1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

65. Jahrestag Kriegsende

9 Maj 2010

Një ditë me rëndësi historike për botën - Me kapitullimin e Vehrmaht-it gjerman përfundoi 65 vjet më parë Lufta e Dytë Botërore.

https://p.dw.com/p/NJr7
'Tank për paqen" në përkujtim të përfundimit të Luftës së II Botërore
'Tank për paqen" në përkujtim të përfundimit të Luftës së II BotëroreFotografi: AP

8 maji është dita në të cilën mori fund një nga katastrofat më të mëdha të njerëzimit. Me kapitullimin e Gjermanisë përfundoi Lufta e Dytë Botërore, e cila shkaktoi 55 milionë të vrarë. Pjesë të tëra të kontinentit u bënë shkrumb e hi. Por armët heshtën.

Qytetet gjermane ishin shkatërruar në pjesën më të madhe, miliona njerëz u larguan nga shtëpitë prej dëbimeve dhe ikjeve. Mijëra vetë, ndër të cilët shumë baballarë kishin mbetur robër lufte. Forcat aleate e ndanë Gjermaninë në zona influence. Gjermania u mposht ushtarakisht, politikisht dhe moralisht.

Porta e Brandenburgut, prill 1945
Porta e Brandenburgut, prill 1945Fotografi: picture-alliance/ ZB

Bashkimi Sovjetik ishte vendi që derdhi më shumë gjak ndër kundërshtarët e Hitlerit. 27 milionë qytetarë të Bashkimit Sovjetik humbën jetën në luftën kundër nacional-socializmit.

Ishte Ushtria e Kuqe që mundi Vehrmaht-in në frontin e Lindjes dhe u dha fund vrasjeve në kampin e përqëndrimit në Aushvic. Por fitorja e Bashkimit Sovjetik betonoi dhe zgjeroi pushtetin e Stalinit, prej të cilit vuajtën në vitet që pasuan vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore.

Më 25 prill 1945, amerikanët dhe rusët u takuan në Torgau, në brigjet e lumit Elbë. Më 2 maj Berlini i rrethuar kapitulloi. Dy ditë me parë Hitleri kishte bërë vetëvrasje në bunkerin e tij.

Në kuartierin e gjeneralit amerikan Eisenhower, në qytetin francez Reims, koloneli Jodl dhe admirali von Friedeburg nënshkruan dokumentin e kapitullimit pa kushte. Komanda e Vehrmaht-it gjerman u detyrua t'i ndërpriste të gjitha luftimet dhe i dorëzoi Shtabit të Përgjithshëm të forcave aleate të gjitha forcat ushtarake gjermane tokësore, ajrore dhe ujore.

Gjeneral-marshalli Wilhelm Keitel duke nënshkruar kapitullimin e Gjermanisë në Berlin- Karlshorst, 8. maj 1945
Gjeneral-marshalli Wilhelm Keitel nënshkruan kapitullimin e Gjermanisë në Berlin- Karlshorst, 8. maj 1945Fotografi: picture-alliance/akg


Me dëshirën e Stalinit, kapitullimi u përsërit në kuartierin kryesor të forcave sovjetike në Berlin-Karlshorst në natën e 8 duke gdhirë 9 maji. Fundit të fashizmit iu vu kështu vula. Shumë gjermanë e shihnin kapitullimin si katastrofë. Vetëm me demokratizimin dhe themelimin e Republikës Federale u zhvillua një vetëdije e re historike. Shprehje e këtij këndvështrimi të ri historik ishte fjalimi i Presidentit Richard von Weizsäcker më 8 maj të vitit 1985, i cili e quajti çlirim përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Autor: Daniel Scheschkewitz/Aida Cama
Redaktor: Pandeli Pani