1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Griechenlandkrise

3 Dhjetor 2011

Pyetja që shtron shumëkush këtë kohë është nëse Greqia do të gjejë rrugën për daljen nga kriza. Ekspertët dhe politikanët në Berlin thonë "Po", por me ndihmë nga jashtë, përpjekje të vetë grekëve dhe më shumë kohë.

https://p.dw.com/p/13Ldn
Pamje nga Athina me Akropolisin.
Fotografi: dapd

Rruga e Greqisë për daljen nga kriza do të kalojë në një fazë të dhimbshme përshtatjeje, që do të zgjasë një dhjetëvjeçar. Gjatë kësaj kohe do të ulen pagat, papunësia do të rritet. Ky vlerësim i Ansgar Belke nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike, u nda edhe nga pjesëmarrës të tjerë të një konference të Shoqatës së Evropës Juglindore në Berlin.

Veçanërisht e dhimbshme për njerëzit në Greqi është faza e parë e procesit të konsolidimit, e cila ka filluar, dhe ku duhen reduktuar borxhet e buxhetit. Në periudhë afatshkurtër masat janë vetëm të karakterit fiskal: rritje e tatimeve dhe taksave, shkurtim i shpenzimeve shtetërore për investime, pensioneve dhe pagave të punonjësve shtetërorë. Vetëm pagat e këtyre të fundit në 18 muajt e fundit janë reduktuar me deri 40 për qind.

Këto instrumente fiskale mund të përdoren megjithatë vetëm në periudhë afatshkurtër, pasi me kohë ato i marrin ekonomisë fuqinë blerëse. Nëse kjo, si në rastin e Greqisë, nuk shoqërohet me rritje të eksporteve, atëherë rezultati është mbyllje firmash dhe shkurtime vendesh pune. Që tani vendi është zhytur në një recesion të thellë. Papunësia është mbi 18 për qind, ndërkohë që ekonomia mund të bjerë me 7 për qind këtë vit.

Çfarë duhet bërë?

Normalisht një shtet në këtë situatë do të vinte në punë makinën për shtypjen e parave dhe do të hidhte në qarkullim para të reja, thotë profesori i ekonomisë Andreas Freytag nga Universiteti i Jenas, ekspert për çështje të investimeve. Kështu firmat mund furnizohen me kredi dhe vetë shteti është në gjendje të nxisë rritjen e ekonomisë me programe strukturore dhe ndihma në investime për sipërmarrjet private.

Prof. Andreas Freytag nga Universiteti i Jenas.
Prof. Andreas Freytag nga Universiteti i JenasFotografi: DW

Por Greqia këtë nuk mund ta bëjë pasi ajo bën pjesë në një unionin monetar: Eurozonë. Kjo do të thotë edhe që ajo nuk mund të marrë masa për të nënçmuar monedhën e saj, për të bërë kështu më të lira produktet dhe shërbimet e saj.

Çështjet e konsolidimit të buxhetit grek janë specialitet i Jens Bastian, anëtar i Task Force për Greqinë, të ngritur nga Komisioni Evropian. Ky grup pune ka si detyrë të bëjë më efektive punën e ministrive greke. Bastian thotë se Greqia ka bërë përparime të mëdha në përpjekjen për arritjen e një buxheti të balancuar.

Dr. Jens Bastian, anëtar i Task Force të Komisionit Evropian për Greqinë.
Dr. Jens Bastian, anëtar i Task Force të Komisionit Evropian për Greqinë.Fotografi: privat

Por pasojë e këtyre përpjekjeve është edhe që nuk ka para në dispozicion për investime publike. Veç kësaj bankat greke nuk japin më thuajse fare kredi për bizneset, ndërkohë që investuesit privatë janë të rezervuar në investimet e tyre në Greqi. Atyre nuk u pëlqen klima e investimeve në Greqi: pasiguria ligjore është e madhe, ka shumë korrupsion, moral të dobët për shlyerjen e detyrimeve nga shteti grek.

Për të eliminuar këto mangësi, janë të rëndësishme programet e nisura të reformave. Por përse duhet të ketë sukses diçka që deri tani ka dështuar? Jo vetëm Greqia, por edhe shtete të tjera të Eurozonës kanë vështirësi të mëdha të gjejnë kreditorë, thotë Andreas Freytag në një konferencë të fondacionit Konrad Adenauer. "Meqenëse tani të gjitha këto shtete ndodhen nën të njëjtën trysni, qeveritë përkatëse kombëtare do ta kenë më të lehtë të zbatojnë reformat, kundër qendresës së grupeve të interesit, duke iu referuar vendeve të tjera."

Autor: Panagiotis Kouparanis / E. Xhani
Redaktoi: Aida Cama