1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

9 nëntori është një datë e ngarkuar me ngjarje historike në Gjermani

9 Nëntor 2007

9 nëntori 1938 shënon progromin famëkeq kundër hebrenjve. Ndërsa 9 nëntori 1989 shënon fillimin e bashkimit paqësor të Gjermanisë së pasluftës.

https://p.dw.com/p/C5io
Përkujtim i viktimave në një pjesë të murit të Berlinit me rastin e 9 nëntoritFotografi: AP

Duke hedhur vështrimin prapa në histori "Märkische Allgemeine" vë në dukje rëndësinë e 9 nëntorit 1989 për Gjermaninë:

"Më 9 nëntor 1918 Filip Shajdeman nga një dritare e Rahjstaut në Berlin shpalli Republikën Gjermane. Dy orë më vonë Karl Libkneht nga ballkoni i kështjellës së qytetit "Berliner Schloss" e shpalli Gjermaninë republikë të lirë socialiste. 20 vjet më vonë, më 9 nëntor 1938, shpërtheu terrori i dirigjuar kundër shtetasve hebrenj dhe pronës hebreje. Këto duhen rikujtuar që 9 nëntori 1989 të kuptohet si një ditë fatlume për Gjermaninë. Ribashkimi erdhi si një dhuratë për gjermanët. Ata nuk duhet t'a rrezikojnë atë duke shpenzuar pa pushim energji për të gjetur dallimet ideale dhe materiale që ende i ndajnë. Ata duhet t'i besojnë impulsit të tyre të parë, gëzimit që ndien kur u rrëzua muri."

"Nürnberger Nachrichten" rikujton fillimin e zhdukjes së hebrenjve në Gjermaninë naziste:

"Në kujtesën historike ka mbetur si pikë kthese 9 nëntori 1938, dita kur nazistët lanë t'iu binte maska dhe i treguan gjithë botës se Gjermania ishte rikthyer në rrugën e barbarisë. Si reagim ndaj vrasjes së një diplomati gjerman nga një hebre në Paris, kreu i nazistëve organizoi zemërimin popullor. Atë natë u shnderuan njerëz të pafajshëm, u kryen vrasje, u dogjën sinagoga, turma u pasurua me pronën e huaj. Pa heqjen më parë të të drejtave të hebrenjve përmes ligjeve të Nyrenbergut nata e pogromit nuk do të kishte qenë e mundur. 9 nëntori 1938 u kthye në fillimin e përgjakshëm të "Zgjidhjes finale të hebraizmit", shkatërrimi sistematik i hebrenjve në pjesë të tëra të Europës."

Dhe së fundi mbi këtë temë shfletojmë të përditshem nga Heidelberg-u "Rhein-Neckar-Zeitung":

"Ajo çfarë shumica prej nesh kemi përjetuar pra fillimin e rënies së rregjimit të ish-RDGJ-së përpara 18 vjetësh duhet të na paralajmërojë ndaj arkivimit të kësaj ngjarje si histori. Kjo histori ende nuk ka mbaruar. Akoma nuk janë konsoliduar ato që i përkasin njëra-tjetrës. Madje as nën drejtimin e kancelares së parë që është rritur në ish-RDGJ. Prandaj rënia e murit nuk ka nevojë për një monument, të paktën ende jo. Ajo që nevojitet është një politikë më aktive."

Ndërrojmë temë. Në faqet e gazetave trajtohet sot edhe situata në Gjeorgji.

"Berliner Zeitung" shkruan:

"Përkundër pritjeve shumë të larta Gjeorgjia pas revolucionit të trëndafilave për fat të keq nuk u bë një fanar i demokracisë. Ajo që filloi si një lëvizje e gjerë popullore përfundoi në këmbimin e thjeshtë të klaneve të familjeve sunduese. Ajo çfarë është vërtet e rëndësishme kryhet jashtë instancave demokratike dhe shpesh në kundërshtim me atë që deklarohet zyrtarisht dhe me rregullat që duhet të vlejnë për të gjithë. Shumë pak të zhvilluar janë mekanizmat formalë dhe insitucionet e respektuara për zgjidhjen paqësore të konflikteve. Për këtë arsye Sakashvilit shumë shpejt i munguan mjetet dhe nxorri në rrugë policinë. Kështu ai mund t'i mbysë protestat por problemet e shkaktuara në masë të madhe vetë nuk mund t'i zgjidhë."

"Stuttgarter Nachrichten" i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos lërë pas dore zhvillimet në Gjeorgji:

"Sigurisht Gjeorgjia është një vend i vogël me më pak se pesë milionë banorë por kjo nuk është arsye që bota të jetë indiferente ndaj ngjarjeve atje. Gjeorgjia është një shtet me rëndësi strategjike në rolin e amortizatorit mes Turqisë anëtares së Nato-s, dhe Rusisë. Veç kësaj Gjeorgjia është një vend i rëndësishëm tranziti për livirimet e naftës. BE dhe Nato kanë arsye të tregohen të shqetësuar përballë ngjarjeve në Tbilisi. Ato madje duhet të jenë më shumë se të shqetësuara."

Dhe së fundit shkëpusim nga komenti në "Kölner Stadt-Anzeiger":

"Rrallëherë ka ndodhur që një kryetar shteti i zgjedhur me shumicë votash të shpërbëhet kaq shpejt. Vërtet ka të ngjarë që shërbimet sekrete ruse të përpiqen në mënyrë aktive të rrëzojnë presidentin e urryer në Moskë. Por pas protestave masive të qytetarëve në Tbilisi Sakashvili duhej të pyeste veten se çfarë ka bërë gabim. Dhe gabimet janë të shumta: heqje e të drejtave demokratike, luftim i gjykatësve të pavarur e deri tek mosmbajtja e premtimit për t'a bërë Gjeorgjinë një demokraci parlamentare. Në vend që të pranojë gabimet presidenti i Gjeorgjisë urdhëron përdorimin gazit lotsjellës dhe shkopave të gomës."