1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

1 Maji në Greqi: Kriza e borxheve, demonstrata dhe incidente

2 Maj 2010

Dita Ndërkombëtare e Punës në Greqi u shënua me protesta kundër planeve të qeverisë së Papandreut dhe incidente të dhunshme. Autonomët sulmuan policinë dhe ekipet televizive.

https://p.dw.com/p/NCVC
Incidente në AthinëFotografi: AP

Në Athinë ishin lajmëruar demonstrata të njëkohshme të tri grupeve, të cilat i bashkonte vetëm protesta kundër kursit të qeverisë për kursime. Ndryshe, komunistët, nëpunësit e sindikatave dhe e majta e bashkuar nuk duan t'ia dinë shumë për njëri -tjetrin. Të shtunën këto grupe parakaluan të ndara nëpër rrugë. Më shumw pjeswmarrws kishte në demonstratën e komunistëve. Sekretarja e përgjithshme e tyre Aléka Paparíga kërkoi kryengritje kundër sistemit politik.

„Ka ardhur koha e Partisë Komuniste. Ne jemi në këtë luftë së bashku me frontin e gjerë popullor të punëtorëve dhe bujqve. Kjo luftë ka për qëllim një ndryshim të madh radikal. Prandaj ekziston shpresa që të përmirësohet gjendja e punëtorëve", tha ajo.

Rritja e sërishme e tatimeve në vlerë dhe heqja e rrogave të 13 dhe 14 në shërbimet publike, janë vetëm dy nga pikat e shumta të planit të qeverisë për kursime. Ajo do që ky plan të zbatohet sa më parë, me qëllim që të mundësohet marrja e kredive në vlerë prej miliarda eurosh.

Griechenland Proteste Finanzkrise
Zjarre në rrugëFotografi: AP

Pritjet e planit dhe kontradiktat

Programi i plotë i kursimeve duhet ë paraqitet zyrtarisht më së largu deri të dielën (2.5.). Por që tani është e qartë se Papandreu nuk do ta ketë lehtë ta bindw popullin e vet për nevojën e kursimeve. Gazeta greke „To Vima“ të shtunën ka botuar një anketë në të cilën gati 80 për qind e grekëve deklarohen kundër planit të kursimeve. Paradoksi qëndron në faktin se 84 për qind prej tyre e shohin këtë krizë si "shans të madh" për reformimin dhe modernizimin e Greqisë.

E majta radikale e Greqisë është e mendimit se këto reforma duhet të fillojnë prej më të pasurve në këtë vend. Kryetari i saj, Alexis Tsipras deklaroi gjatë demonstratave në Ahinë: „Populli grek nuk i ka borxh askujt. Krizën duhet ta paguajnë ata të cilët janë pasuruar duke e plaçkitur vendin vitet e kaluara. Ata, të cilët i kanë plaçkitur arkat e pensioneve e jo punëtorët, të papunët, rinia dhe ata që punojnë me mëditje. Ata tani po përballen me problemet e ekzistencës."

Incidentet me policinë dhe gazetarët

Në kuadër të demonstratave paqësore pati dhe të ashtuquajturit autonomë të cilët e kanë sulmuar policinë me gurë dhe i kanë vënë flakën disa veturave. Më së shumti incidente ka pasur para godinës së parlamentit. Të paktën një gazetar është lënduar dhe një veturë e televizionit është djegur. Policia ka përdorur dhunën dhe gazin lotësjellës për të shpërndarë demonstruesit. Por në përgjithësi numri i demonstruesve ishte më i vogël se sa kanë paralajmëruar organizatorët. Dhjetëra mijëra grekë shfrytëzuan fundjavën për të ikur nga vendi i trazirave dhe për të shkuar nëpër ujdhesat e afërme.

Autor: Steffen Wurzel

Redaktoi: Bahri Cani