1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të jap dorëheqjen Olmert në prag të 60 vjetorit të themelimit të shtetit izraelit?

Engelbrecht, Sebastian, Tel Aviv (BR) 6 Maj 2008

Të enjten (8.5.) sipas kalendarit hebraik Izraeli feston themelimin e shtetit të tij para 60 vitesh. Ndërkohë vendi mund të përfshihet nga një krizë e rëndë e brendshme politike

https://p.dw.com/p/DuiX
Kryeministri izraelit, Ehud Olmert
Kryeministri izraelit, Ehud OlmertFotografi: AP

Vetëm bllokimi i publikimit të lajmit nga ana e policisë po e mbron kryeministrin izraelit Ehud Olmert. Që prej se është marrë në pyetje të premten i tërë Izraeli spekullon për dorëheqjene tij. Kryeprokurori i përgjithshëm Mazuz nuk ka ngritur ende aktakuzë kundër Olmerit por autoritetet po hetojnë, kanë marrë në pyetje ish-shefen e kabinetit Shula Zaken dhe disa persona të tjerë në Bat Yam, një qytet në afërsi të Tel Avivit. Sido që të jetë pyetja mbetet: Për çfarë akuzohet tani Olmert i cili në të kaluarën ka qenë i përfshirë në disa afera korrupcioni?. Disa media izraelite janë ankuar pranë gjykatës së qarkut në Tel Aviv për mbajtjen në fshehtësi të procedurës. Ata kërkuan që policia të shfuqizoj ndalim-publikimin e të dhënave të deritanishme. Megjithatë gjykata ka vendosur të kundërtën. Ndalimi mbetet në fuqi deri ditën e dielë. Për të mos ndikuar në hetime, thuhet zyrtarisht.

Në partinë qeveritare Kadima, ku bën pjesë edhe edhe Olmerti po debatohet sërish për dorëheqjen e tij. Ministri për migracion Ja'acov Edri, një shok partie i Olmertit tha për radion izraelite se:


"Duke marrur parasysh rrethanat e veçanta, urgjencën, marrjen shumë të shpejtë në pyetje dhe të gjitha thashethemet në vend, do të ishte e mirë dhe e drejtë sikur prokuroria e përgjithshme dhe ekipa e saj në të cilën ne kemi besim të plotë që së bashku me nënpunësit me përvojë dhe policinë t'i jap fund sa më shpejtë që të jetë e mundur kësaj teme, për të shpërndarë retë e grumbulluara mbi shtetin e Izraelit në këtë apo një drejtim tjetër".


Më i qartë sesa ministri Edri është Ze'ev Elkin. Ai është anëtar i grupimit parlamentar Kadima në parlamentin izraelit.


"Mendoj se ky kryeministër po shpie Kadimën një drejtim të pamundur pothuajse do të thoja në drejtim të partisë Meretz - liberalëve majtistë. Andaj ka kohë që e them se Kadima ka nevojë për një udhëheqës të ri i cili nuk do të kishte asnjë lidhje me hetimet e tanishme. Në mënyrë që Kadima të mbetet ajo që është - një parti e qendrës. Për këtë edhe është themeluar".


Të tjerë anëtar të Kadimës shprehen edhe më ashpër kundër kryeministrit por nuk duan të zbulohen. 'Ne nuk do ta lejojmë Olmertin të qëndroj në postin e tij dhe të shkatërroj partinë tonë', tha një zyrtar i lartë iKadimës. Olmert duhet të zëvendësohet në këtë post. Të futesh në fushatë zgjedhore me Olmertin do të thotë vetvrasje, shprehen disa anëtar të partisë.


Ndërkohë që shokët e partisë dhe mediat distancohen gjithnjë e më shumë prej Olmertit dëgjohen edhe zëra se Izraeli duhet të qëndroj unik. Sot (7.5) vendi përkujton ushtarët e rënë ndërsa nesër (8.5) izraelitët festojnë 60 vjetorin e themelimit të shtetit të Izraelit.


Ndoshta kryeministri Olmert do t'ia arrij që të pres në postin e tij ditën e pavarësisë. Por javën e ardhshme kur presidenti amerikan Xhorxh Bush do të qëndroj për vizitë në Izrael është e mundur që ekzistenca politike e Olmertit të ketë përfunduar.