1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë do ministri i Jashtëm amerikan në Afrikë?

Philipp Sandner/Esat Ahmeti2 Maj 2014

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry udhëton për në Etiopi, Angolë dhe Republikën Demokratike të Kongos. Temat e diskutimit: të drejtat e njeriut, ndihmat për krizën dhe bashkëpunimi ekonomik me kontinentin afrikan.

https://p.dw.com/p/1BsL3
John Kerry
John KerryFotografi: Saul Loeb/AFP/Getty Images

Për qeverinë e SHBA-së, ajo ishte një fyerje: disa ditë para udhëtimit të sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry në Etiopi policia arrestoi në këtë vend të Afrikës lindore gjashtë blogerë dhe tre gazetarë të pavarur. Reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte i menjëhershëm: "Ne i bëjmë thirrje qeverisë etiopiane, që rastet të shqyrtohen shpejtë dhe të lirojë të arrestuarit", tha zëdhënsi i shefit të diplomacisë amerikane. SHBA është e shqetësuar për kufizimin e shtypit dhe lirinë e shprehjes në Etiopi. "Ne i bëjmë thirrje qeverisë etiopiane që urgjentisht t'i përmbahet garancave të cilat i ofron kushtetuta e vendit". Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikojnë rregullisht shkeljet e të drejtave të njeriut në shtetin autoritar të Afrikës lindore. As kësaj radhe John Kerry nuk do të jetë në gjendje për të shmangur këtë temë.

Konflikti në Sudan
Konflikti në SudanFotografi: Samir Bol/AFP/Getty Images

Një detyrë tjetër e shefit të diplomacisë amerikane gjatë vizitës së tij në Eitopi është forcimi i marrëdhënieve me një vend që në mesin e një rajoni të krizës konsiderohet si shumë stabil. "Të dy vendet kanë një lidhje të fortë dhe historike", thotë Alex Vines, i cili drejton departamentin për Afrikë në Chatham House të Londrës. "Përveç kësaj, SHBA ka investuar shumë në Etiopi - sa i përket zhvillimit ndërkombëtar por edhe në zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe lokale."

Etiopia është një partner i rëndësishëm strategjik për SHBA në Afrikë, sidomos kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit në Kepin e Afrikës, sqaron Vines në bisedë me Deutsche Welle-n. Somalia fqinje në lindje është atdheu i milicisë islamike al-Shabaab, e cila tani paraqet pasiguri për të gjithë rajonin. Dhe vendi fqinj perëndimor Sudani i Jugut kërcënohet nga lufta civile, ende pa u mbushur tre vjet që kur vendi fitoi pavarësinë nga Sudani.

Mbështetja e paqës dhe sigurimi i ndikimit

Gjithashtu edhe kjo temë është në axhendën e diplomatit amerikan. Në udhëtimin e tij që nga Etiopia do të vazhdojë në Republikën Demokratike të Kongos dhe më vonë në Angolë, Kerry ka paralajmëruar mundësinë e një ndalese në Sudanin e Jugut. Negociatat e deritanishme ishin shumë të vështira dhe nuk janë treguar të suksesshme. Vëzhguesit mendojnë se Kerry do të provojë nisjen e një raundi të ri negociatash. SHBA kanë interes të madh për këtë, thotë Alex Vines, sepse Uashingtoni ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për mbajtjen e referendumit më të cilin sudanezët e jugut në vitin 2011 vulosën pavarësinë e shtetit të ri.

Platformë nafte në Angolë
Platformë nafte në AngolëFotografi: AFP/Getty Images

Fakti që sekretari amerikan i Shtetit personalisht bën rrugën për në Afrikë, tregon për analistin dhe gazetarin kenian Barack Muluku para së gjithash një gjë: Ndikimi i vendeve perëndimore si Shtetet e Bashkuara të Afrikës është në rënie në Afrikë. Në këtë kontinent ato tani duhet të konkurrojnë kundër fuqive në zhvillim ekonomik, të tilla si Kina dhe Brazili, thotë ai për DW: "Në të ardhmen udhëtime të tilla nga kryediplomatë perëndimor në Afrikë do të ketë edhe më shumë. Bëhet fjalë për një luftë për ndikim ekonomik në kontinent ". Sudani i Jugut dhe Angola kanë disa nga rezervat më të mëdha të naftës në kontinent. Se SHBA-të interesohen pikërisht për këto vende - për Mulukun kjo nuk është rastësi.

Lindja e Kongos fuçi baroti

Angola do të jetë stacioni i fundit i John Kerry-t, para se ai më 5 maj 2014 të jetë kthyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky vend afrikanojugor sundohet mbi 30 vjet nga presidenti José Eduardo dos Santos dhe marrëdhëniet me SHBA shpesh janë ngarkuar në të kaluarën për shkak të akuzave për korrupsion. Në Angola janë aktive kompani të mëdha amerikane të naftës - të tilla si kompania e Kalifornisë Chevron, e cila vitin e kaluar ka zgjeruar aktivitetet e saj në vend me një projekt shumë-miliardësh.

Luftime në Kongo
Luftime në KongoFotografi: Reuters

Por ndalesa në Angolë ka të bëjë kryesisht me situatën në Republikën Demokratike e Kongos. "John Kerry dëshiron të theksoj rolin e rëndësishëm të Angolës në kërkimin e zgjidhjeve për valën e konflikteve në vendin fqinjë dhe të përgëzoj presidentin për angazhimin e tij të deritanishëm", thotë Muluku. Santos është aktualisht kryetar i "Konferencës së Liqeneve të Mëdha", një union i shteteve të rajonit i cili ndër të tjera angazhohet edhe për zgjidhjen e konfliktit në lindje të Kongos. Atje rebelë të grupeve të ndryshme të milicëve a kohë që përhapin dhunë dhe kaos.