1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250111 Holocaust Nationalsozialismus

27 Janar 2011

Nuk ka shumë dëshmitarë të kohës së nacionalsocializmit. Por ende ka pak të mbijetuar që mund ta tregojnë historinë e tyre. Tek këta pak persona hyn edhe Rolf Joseph, berlinez i lindur dhe anëtar i bashkësisë hebraike.

https://p.dw.com/p/105dZ
Të burgosur në Aushvitc pas futjes në kamp të rusëve, më 27 janar 1945.Fotografi: AP

Nuk ka shumë dëshmitarë të kohës së nacionalsocializmit. Por ende ka pak të mbijetuar që mund ta tregojnë historinë e tyre. Tek këta pak persona hyn edhe Rolf Joseph, berlinez i lindur dhe anëtar i bashkësisë hebraike. Ai lindi në vitin 1920 dhe të gjithë jetën e tij e ka kaluar në Berlin. Kjo nuk tingëllon kushedi sa interesante, por fakti që pikërisht ai ka arritur të mbijetojë në qytetin e tij të lindjes, është e veçanta e historisë së tij. Rolf Joseph e rrëfen atë herë pas herë, para së gjithash para fëmijëve dhe të rinjve. Ndryshe nuk di gjë më njeri, thotë ai.

Rolf Joseph në shtëpinë e tij

Ashtu si qëndron ulur në divan Rolf Joseph, me kostum të zi dhe një album fotografik në gjunjë, të duket si një zotëri fisnik i moshuar që të rrëfen për kohën e rinisë së tij. Rolf Joseph shfleton në dosje dhe tregon fotografi dhe copëza kujtimesh: "E shikoni, ky është ylli hebre, atë duhet ta qepnim mirë dhe ta mbanim veshur. Përherë vinin rrotull kontrollorë, dhe kur gjenin persona që thjesht e kishin fiksuar me gjilpëra me kokë yllin, ata zhdukeshin."

Auschwitz Befreiung
Pamje nga kampi i përqëndrimit Aushvitc.Fotografi: AP

Saga e Rolf Josephit

Rolf Joseph ka mbushur 90 vjeç para disa javësh. Fakti që ai ende jeton është gati si një mrekulli. Si hebre berlinez ai i ka shpëtuar disa herë arrestimit nga nazistët, transportimit në kampet e përqëndrimit dhe ekzekutimit. Rolfi është rritur në lagjen Veding, aty ka shkuar në shkollë dhe këtu si 12 vjeçar e ka ndjerë se çfarë do t'i ndodhte si hebre. "Në vitin 1933 na erdhi një mësues i ri. Ai erdhi në uniformën e SA-ve (trupave paramilitariste të partisë punëtore nacionalsocialiste gjermane - NSDAP). Pyetja e parë që bëri ishte: Ka ndonjë hebre në klasë?" Kur unë ngrita dorën, e kuptova - nga sot do të të ikë buzëqeshja. Kështu ndodhi, çdo ditë ai më thërriste para klasës dhe më qëllonte."

Rolf Joseph e rrëfen me fjalë të thjeshta historinë e tij. Si u morën prindërit në një kamion për transport mobiljesh dhe u dërguan në Teresienshtat. Ishte 6 qershori 1942 kur i pa për herë të fundit. Disa muaj më vonë vetë ai u arrestua në rrugë dhe për javë të tëra u mor në pyetje e u torturua nga Gestapoja.

"Pastaj na dërguan në Aushvitc. Ka qenë tmerr. Si na futën të gjithëve në një vagon. Gjashtë të rinj në pranga. Me 50 gra e fëmijë. Si bërtisnin dhe thërrisnin ata ishte e tmerrshme. Ishte një djalë me ne, një holandez që thoshte, ju nuk e dini ku po shkoni. Po qe se shkojmë kështu të lidhur në Aushvitc, do përfundojmë direkt në soba gazi."

65 Jahre Befreiung Auschwitz
Sot një vend përkujtimor. Hyrja në AushvitcFotografi: AP

Por Rolf Joseph kishte gjetur një darë, me të cilën mundi të këpuste prangat." "Për ne nuk kishte më rëndësi. Kemi kërcyer nga treni në lëvizje."

Ai e ka treguar shpesh historinë e tij, dhe nuk i duhet të gjejë fjalët e duhura. Me qindra herë ai e ka rrëfyer atë para fëmijëve dhe të rinjve në shkolla apo qendra kulturore, ka treguar yllin hebre dhe fotografinë e spitalit të hebrenjve, ku ndenji nën pretekstin e lisë. Dhe kur donin ta merrnin, Rolf kërceu nga dritarja e katit të dytë dhe me shtyllë kurrizore të thyer, ia mbathi. Bashkë me vëllanë gjeti mbështetje për tre vjet tek një grua e varfër që mblidhte mbeturina.

Kontribut për përcjelljen e historisë tek brezat e rinj

Rolf Joseph qëndroi në Berlin, qytetin e lindjes që e mbrojti disa herë. Ai flet theksin berlinez. Mes berlinezëve nuk më njihnin dot si hebre, thotë Rolf. Sot ai mund t'u tregojë të rinjve gjëra që ata nuk do t'i merrnin vesh kurrë.

"Për shembull atyre iu thuhet që janë vrarë gjashtë milionë hebrenj. Por kur ju them si Hitleri ka vrarë edhe njerëz të tjerë, jo vetëm hebrenj. Më shumë se gjysmë milionë sinti dhe romë kanë vrarë ata. Kanë vrarë homoseksualë, madje fëmijë gjermanë hendikapatë. Këta janë parazitë të panevojshëm, kanë thënë. Prandaj ia sqaroj të rinjve se si ka qenë Gjermania atëherë."

Në fund Rolf ka edhe diçka të rëndësishme për të thënë. "Fakti që unë i mbijetova të gjitha këto nuk është ndonjë akt heroik, pata thjesht fat."

Autor: Ursula Voßhenrich/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani