1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A duhet të armatoset NATO-ja?

Klaus Jansen/Auron Dodi7 Maj 2014

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen kërkon armatosje përballë krizës në Ukrainë. Por shumë evropianë nuk munden ose nuk duan ta ndjekin. Ekspertët i konsiderojnë shpenzimet ushtarake në rritje pa vend.

https://p.dw.com/p/1Buk7
avion
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Pas asaj që përjetuam në Ukrainë, në të ardhmen pa dyshim që do të marrë rëndësi më të madhe mbrojtja territoriale". Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen i tha në një intervistë gazetës "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung" se aneksimi i Krimesë nga Rusia ishte një pikë kthese në politikën e sigurisë, e krahasueshme me rënien e Murit të Berlinit ose me atentatet e 11 shtatorit 2001. "Ndaj kësaj ne duhet të reagojmë", tha Rasmusseni dhe përgjigjja e tij është: armatosje. "Ne nuk mund të vazhdojmë si deri tani."

Shumë shtete evropiane, pas fundit të Luftës së Ftohtë i pakësuan shpenzimet e tyre të armatimit. Gjermania, për shembull, në vitin 1990 shpenzoi 2,8 përqind të produktit të brendshëm bruto për mbrojtje, tani janë 1,3 përqind. NATO-ja rekomandon 2,0 përqind, këtë direktivë nuk e plotëson thuajse asnjë shtet anëtar. Rusia nga ana e saj i ka rritur shpenzimet ushtarake dhe investon sërish shumë në pajisjet e saj ushtarake, të cilat konsiderohen të vjetëruara. Deri në vitin 2020 Rusia ka në plan të investojë 600 miliardë euro në armë të reja, llogarit Alexander S. Neu, politikan i majtë në Komisionin e Mbrojtjes së Bundestagut.

Rusia si simbol i armikut të vjetër dhe të ri

Por eksperti i mbrojtjes dyshon nëse Rusia është në gjendje që ta përballojë këto shumë. Rrezikun nga Rusia për Evropën ai e konsideron gjithsesi krejtësisht të hiperbolizuar. "Asnjë shtet i vetëm i NATO-s nuk rrezikohet në ndonjë formë", thotë Neu në intervistë me DW. "Kjo është një histeri e sforcuar, e cila synon të përdoret për ta bërë NATO-n sërish atraktive në publik". Aleancës Mbrojtëse thjesht i kishte humbur armiku i vjetër, tani këtë vend duhet ta zërë sërish Rusia, shprehet Neu.

As nga qeveria gjermane nuk merr mbështetje Anders Fogh Rasmusseni me kërkesën e tij për t'u armatosur. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen tha para pak kohësh në televizionin gjerman se prioriteti në Evropë për momentin është zgjerimi i stabilitetit ekonomik, i cili sapo u rifitua. Eksperti gjerman i sigurisë, Christian Mölling e sheh këtë ngjashëm edhe për shtete të tjera si Spanja, Italia ose edhe Franca: "Këto vende luftojnë kundër një armiku krejt tjetër: ato kanë probleme me sistemet e tyre sociale dhe fiskale."

Epërsi megjithë pikat e dobëta

Sa e fortë është me të vërtetë NATO-ja, këtë e llogarit eksperti i sigurisë Mölling. "Vetëm evropianët në NATO janë në numër shumë më të mëdhenj se rusët", thotë eksperti i Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin në bisedë me DW. Kjo vlen si për numrin e ushtarëve, ashtu edhe për madhësinë e flotave të blinduara ose të njësive të tjera ushtarake. "Edhe nga ana cilësore, NATO-ja duhet të jetë shumë më lart se Rusia". Prandaj nuk ka vend për t''u shqetësuar.

NATO-ja ka vërtet pika të caktuara të dobëta, thotë Mölling, por ato ajo nuk i ka që prej krizës së Krimesë. Aleanca mbrojtëse duhet të investojë shuma të caktuara në zbulimin me avionë pa pilotë dhe me satelitë dhe në logjistikë, për shembull në avionë të mëdhenj transporti.

Christian Mölling i sheh deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen si një larje verbale hesapesh pak para fundit të periudhës së tij në post. Në vjeshtë do të zgjidhet një Sekretar i ri i Përgjithshëm.