriza politike. Qeveria e përkohshme nuk mori besimin e Parlamentit. Ekspertët paralajmërojnë për etjen e Presidentit për pushtet.

https://p.dw.com/p/19M7O
Parlamenti çek në PragëFotografi: Michal Cizek/AFP/Getty Images

Prej dy muajsh politika çeke ndodhet në një krizë të rëndë. E sikur të mos mjaftojë kjo, edhe teknika nuk pranon të punojë - pikërisht të mërkurën (7.8.2013), ditën e votimit të mocionit të besimit për kabinetin e përkoshëm të kryeministrit Jiří Rusnok. Stuhia e një nate më parë kishte paralizuar paisjet elektronike të votimit në Parlamentin në Pragë. Seanca vendimtare parlamentare mbeti në vend përpara se të fillonte. Pasuan numërime të mundimshme me laps e letër, debate të nxehta, largime, vonesa. Për 11 orë të gjata në vapën e verës.

Ndërkohë rezultati ishte i qartë që më parë: partitë djathtas qendrës politike, ish koalicioni qeveritar, kishin rënë dakord të refuzonin qeverinë tenike. Ajo përbëhet në masë të madhe nga aleatë politikë të Presidentit Miloš Zeman dhe ishte krijuar kundër vullnetit të Parlamentit. 100 nga 193 deputetët e pranishëm në fund votuan kundër Rusnok-ut.

Reklamë për qeverinë teknike

Por tre nga aleatët ishin larguar minutën e fundit. Kështu nuk u konfirmua as qeveria e përkohshme me orientim të majtë dhe nuk pati as shumicë për një vazhdim të koalicion të qendrës së djathtë. Parlamenti ndodhet para një dështimi. Ajo që filloi me një krizë qeveritare, është kthyer prej kohësh në një krizë serioze të demokracisë parlamentare.

Dhe Presidentit Zeman as që i shkon në mendje të zbusë situatën. Me zotësi ai manovron me boshllëqet në kushtetutë. Ditën e votimit megjithë problemet shëndetësore ai doli para parlamentit dhe bëri reklamë për qeverinë e tij nën drejtimin e Rusnok.

Intriga dhe korrupsion

Prej kohësh vëzhguesit paralajmërojnë se Zeman synon ta kthejë Çekinë nga një republikë parlamentare në një presidenciale. "Këtu po përjetojmë një demontim të plotë të shtetit ligjor", thotë politologia Vladmíra Dvořáková. Strategjia është "jashtëzakonisht e rrezikshme" dhe destabilizon vendin.

Tschechien Vertrauensabstimmung Petr Necas mit seiner Frau Radka Necasova Archivbild
I sh kryeministri çek Petr Nečas dhe shefja e zyrës Jana NagyováFotografi: Michal Cizek/AFP/Getty Images

Kriza filloi me një skandal fatal. Shefja e zyrës dhe e dashura e ish kryeministrit Petr Nečas kishte përfunduar në shënjestër të hetuesve. Në fillim të qershorit një kontroll i gjerë në selinë e qeverisë nxorri në dritë akuza, të denja për një thriller politik: shefja e zyrës së kryeministrit Jana Nagyová u kishte dhënë ryshfete deputetëve, kishte bashkëpunuar me lobiistë mafiozë dhe kishte urdhëruar vëzhgimin nga shërbimi sekret të bashkëshortes së atëhershme të kryeministrit. Kryeministri u detyrua të jepte dorëheqjen.

Shoqëri e përçarë

Kryetarja e dhomës së deputetëve Miroslava Němcová duhej të propozonte një kabinet të ri, të paktën sipas vullnetit të shumicës në Parlament dhe pastaj Presidenti duhej të mbështetej në këtë propozim, kështu kishte qenë procedura deri atëherë. Por Presidenti krijoi qeverinë e tij me në krye ekonomistin Rusnok. Sipas Zemanit, si president i zgjedhur direkt nga populli ai mund t'i lejonte vetes më shumë se paraardhësi i tij në detyrë.

Shoqëria çeke është përçarë thellë për shkak të veprimit të njëanshëm të Presidentit. Rezultatet e sondazheve për qeverinë e Nečas prej kohësh ishin në nivel të ulët rekord për shkak të kursit të ashpër të kursimit. Kabineti pengohej nga një skandal në tjetrin. Zgjedhjet presidenciale Zeman i fitoi jo së fundi si kundërpeshë ndaj qeverisë jopopullore.

Zeman po përqendron pushtetin në duart e tij?

Në një sondazh të institutit të anketimeve STEM/MARK për televizionin çek, rezultoi se 65 për qind e çekëve do t'i kishin dhënë votëbesimin Rusnok-ut. 34 për qind ishin kundër. Kritika kundër kabinetit të përkohshëm u shtua megjithatë pasi ministrat e Rusnok-ut morën vendime të rëndësishme personeli në ministritë e tyre dhe sipërmarrjet shtetërore, përpara se Parlamenti t'ua ndalonte mandatin.

Tschechien - Präsident Milos Zeman
Präsidenti çek Milos ZemanFotografi: Getty Images

Përpara votimit të mocionit të besimit politikanët e ndezën edhe më shumë atmosferën. Ish ministri i Jashtëm Karel Schwarzenberg në një intervistë për një gazetë austriake, e kishte krahasuar qendrimin e Zemanit ndaj kushtetutës me marrjen e pushtetit nga nacionalsocialistët në 1933.

Negociata për zgjedhje të reja

Në fjalimin e tij para parlamentit Zeman kishte njoftuar se do ta linte Rusnok-un të qeveriste edhe pa mocion besimi. Përsa kohë rasti Nagyová nuk është zbardhur plotësisht, ai nuk mund t'i japë në asnjë mënyrë mundësinë për një përpjekje të dytë për krijim qeverie, qendrës së djathtë. Sipas Zemanit një tjetër anëtar i kabinetit mund të vihet së shpejti në shënjestër të hetuesve. Sipas kushtetutës Zeman duhej të emëronte "direkt" një kryeministër të ri, por ajo nuk parashikon një afat konkret për përpjekjen e dytë.

Megjithatë ngjarjet do të rrjedhin ndoshta krejt ndryshe. Pasi shumica e qendrës së djathtë u shpërbë në minutat e fundit të trazuara, edhe forca politike e Schwarzenberg-ut, TOP 09, kërkon shpërndarjen sa më parë të parlamentit. Negociatat fillojnë që këtë të enjte. Ka shumë gjasa që në vjeshtë në Çeki të mbahen zgjedhje të reja.