1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Füle: “Shqiptarëve u duhet dhënë një ide e qartë e rrugës drejt BE-së“

Arben Muka12 Nëntor 2013

Gjatë qëndrimit në Shqipëri komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, theksoi gjithëpërfshirjen, transparencën dhe fuqizimin për dialogun e nivelit të lartë Tiranë-Bruksel.

https://p.dw.com/p/1AGBl
Fotografi: dapd

Duke bërë bilancin e qëndrimit të tij dyditor në Shqipëri, Štefan Füle, komisioner i BE-së për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë të mërkurën pasdite vlerësoi dy tregues pozitivë për zhvillimet e Shqipërisë, organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe kalimin paqësor të pushtetit. Ai personalisht ishte me opinionin se vendet anëtare do të duhet të marrin në muajin e ardhshëm një vendim politik, që Füle e përshkroi shumë të rëndësishëm për Shqipërinë.

“Reagimi i Komisionit Europian për përpjekjet e Shqipërisë është një angazhim më i madh nga ana jonë. Shqiptarëve u duhet dhënë një ide e qartë e rrugës drejt BE-së dhe duhet të shohim hapa konkrete”.

Komisioneri ka gjetur rast për të përmendur prioritetet rekomanduese të Brukselit në procesin integrues të Shqipërisë. Një prej tyre, pas konsultimeve me qeverinë shqiptare, lidhet me kuadrimin e mbështetjes së Shqipërisë, strukturimin për bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj vendit që të mbajë në fokus integrimin. Tjetër prioritet, sipas komisionerit Füle, është gjithëpërfshirja, transparenca dhe fuqizimin për dialogun e nivelit të lartë Tiranë – Bruksel.

Politika e zgjerimit vazhdon të kontribuojë për paqen

Gjatë qëndrimit dyditor në Shqipëri në takimet me udhëheqësit kryesorë politikë në maxhorancë dhe opozitë, apo me grupime të studentëve dhe të shoqërisë civile, komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, ka prekur dhe çështjen e perceptimit të zgjerimit nga ana e BE-së. Sipas tij, “zgjerimi pranohet gjerësisht si politika jonë më e suksesshme. Anëtarësimet e njëpasnjëshme e kanë rritur gradualisht numrin e shteteve anëtare nga 6, që ishte në fillim, në 28. Së dyti, që prej zanafillës së tij, i është përgjigjur aspiratës legjitime të popujve të kontinentit tonë për t'u bashkuar në një përpjekje të përbashkët evropiane. Së treti, në një kohë kur Bashkimi Evropian përballet me sfida të mëdha dhe pasiguri të rëndësishme globale, politika e zgjerimit vazhdon të kontribuojë për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tone”.

Marrja e stutusit të vendit kandidat një formalitet

Analisti politik Mentor Nazarko mendon se vizita e komisionerit të BE-së për zgjerimin dhe politikat e fqinjësisë, kohëzgjatja dhe agjenda e tij e ngjeshur në Tiranë, ishin tregues se në dhjetor marrja e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë është një formalitet. Štefan Füle është duke lobuar, duke e kthyer si një sfidë personale objektivin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, ndaj dhe ai pak javë para vendimarrjes së Komisionit qëndroi vetë në Tiranë duke intensifikuar raportet mes Tiranës dhe Brukselit, thotë Nazarko për DW.

Analisti politik Mentor Nazarko
Analisti politik Mentor NazarkoFotografi: DW

“Pas shtyrrjeve të vendimit për shkaqe që tashmë dihen, këtë herë unë mendoj se Shqipëria do të kalojë. Koha deri në dhjetor do të jetë e mjaftë besoj që autoritetet në Shqipëri të vijojnë të bindin Brukselin se kanë jo vetëm objektiva të qarta, por dhe realizime konkrete në ato aspekte ku BE ka pritmëri të madhe dhe ku mbështeten skeptikët”.

Partitë politike duhet ta tregojnë me vepra se janë pro intergrimit

Por për Mentor Nazarkon marrja e statusit të vendit kandidat është vetëm një stacion në rrugën e gjatë të Shqipërisë drejt anëtarësimit me të drejta të plota në BE. Sipas tij lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një sfidë me të cilën vendi do të duhet të përballet dhe “veshët e Brukselit” do të duan të dëgjojnë rezultate konkrete.

“Të tjera detyra që duhen të kryen po me rezultate konkrete është dhe reformimi i gjyqësorit dhe rritja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Shqipëria duhet të bindë Brukselin se ekziston ndarja e pushteteve dhe institucionet duhet të jenë të konsoliduara, larg ndikimit dhe presionit të politikës. Këto dhe objektiva të tjera do të ecin nëpërmjet një frymë bashkëpunuese mes mazhorancës dhe opozitës, për të mos përsëritur ngjarje nga e shkuara e largët dhe e afërt. Forcat politike duhet të kenë debate në të gjitha nivelet, por jo të përdorin bllokimin dhe destruksionin për të penguar objektivat madhorë të vendit, një prej të cilëve është dhe integrimi europian. Nëse partitë kryesore politike e kanë të shkruar në programe se janë pro integrimit këtë duhet ta tregojnë dhe me vepra.”