1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

3 vjet pas pavarësisë: Kosova e sheh me optimizëm të ardhmen

17 Shkurt 2011

Kosova shënon trevjetorin e shpalljes së pavarësisë. Sipas politikës kosovare shteti i ri ka shënuar përparime, por ka ende shumë sfida përpara. Zyra Civile Ndërkombëtare ende e sheh të rëndësishme praninë e saj në vend.

https://p.dw.com/p/10IN1
Kosovarët festuan para tre vitesh, 17 shkurt 2008 pavarësinëFotografi: AP

Tre vjetori i shpalljes së pavarësisë Kosovën e gjen pa institucione të reja, me një ushtrues detyre të presidentit, një qeveri në dorëheqje dhe një Kuvend të shpërbërë. E gjitha kjo si pasojë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe stërzgjatjes së tyre. Megjithatë udhëheqësit politikë kosovarë janë optimistë. Sipas tyre gjatë javës së ardhshme Kosova do t'i ketë institucionet e reja.

Kosova e pavarur: Progres dhe sfida

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës Jakup Krasniqi, në një fjalim drejtuar qytetarëve të Kosovës, thotë se gjatë këtyre tre vjetëve Kosova ka shënuar përparime në ndërtimin e shtetësinë e saj, mirëpo, akoma ka shumë sfida përpara. “Gjatë këtyre tri viteve të pavarësisë, Kosova ndërtoi sistemin demokratik, institucionet e shtetësisë, ngriti një infrastrukturë të tërë ligjore e fizike, shënoi një zhvillim solid ekonomik e shoqëror, thelloi reformat e gjithanshme dhe sanksionoi me kushtetutë barazinë e qytetarëve të saj, si pjesëtarë të një shoqërie të lirë dhe demokratike.”

Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi - ushtrues i detyrës së presidentitFotografi: DW

Tri vjet më parë kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë mbi bazën e planit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, por ajo ende vazhdon të mbikqyret nga Zyra Civile Ndërkombëtare. Zëdhënësi i saj, Andy Mc Gaffy vlerëson fakton që Kosova gjatë këtyre tri viteve ka bërë progres të konsiderueshëm. Ai mendon se vendi po i ndërton institucionet demokratike, të cilat po funksionojnë gjithnjë më efektshëm për të siguruar një Kosovë të suksesshme, të qëndrueshme, stabile dhe që i kontribuon perspektivës evropiane dhe euroatlantike të vendit.

“Grupi drejtues ndërkombëtar për Kosovën që u takua javën e shkuar në Bruksel, është i kënaqur me implementimin e pakos së Marti Ahtisarit dhe shumica e pikave të kësaj pakoje janë plotësuar, për shembull kemi parë që shumë punë është bërë në procesin e decentralizimit në krijimin e komunave të reja, është themeluar Gjykata Kushtetuese dhe janë konsoliduar mekanizat e sigurisë. Mirëpo akoma ka edhe shumë punë për t'u bërë gjatë viteve te ardhshme si për qeverinë e Kosovës ashtu edhe nga ana e ICO-s”

Pavarësia e mbikqyrur: Drejt fundit apo pa fund?

Udhëheqësit politikë kosovarë, duke u bazuar në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës kanë mendimin se pavarësia e mbikqyrur të Kosovës po shkon drejt fundit, dhe po afrohet një pavarësim i plotë. vjen fundi. Zyra Civile Ndërkombëtare nuk e ndan këtë opinion. Andy mc Gaffy thotë se natyrisht në planin afatgjatë, puna e Zyrës Civile Ndërkombëtare, gradualisht do të vijë drejt fundit. Ai përmend edhe fakton që ICO po ristrukturon veten. "Ju e dini që vetëm vitin e shkuar ne kemi reduktuar stafin me 13 përqind, këtë vit stafi poashtu do të redukohet deri në 25 përqind mirëpo nuk ka ndonjë afat të caktuar, se kur mbikqyrja e pavarësisë nga Zyra Civile Ndërkombëtare do të përfundojë.”

Kosova është njohur shtet i pavarur nga 75 vende të botës. Në korrik të vitit të shkuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës është e ligjshme, mendim ky që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi