1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të bëhet BE i parëndësishëm?

10 Mars 2012

Ministrat e jashtëm të BE, në takimin e tyre joformal në Kopenhagen, ranë çuditërisht shpejt dakord. Tema diskutimi ishin edhe strategjitë për Sirinë dhe Iranin.

https://p.dw.com/p/14IZz
Ashton në Kopenhagen
Ashton në KopenhagenFotografi: picture-alliance/dpa

Kursimi i parave me anë të ambasadave të përbashkëta evropiane në botën e jashtme si dhe shfrytëzimi më i mirë i Shërbimit Evropian të Politikës së Jashtme (EAD). Kjo ishte tema kryesore që kishte shënuar në ftesën e takimit joformal të ministrave të jashtëm e Ngarkuara për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton - duke bërë që disa të tundnin kokën me habi. Ashtoni u përball të premten që në fillim me pyetjen e një gazetari se si mund të merreshin me një çështje kaq të parëndësishme përballë dhunës në Siri. Por britanikja u tregua e paimpresionuar. BE ka "arritur një pikëpamje krejtësisht të unifikuar për Sirinë" dhe përpiqet që t'i shtyjë përpara përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës.

Kombëtarja kundër evropianes

Catherine Ashton dhe Herman Van Rompuy
Catherine Ashton dhe Herman Van Rompuy duan forcimin e BE-sëFotografi: AP

Por me sa duket janë grumbulluar pakënaqësi. Ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe e kritikoi indirekt në një letër Ashtonin. "Ne duhet të përmirësojmë punën e Shërbimit Evropian të Politikës së Jashtme (EAD) dhe mënyrën se si vepron ai në mënyrë të unifikuar me përpjekjet diplomatike të shteteve të veçanta," shkruhet në letër. Ashtonin e akuzojnë që kur ka marrë postin si e ngarkuar me politikën e jashtme se i mungon inisiativa. Më shumë durim me EAD kërkon nga ana tjetër ministri polak për Evropën, Mikolaj Dowgielewicz. "Mos harroni, EAD është ende një bebe e vogël. Ai pra ka ende nevojë të rritet, të bëhet më i dukshëm dhe më i fortë." Ministri i Jashtëm i Hollandës, Erkki Tuomioja beson se fajin nuk e mban Ashtoni, as EAD, por shtetet anëtare. Gatishmëria e tyre për bashkëpunim ka rënë, mendon ai. "Ata e përdorin BE vetëm kur u përshtatet. Përndryshe ata vazhdojnë premisën e tyre nacionale", tha Tuomioja.

Një president evropian?

Guido Westerwelle
Guido WesterwelleFotografi: dapd

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle u tregua i kënaqur me punën e Ashtonit. Ai megjithatë është gjithashtu i shqetësuar për rinacionalizimin e politikës evropiane dhe sheh rigjallërimin e paragjykimeve të vjetra. Evropa mund të ketë sukses në botë vetëm po të zhvillohet më tej, paralajmëron ai. Për të forcuar përbashkësitë, Westerwelle kërkoi për shembull një president evropian të zgjedhur nga populli dhe një kushtetutë evropiane. Rezervat, këto janë projekte të shtrira në të ardhmen e largët, tha ai në formë qetësimi. "Ne duhet ta nisim tani diskutimin, po të duam të bëjmë për vete 500 milionë vetë në këtë rrugë, do të na duhen disa vjet."

Shpresa për ndryshim të qendrimit rus

Për temën e Sirisë, Westerwelle tha se "procesi i shpërbërjes së Assadit ka nisur". Ai e kundërshton një ndërhyrje ushtarake. "Ne duhet të pengojmë që flakët të përfshijnë gjithë rajonin" tha ai. Për rolin e Rusisë në KS, e cila e ka penguar disa herë një rezolutë kritike për Sirinë, Westerwelleja shprehu shpresën "se në Rusi, pas zgjedhjeve vështrimi të jetë qartësuar disi." Homologu i tij luksemburgas, Jean Asselborn e quajti "fatale", nëse Rusia dhe Kina do ta pengojnë më tej një rezolutë kritike për Sirinë.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani