1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë do të ndodhë më tej në Francë?

8 Maj 2017

Emmanuel Macron ka pak kohë për të festuar: puna për Presidentin e zgjedhur fillon menjëherë. Ai duhet të formojë një qeveri, të gjejë një shumicë parlamentare dhe të nisë projektet e para.

https://p.dw.com/p/2ccZc
Frankreich Hollande und Macron beim Gedenken in Paris
Fotografi: Getty Images/AFP/S. De Sakutin

Këto pamje nuk janë patjetër dhuratë për Emmanuel Macronin: në krah të Presidentit që po largohet François Hollande, një ditë pas zgjedhjeve ai vë një kurorë në varrin e ushtarit të panjohur, në Arc de Triomphe. 8 maji është ditë pushimi në Francë, nderimi: detyrimi tradicional i Presidentit të Republikës, i cili i vlerëson ceremonitë. Për kundërshtarët e Macronit ky është sërish një rast për ta paraqitur si nxënës të Presidentit të papreferuar që po largohet.

Formimi i qeverisë

Më 14 maj do të bëhet ceremonia e dorëzimit të pushtetit. Francois Hollande do ta lërë prarinë e oborrit të Pallatit Elize. Emmanuel Macron hyn në të. Me të në Pallat hyn edhe gruaja e tij Brigitte, e cila do të ketë zyrën e saj, por jo rrogë. Ish-mësuesja do të interesohet para së gjithash për çështjet e arsimit.

Të hënën e ardhshme, Emmanuel Macroni do të prezantojë qeverinë e tij. Atëherë ai do të tregojë si do të qeverisë. Të gjitha varen nga personi i kryeministrit. Dihet që Macroni do të preferonte të kishte një grua në këtë post. Madje është hera e parë në historinë e Francës që një President planifikon të ketë një kabinet me 50% gra. Në Paris po zjen kuzhina e thashethemeve: a do të jetë kryeministri/kryeministrja një konservator i rangut të lartë prej "republikanëve"? Apo do të jetë dikush nga kampi i socialistëve, që u dërrmuan në zgjedhje, si p.sh. ministri popullor i Mbrojtjes Jean-Yves Driand? Apo do të jetë ndonjë Oldtimer, si ish- shefi i OBT, Pascal Lamy apo deputetja evropiane Sylvie Goulard? Deri tani të gjitha janë spekulime.

Pyetja tjetër që shtrohet është nëse ky kryeministër do t'i kalojë me sukses zgjedhjet parlamentare në qershor, sepse raportet e shumicës ende nuk mund të parashikohen. Konservatorët ëndërrojnë që të sjellin në këtë post kryetarin e tyre të ri, Francois Baroin, që ta detyrojnë për kohabitacion Macronin duke e bllokuar atë faktikisht.

Projektet e para

Një e treta e kabinetit të Presidentit të zgjedhur do të jenë ministra që nuk kanë të bëjnë me politikën, që vijnë nga ekonomia ose shkenca. Te premtimet e Macronit bën pjesë një fillim i ri, për ta çmontuar klasën e vjetër politike, siç e bëri këtë zgjedhja e tij. Përndryshe do të kemi një përzierje socialistësh, të politikanëve të qendrës dhe të konservatorëve - nga të gjitha kampet kanë kandiduar mbështetës për këto poste.

Që në zgjedhjet për në Asamblenë Nacionale, Emmanuel Macron do të vërë në jetë projektet e para: rregulla të reja për jetën politike do t'i bëjnë të pamundura skandale si pagesa e anëtarëve të familjes nga arka e shtetit. Një reformë e shpejtë arsimore do ta reduktojë madhësinë e klasave në shkollat fillore në dymbëdhjetë fëmijë, gjë që do të thotë mijëra vende të reja pune për mësues. Macroni do të reformojë edhe legjislacionin e ngurtë të punës, për të cilin debatet janë nga më të ashprat.