1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shesheli destabilizues për rajonin?

6 Mars 2012

Shesheli ka kërkuar nga gjykatat e Hagës që pa paraqitjen e provave nga mbrojtja të konstatojë që fajësia nuk është provuar. A mund të destabilizojë lirimi i mundshëm i tij skenën politike serbe dhe të rajonit

https://p.dw.com/p/14FoJ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ekipi i mbrojtësve ligjorë të udhëheqësit radikal Vojislav Sheshel mendon se vendimi i Tribunalit të Hagës do të jetë lirimi. Në qoftë se kjo ndodh Shesheli do të kthehet në Beograd për disa ditë, apo disa javë. Kthimi nuk përjashton angazhimin e tij politik. E paqartë është megjithatë se në çfarë mënyre përfshirja e mundshme politike e Sheshelit mund të pështjellonte raportet në rajon. duke patur parasysh se radikalizime ka patur edhe në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Bogoljub Milosavljeviq, punonjës në Qendrën për veprimin kundër luftës, thotë se, në qoftë se Tribunali i Hagës do të marrë vendim që Shesheli të kthehet në Serbi si një qytetar i lirë, kthimi i tij do të bëjë jehonë jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon. Megjithatë shfaqja e tij mendon Milosavljeviq nuk mund të prishë marrëdhëniet politike të Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. “Politika, që ka mbrojtur Shesheli, është pjesë e së kaluarës së këtij rajoni. Ajo është politika e trazirave. Ajo, që është tani e rëndësishme në rajon është procesi i pajtimit dhe përparimit”, thotë Milosavljeviq.

BE - Jo faleminderit. Nga fushata e Sheshelit kundër BE-së
BE - Jo faleminderit. Nga fushata e Sheshelit kundër BE-sëFotografi: DW

Kthimi eventual i Sheshelit nuk do të duhej të kishte ndikim në marrëdhëniet rajonale, përderisa ai nuk do të ishte në gjendje të ndikonte mbi qeverinë e Serbisë, apo të bëjë pjesë në të, mendon Neven Cvetiqanin nga Instituti i shkencave sociale. “Derisa ai të jetë ndoshta udhëheqës i opozitës, pa marrë parasysh qëndrimin e tij kritik dhe populist, ai në këtë rast do të vepronte si shenjë komunikacioni në politikë. Ai do të ishte si paralajmërues për rrëshqitjet e mundshme në rrugën politike, apo marrëdhëniet në rajon."

Shesheli dhe marrëdhëniet në rajon

Rasti “Sheshel" nuk ndiqet aspak në Kroaci. Megjithatë, kur Tribunali të japë gjykimin, lëvizjet e Sheshelit sigurisht që do të tërheqin vëmendjen e publikut, thotë gazetarja e gazetës Jutranji List nga Zagrebi, Snjezhana Paviq. “Sikur të lirohet, e sikur të shpallet i pafajshëm për krimet për të cilat akuzohet, kjo patjetër do të rrisë tensionet në Kroaci. Nuk besoj, megjithatë, që kthimi i Sheshelit në skenën politike do të mund të trondisë marrëdhëniet në rajon. Sidomos, duke patur parasysh të gjitha ato, që kanë ndodhur pas rastit Purda, apo edhe gjykimet për aksionin Oluja.”

Ajo që nuk përjashtohet është fakti, që çfarëdolloj aktivizimi i Sheshelit mund të shkaktonte atmosferën e marrëdhënieve të tendosura në rajon. Cvetiqanin kujton se pyetja ende ekzsiton se sa real është kthimi i tij. “Edhe në qoftë se largohet, kthimi i tij do të ndikojë më shumë në skenën e brendshme politike. Ai do të veprojë si bombë e hedhur në gropë septike. Në marrëdhëniet rajonale mund të veprojnë vetëm në mënyrë të tërthortë dhe për kohë të shkurtër. Këto marrëdhënie varen vetëm prej atyre, që bëjnë politikën shtetërore."

Snjezhana Paviq përjashton mundësinë, që Shesheli mund të kthehet në skenën politike të Serbisë, dhe të krijojë tensione përreth. Për këtë, thotë ajo, ai duhet të bëhet lider i një partie të madhe dhe të fortë. Por siç thotë gazetarja kroate, nuk jemi në vitet 90-të.

Ithtarë të Sheshelit në Serbi
Ithtarë të Sheshelit në SerbiFotografi: AP

“Shesheli mund të lëkundë marrëdhëniet në rajon, vetëm në qoftë se bëhet kryeministër i Serbisë. Mendoj se asnjëri serioz nuk mund ta imagjinojë një gjë të tillë. Të gjithë ato politikanë, që kanë qenë aktivë në vitet nëntëdhjetë kanë ndryshuar radikalisht retorikën e tyre nga fillimi i viteve 90-të deri sot. Mënyra se si politikanët kanë fituar dikur vota në Kroaci, apo Serbi, është sot i paimagjinueshëm. E djathta radikale, për fat sot nuk udhëheq politikën shtetërore në Kroaci, as në Serbi."

Nuk ka vend për politikën e Sheshelit

Edhe në qoftë se Shesheli, rastësisht, do të hynte sërish në politikën që ka përfaqësuar në vitet 90-të, kjo do të ishte jetëshkurtër dhe pa ndonjë sukses të madh, thotë Bogoljub Milosavljeviq. “Kanë kaluar mjaft vite prej që nga lufta. Mendoj se në rajon kanë mësuar prej saj, si politikanët, ashtu edhe qytetarët e zakonshëm, kështu që askush nuk dëshiron që të bëjë përsëri të njëjtat probleme, që i kemi lënë pas."

Atmosfera e radikalizmit, nacionalizmit dhe marrëdhënieve vazhdimisht të tensionuara nuk do t'i shërbejnë as Serbisë, as Kroacisë dhe as Bosnjë-Hercegovinës. Ballkani Perëndimor duhet të shohë përpara, mendon Cvetiqanin. Në një orientim të tillë politik nuk ka vend për politikën e Sheshelit, e cila gjithsesi do të ishte e destinuar të dështojë. Për të rajoni nuk ka nevojë. Nën syrin vigjilent të BE-së është krijuar një rregull i ri, e ky është që në marrëdhëniet rajonale të mos ndikojnë populistët nga çfarëdo vend apo çfarëdo mjedisi. Politika vendoset në relacionin Bruksel – Uashington – Moskë, dhe jo në selitë e ideologjieve të dështuara, përfundoi Cvetiqanin.

Në seancën e tribunalit të Hagës duhet të vendoset në se Shesheli do të dënohet, apo do të lirohet.

Pamje simbolike - Nuk ka vend për politikën e Sheshelit
Pamje simbolike - Nuk ka vend për politikën e SheshelitFotografi: picture-alliance/dpa

Autor: Tanja Mishçeviq / Angjelina Verbica
Redaktoi: Esat Ahmeti