1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

400 ekstremistë në ushtrinë gjermane

Eliana Xhani (dpa)15 Korrik 2013

Shërbimi i fshehtë i ushtrisë gjermane, MAD, ka zbuluar 400 pjesëtarë me prirje ekstremiste në Bundeswehr. Shefi i MAD thotë se janë marrë masa për shkarkimin e tyre, por kërkon edhe zgjerim të kompetencave të MAD-it.

https://p.dw.com/p/197rF
Fotografi: picture-alliance/dpa

Shërbimi ushtarak mbrojtës (MAD) ka zbuluar në 2012 rreth 400 ekstremistë në ushtrinë gjermane, Bundeswehr. Rreth 300 prej tyre i përkasin kampit të djathtë, ndërsa rreth 50 janë islamistë, tha presidenti i MAD-it, Ulrich Birkenheier të dielën (14.7.) për radion gjermane Deutschlandfunk. "Pikërëndesa është në përpjekjet në kampin e djathtë", tha shefi i MAD-it duke iu referuar aktivitetit ekstremist në ushtrinë gjermane. Orientimi ekstremist i djathtë vihet re kryesisht tek djemtë në grupmoshën 18 deri 25 vjeç. Për ta Bundeswehr-i është tërheqës pasi "atje sundon një strukturë e caktuar", thotë Birkenheier. Veç kësaj mësimi i përdorimit të armëve është "për disa shumë interesant".

Në rritje numri i ekstremistëve islamistë

Numri i ekstremistëve islamistë të zbuluar, kohët e fundit është rritur "ndjeshëm", tha Birkenheier. Në 2011 ka pasur 40 raste të tilla, në 2012 ky numër është rritur në 50. Veçanërisht bien në sy të konvertuarit që radikalizohen.

Ndaj ekstremistëve të zbuluar janë hapur procedura për t'i dëbuar nga ushtria: "Fakt është që ekstremistët nuk kanë vend në Bundeswehr", tha Birkenheier. MAD, i themeluar në 1956, ka si detyrë të mbrojë Bundeswehr-in dhe Ministrinë e Mbrojtjes nga "veprimtari që rrezikojnë sigurinë apo nga veprimtari të fshehta", pra sabotazh apo spiunazh. Shërbimi me qendër në Köln, sipas presidentit të këtij autoriteti Birkenheier, bëhet aktiv vetëm kur ushtari, nëpunësi apo zyrtari i dyshuar, hyn në Bundeswehr.

"Duhen zgjeruar kompetencat e MAD-it"

Presidenti i MAD-it, Ulrich Birkenheier
Presidenti i MAD-it, Ulrich BirkenheierFotografi: dapd

Por informacionet e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për të përfunduar me sukses procedurën e shkarkimit. "Ne nuk mund të shkarkojmë direkt të gjithë ata që vëzhgohen pasi kanë prirje të caktuara." Orientimi ekstremist duhet vërtetuar fillimisht në proces gjyqësor. Meqenëse MAD mund të veprojë vetëm nëse ushtari, nëpunësi apo zyrtari i prekur është i punësuar një Bundeswehr, Birkenheier synon një zgjerim të kompetencave të shërbimit sekret të ushtrisë që në periudhën e aplikimit. "Rruga më e sigurt do të ishte natyrisht një zgjerim me ligj i kompetencave të MAD-it", tha Birkenheier. Aktualisht Ministria e Mbrojtjes po shqyrton një propozim përkatës për ndryshimin e ligjit.

Sipas Birkenheier, puna e MAD-it nuk është influencuar nga diskutimi aktual për përgjimet. "Sa i takon pjesëtarëve të Bundeswehr-it, ne punojmë në mënyrë rreptësisht të kufizuar në rastet e veçanta dhe persona të veçantë." Megjithatë hetohet edhe në internet, për të parë "nëse ushtarët apo pjesëtarët civilë të Bundeswehr-it shprehen në rrjet në drejtime të caktuara, që mund ta na jepnin shkas ne për hetime më të hollësishme."

"Sensibilitet në luftën kundër ekstremizmit"

Politikani i gjelbër për çështje të sigurisë Omid Nouripour foli të dielën (14.7.) për një përgjegjësi të madhe të Bundeswehr-it për t'i mbajtur ekstremistët larg mësimit të përdorimit të armëve. Kjo bëhet fare e qartë me trajtimin e MAD-it të anëtarëve të celulës ekstremiste të djathtë, NSU. "Për këtë është e rëndësishme që Bundeswehr të ketë një sensibilitet në rritje për luftën kundër ekstremizmit", deklaroi Nouripour. MAD-i ishte kritikuar ashpër pasi nuk e kishte informuar komisionin hetimor për NSU-në se që në mes të viteve '90 kishte hapur një dosje për terroristin e mëvonshëm të NSU-së, Uwe Mundlos.