1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Azilantët shkojnë në Berlin

Oliver Soos / Aida Cama7 Tetor 2012

600 kilometra marshim në këmbë kanë bërë nga Würzburgu në Berlin, azilantët që demostrojnë kundër kushteve të qëndrimit që u ofrohen deri sa të merret vendimi për azilin. Oliver Soos i shoqëroi kur u futën në kryeqytet.

https://p.dw.com/p/16Ll7
Dita e refugjatëve
Dita e refugjatëveFotografi: Axel Schmidt/dapd

Pas gati një muaji arrijnë aty ku donin të shkonin, në Berlin. Nga grupi i vogël i refugjatëve që u nis me 20 vetë nga Wurzburgu, është bërë një rresht i gjatë proteste me 200 vetë. Shumë refugjatë shkuan në Pocdam dhe iu bashkangjitën aktivistëve. Por në hyrje të qytetit i presin jo mirë. Një duzinë ekstremistësh të djathtë të partisë Nacionalsocialiste, kanë zënë postet në anë të rrugës, prej nga flasin nga një automjet me altoparlantë. Por ata rrethohen nga policia dhe zëri që lëshojnë mbytet prej demonstruesve.

"Ne jemi sot këtu për të përkrahur refugjatët në çështjet e tyre, sepse mendojmë se nuk është e drejtë që Partia nacionalsocialiste të mbysë zërin e refugjatëve."

"Unë jam këtu për të ndihmuar refugjatët që të forcohen, sepse ata nuk janë viktima që mund të vendosen aty këtu, por janë njerëz me të drejta dhe që duhet të ngrenë zërin. Prandaj jam këtu."

Protestmarsch für Flüchtlinge und Asylbewerber von Würzburg nach Berlin
Marshim i azilkërkuesve nga Würzburgu në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Stacioni i fundit i rrugës së refugjatëve është një çadër fushore e vendosur në sheshin Oranienplatz, në lagjen Kreuberg. Në çadër do të akomodohen 200 vetë. Këtu pritet të vijnë azilkërkues të tjerë nga gjithë Gjermania thotë Hatif Soltani, një refugjat nga Irani.

"Të gjithë thonë se kemi ardhur me duar të zbrazura, por ne nuk largohemi më duar të zbrazura. Ne do të qëndrojmë këtu deri sa kërkesat tona të plotësohen.“

Soltani, student nga Teherani ka demostruar kundër regjimit të Ahmadinexhadit dhe është futur në burg, ku e kanë torturuar. Në Gjermani ai u gëzua fillimisht, që ishte në siguri. Por e vendosën të strehohet në Shtëpinë e Azilkërkuesve në Würzburg në kushte jonjerëzore, thotë Soltani. Një iranian atje vrau veten sepse nuk duronte dot më. Refugjatët kërkojnë eliminimin e vendgrumbullimeve, heqjen e detyrimit për qëndrim rezidencial, i cili i lidh të qëndrojnë në një vend, ata duan të integrohen në shoqëri, thotë Salomon Wandchoucou nga Benini (Afrika Perëndimore).

"Shikoni si na trajtojnë, në kampe, izolim dhe ndalim të drejte pune. Ata shkatërrojnë jetën e njerëzve të arsyeshëm. Ne refugjatët themi: Mjaft më, ka ardhur koha të veprojmë!“

Protestmarsch für Flüchtlinge und Asylbewerber von Würzburg nach Berlin
marshim i azilkërkuesve nga Würzburgu në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

39 vjeçari tregon se në Benin ka qenë pjesë e opozitës dhe është qëlluar në një demostratë. Në Gjermani i kanë hequr me një operacion dy plumba nga krahu. Por tani ai jeton sërish në frikë. Vendimi për azilin është shtyrë dhjetë vjet rresht, thotë Wandchoucou.

Marshi i refugjatëve ka tërhequr shumë vëmendje gjatë rrugës nëpër Bavari, Tyringen, Saksoni, Anhalt, Brandenburg, Berlin. Refugjatët duan ta kthejnë kampin në sheshin Oranienplatz në Berlin në një qendër komunikimi. Leja është marrë nga qyteti i Berlinit për disa javë. Të shtunën më 13 tetor pritet të organizohet një demonstratë para parlamentit gjerman.