1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovo Krieg Ende

10 Qershor 2009

Në kohën e Jugosllavisë në Kosovë ka patur përleshje mes shumicës shqiptare dhe forcave serbe të rendit. Pas shpërbërjes së federatës, ato morrën përmasat e një lufte në të cilën u inkuadrua edhe NATO.

https://p.dw.com/p/I6ts
Në të vërtetë luftën nuk e deshi askush në NATO. Shqiptar i Kosovës duke falenderuar Sekr. e Pë rgj. të NATO-s, Javier Solana në rrugët e Prishtinës, 24 qershor 1999.
Në të vërtetë luftën nuk e deshi askush në NATO. Shqiptar i Kosovës duke falenderuar Sekr. e Përgj. të NATO-s, Javier Solana në rrugët e Prishtinës, 24 qershor 1999.Fotografi: AP

Në të vërtetë luftën nuk e deshi askush në NATO. Megjithatë erdhi deri tek luftimet në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - UÇK dhe forcave serbe të sigurimit, në të cilat gjithnjë e më shumë u përfshinë edhe civilët. Qindra mijëra njerëz braktisën shtëpitë e tyre, në Rambuje të Francës dështuan të gjitha negociatat për paqen. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike NATO, Javier Solana në fund të marsit 1999 nuk pa rrugëdalje tjetër: Sulmet ajrore duhet të detyronin Sllobodan Millosheviqin të tërhiqej. Kjo recetë kishte funksionuar edhe në Bosnjë kur NATO pat bombarduar atje pozicionet serbe. Edhe pse ishte planifikuar vetëm një 'ndërhyrje e shpejtë humanitare' ajo përbënte një risi: për herë të parë Aleanca po angazhohej jashtë territorit të saj.

24 mars 1999, Beograd.
Sulmet ajrore duhet të detyronin Sllobodan Millosheviqin të tërhiqej. 24 mars 1999, Beograd.Fotografi: AP

Por qëllimi nuk u arrit me pak sulme ajrore ndaj objektivave në Jugosllavi. Milosheviqi nuk ndryshoi qëndrimin e tij, ai e shihte të rrezikuar postin si president i shtetit. Dhe kështu ai i'u betua popullit serb se do të durojë. Ai thoshte se e drejta është në anën e tij: NATO nuk ka mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për operacione ushtarake. Dhe Nato nuk mund të mbante në fuqi pohimet për 'sulme të pastra ajrore' për shkak se po vriste ndërkohë edhe civilë. Më vonë ajo provoi që t'i justifikojë këto vrasje duke i cilësuar si 'dëme kolaterale'. Protestat kundër tyre po shtoheshin në vendet anëtare të NATO-s dhe Millosheviqi priste që sulmet të përfundonin së shpejti.

Në fakt qeveritë pjesëmarrëse në Aleancë ndodheshin nën presion, po ashtu edhe në Gjermani: këtu nga një koalicion mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve kërkohej llogari për bombardimet e objektivave në Jugosllavi dhe pikërisht kjo përbënte një sprovë për ekologjistët, të cilët ndryshe njihen si pacifistë. Mbi të gjitha sulmet e dyshimta të NATO-s ishin gjithnjë e më të shpeshta: Në Beograd humbën jetën disa njerëz, si pasojë e një sulmi ndaj telvizionit shtetëror, një bombë shkatërroi gabimisht ambasadën kineze, po ashtu shpërthimet në urat e Novi Sadit nuk mund të justifikoheshin me Kosovën e largët. Megjithatë fronti kundër Millosheviqit qëndroi i bashkuar.

Qindra mijëra njerëz braktisën shtëpitë e tyre. Kosovë, 1999.
Qindra mijëra njerëz braktisën shtëpitë e tyre. Kosovë, 1999Fotografi: AP

Në këtë mënyrë ishte presidendi serb, ai që u desh të tërhiqej në fillim të qershorit 1999. Kosova u vendos nën administrim të Kombeve të Bashkuara dhe ka mbi një vit që ka shpallur pavarësinë. Megjithatë njohjet të cilat udhëheqja serbe vazhdon t'i pengojë edhe pas vdekjes së Millosheviqit, po ecin shumë ngadalë. Dikur ishin shqiptarët kosovarë ata që e ndjenin veten të kërcënuar, sot janë serbët e mbetur dhe pakicat e tjera në Kosovë. Edhe pse janë 60 nga 192 shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, sipas pikëpamjeve të Kombeve të Bashkuara ende nuk mund të flitet për një shtet të pavarur në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Një rrugë që do ta kthente Kosovën në Serbi nuk e do shumica dërmuese e kosovarëve.

Autor : Klaus Dahmann / Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama