1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të presë Turqia ndihmë nga NATO-ja?

Christoph Hasselbach/ Auron Dodi5 Tetor 2012

Sulmi sirian kundër anëtarit të NATO-s, Turqi po preokupon të gjithë Naton, edhe nëse nuk pritet të aktivizohet kaq shpejt rasti i mbrojtjes kolektive. Çfarë parashikon Karta e Natos për detyrimet e aleancës?

https://p.dw.com/p/16Kut
Ushtarët turq në pozicioneFotografi: Bulent Kilic/AFP/GettyImages

NATO-ja e përkufizon veten si aleancë mbrojtëse, tek e cila një sulm kundër një anëtari, kuptohet si sulm kundër të gjithëve. Në këtë rast partnerët janë të detyruar të mbrohen së bashku. Ky rast, i cili quhet rasti i aleancës është formuluar në Nenin V të Kartës së Nato-s. Në të thuhet: "Palët bien dakord, që në rast të një sulmi, secila prej tyre mbështesin palën ose palët, që sulmohen." Partnerët thjesht edhe mund të konsultohen për gjendjen, përcaktohet në Nenin IV të Kartës: "Palët do të konsultohen me njëra-tjetrën, kur sipas pikëpamjes së njërës prej tyre është kërcënuar paprekshmëria e territorit, pavarësia politike ose siguria e njërit nga partnerët." 

NATO Pressekonferenz Syrien Rasmussen
Rasmussen, Konferencë shtypiFotografi: Reuters

Deri tani ka pasur vetëm një rast të mbrojtjes kolektive

Turqia i mblodhi të mërkurën (03.10.1912) partnerët në bazë të Nenit 4, sepse ndihet e kërcënuar në sigurinë e saj. Është hera e tretë në historinë e NATO-s që zhvillohen konsultime mbi bazën e nenit 4. Në të tria rastet u bë fjalë për Turqinë: në qershor të këtij viti, kur mbrojtja kundërajrore siriane rrëzoi një avion luftarak turk dhe në vitin 2003 për shkak të luftës së Irakut. Ndërsa rasti i mbrojtjes kolektive është përdorur vetëm njëherë, pas sulmeve terroriste kundër SHBA, më 11 shtator 2001. Angazhimi i Nato-s në Afganistan është në këtë mënyrë një pasojë e shpalljes së këtij rasti të mbrojtjes kolektive, sipas Nenit V.

Natoja mbetet e rezervuar

Por që të aktivizohet edhe këtë herë  rasti i mbrojtjes kolektive, kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë. Pas konsultimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Anders Fogh Rasmussen vërtet që e quajti "akt krejt të papranueshëm atë që ka ndodhur".  Në deklaratën me shkrim pas konsultimeve flitet për "një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare" dhe një "rrezik të qartë për sigurinë e njërit nga anëtarët e Aleancës sonë". Por NATO-ja nuk kërcënoi me dhunë ushtarake dhe as Turqia nuk kërkoi ndihmë ushtarake. Sipas Rasmusenit, Neni V nuk luajti rol në konsultime. Në deklaratën pas konsultimeve shkruhet vetëm: "Në frymën e pandashmërisë së lirisë dhe në atë të solidaritetit Aleanca e mbështet edhe më tej Turqinë dhe kërkon një fund të mënjëhershëm të veprimeve të tilla agresive përballë partnerit të Aleancës." Me sa duket, partnerët e NATO-s përpiqen që të mos e përshkallëzojnë më tej gjendjen dhe kjo prej interesit vetjak: askush në vendet e NATO-s nuk do t'i dërgonte me mendjelehtësi ushtarët e vet në një luftë të re. Angazhimi i gjatë dhe me shumë humbje në Afganistan, rrjedhojë e rastit të vetëm deri tani të mbrojtjes kolektive, i ka bërë veçanërisht të kujdesshme qeveritë. 

Anders Fogh Rasmussen, Recep Tayyip Erdogan
Anders Fogh Rasmussendhe Recep Tayyip ErdoganFotografi: AP

Roli i KS të OKB-së

Por edhe Neni V përmban elemente shtensionuese dhe parashikon një rol të rëndësishëm për Kombet e Bashkuara. Për shembull, në rast se NATO-ja aktivizon rastin e mbrojtjes kolektive ajo duhet të informojë për të gjitha masat e marra KS të OKB-së. Dhe "masat duhet të ndërpriten, sapo KS ka ndërmarrë ato hapa të rëndësishëm, të cilët janë të nevojshëm për të rivendosur paqen ndërkombëtare dhe sigurinë ndërkombëtare dhe për ta ruajtur atë." Kjo presupozon natyrisht një rol aktiv të KS të OKB-së në një konflikt. Por pikërisht konflikti i Sirisë e tregon se sa shpesh bllokohet ky këshill përmes pozicioneve të ndryshme.