1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

4451 kandidatë për parlamentin gjerman

Nina Werkhäuser / Angjelina Verbica22 Shtator 2013

Në zgjedhjet parlamentare me 22 shtator konkuruan 4451 kandidatë. Shumë më tepër se në zgjedhjet e kaluara. Kjo ka të bëjë kryesisht me partitë.

https://p.dw.com/p/19a6L
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për zgjedhjet parlamentare të 22 shtatorit përveç partive të mëdha si CDU dhe CSU, SPD, apo të Gjelbrit konkurronin dhe 29 parti të tjera të vogla. Nëntë prej tyre për herë të parë. Ndër ta "Partia e mosvotuesve" dhe partia kritike ndaj Evropës "Alternativa për Gjermaninë". Fleta e votimit do të jetë aq e gjatë.

Numri i madh i partive çon në një numër jashtëzakonisht të lartë kandidatësh. Gjithsej 4451 kandidatë duan të zënë vend në njërën nga karriget e parlamentit. Që do të thotë 900 kandidatë më shumë se sa në zgjedhjet parlamentare para katër vjetësh. "Ky zhvillim sipas mendimit tim nuk konfirmon tezën e përgjithshme, që qytetaret dhe qytetarët janë të mërzitur nga politika", komenton zhvillimet drejtuesi i zgjedhjeve parlamentare Roderich Egeler.

Pamje nga salla plenare e Bundestagut gjerman
Pamje nga salla plenare e Bundestagut gjermanFotografi: picture-alliance/dpa

Ndër detyrat e drejtuesit të zgjedhjeve parlamentare është të përgatisë zgjedhjet dhe të kujdeset për respektimin e ligjeve. Egeler ka një pasqyrë mbi të gjitha të dhënat dhe faktet lidhur me zgjedhjet parlamentare. Nga goja e tij zgjedhësit mësojnë në mbrëmjen e 22 shtatorit, se sa vota ka marrë cila parti. Deri tani është e qartë vetëm se: parlamenti i ri do të ketë së paku 598 deputetë.

Vetëm një e katërta janë gra

Edhe pse Gjermania prej tetë vjetësh udhëhiqet nga një grua, kancelarja Angela Merkel, në parlament burrat vazhdojnë të përbëjnë shumicën. Që në parlamentin e ardhshëm nuk do të jetë shumë ndryshe, e tregojnë të dhënat e drejtuesit të zgjedhjeve federale. Sipas tyre një e katërta e të gjithë kandidatëve janë femra. Që prej zgjedhjeve të vitit 2009 numri i tyre nuk është rritur, por ka pësuar një rënie të lehtë.

Përsa i përket pjesëmarrjes së grave, ka dallime të mëdha ndërmjet partive, që janë të përfaqësuara në parlament. Të Gjelbrit në opozitë kanë pjesëmarrjen më të madhe të grave me afro 44%, më të ultën partia liberale FDP, anëtare e koalicionit qeverisës, me 20%. Në krye qëndron një parti, e cila nuk është e përfaqësuar në parlament dhe ka pak shanse që të arrijë të hyjë. "Partia feministe e grave" ka një pjesëmarrje të grave prej 100%.

Në foto, Roderich Egeler
Në foto, Roderich EgelerFotografi: picture-alliance/dpa

Nga 18 deri 90

Kush do, që të zgjidhet në Bundestag, duhet të jetë së paku 18 vjeç, aq sa kandidatja më e re, që konkurron në Bavari. Më i moshuari i të gjithë kandidatëve është 90 vjeçar dhe ai do të punojë edhe katër vjet të tjera në parlament. Mosha mesatare e kandidatëve është rreth 47 vjeç. Shumica e 4451 kandidatëve punon sipas të dhënave në sektorin e shërbimeve, në sipërmarrje, administratë dhe shkolla. Vetëm një pjesë se vogël punojnë në profesione teknike, apo në bujqësi.

Se sa kandidatë kanë një sfond migracioni, pra kanë rrënjët në një vend tjetër, Egeler nuk është në gjendje ta thotë. Kandidatët duhet të jenë nënshtetas gjermanë, të dhëna më të hollësishme për origjinën e tyre nuk jepen.

Rritet numri i atyre, që nuk votojnë

Dhe në fund drejtuesi i zgjedhjeve federale ka një lutje drejtuar gati 62 zgjedhësve në Gjermani: "Jepeni votën tuaj, shkoni për të votuar." Në zgjedhjet parlamentare të 2009 gati 30 përqind e personave me të drejtë vote nuk votuan, pjesëmarrja në votime ishte më e ulëta në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.