A do ta drejtojë edhe më tej Zapatero Spanjën?
7 Mars 2008Ulje taksash, ngritje pensionesh, kandidatët kryesorë Hoze Luis Rodriguez Zapatero dhe Mariano Rajoy i kanë thënë të gjitha. Tani rradhën e kanë zgjedhësit të cilën kanë një alternativë të vërtetë. Ose të vendosin sërisht për kursin reformator të socialistëve në pushtet ose të ndjekin ofertën e opozitës konservatore dhe kryetarit të saj Mariano Rajoy:
"Nëse ke dyshime për të ardhmen tënde atëherë ndrysho. Në kthesën e fundit, në garën e fundit Partia Popullore do të fitojë."
Por sondazhet flasin me tjetër gjuhë. Sipas tyre, socialistët kanë një avantazh prej 4 për qind ndaj konservatorëve. Megjithatë kryeministri Zapatero, i cili triumfoi në dy debatet televizive e di se puna nuk ka mbaruar me kaq:
"Të fitosh debatet nuk do të thotë të fitosh edhe zgjedhjet. Debatet fitohet me argumente, zgjedhjet me argumente dhe vota."
Për këto të fundit në fushatën e shkurtër, por të ashpër u bë një luftë e hidhur. Partia Popullore nuk la asnjë rast pa shfrytëzuar për të sulmuar kryeministrin Zapatero dhe për t'a akuzuar si gënjeshtar:
"Ju është dashur të gënjeni spanjollët për ato çfarë keni bërë. Ju është dashur të përçani opinionin publik për të shtypur protestat."
Ky është bilanci që i bën kryeministrit kryetari i opozitës Rajoy. Krahas negociatave të dështuara për paqe me organizatën terroriste bask,e ETA Partia Popullore shfrytëzon gjëndjen e dobët ekonomike të kohëve të fundit për të theksuar dështimin e politikave ekonomike të Zapateros.
"Kush nuk ia ka dalë mbanë të kujdeset për nevojat e spanjollëve në periudhat e rritjes ekonomike, nuk do të ketë sukses as në një fazë pasigurie dhe krize."
Qeveria spanjolle vërtet nuk mund të mohojë shifrat e dobëta nga ekonomia, por ajo mbrohet ndaj tezave të opozitës, të cilat i quan pesimiste dhe të prapambetura. Ato do t'a kthenin vendin shumë vite prapa, thotë Zapatero.
"Partia Popullore pëlqen të djeshmen. Kohët në të cilat njerëzve u duhej të ishin servilë, të mbanin kokën ulur dhe të thonin "Po" për gjithçka. Por kjo është e shkuara."
Zapatero sheh në rradhë të parë të rrezikuara reformat e tij në politikën sociale si p.sh. ligjin për barazinë dhe atë për divorcin por edhe liberalizimin e kërkimeve me qelizat embrionale. Në këto dy tema Kisha Katolike bën hapur fushatë për Partinë Popullore. Opozita ka arritur të fitojë pikë të paktën në sondazhe edhe me propozimet e saj tejet populiste për politikën e migracionit të cilën dëshëron t'a bëjë shumë më restriktive. Megjithëse alternativat janë të qarta, një rol të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve do të luajë pjesëmarrja në zgjedhje: tradicionalisht socialistët spanjollë kanë më shumë vështirësi se kundërshtarët e tyre të bëjnë të votojnë përkrahësit e tyre. Përballë fitores së para shpallur kjo do të jetë edhe më e komplikuar.