1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

211011 China EU

21 Tetor 2011

Përfaqësues të shteteve në krizë po vizitojnë pa ndërprerje Pekinin dhe u kërkojnë ndihmë kinezëve. Edhe Pekini sinjalizon herë pas here gatishmëri për ndihmë.

https://p.dw.com/p/12wUH
Fotografi: picture-alliance / dpa

Që prej shpërthimit të krizës së borxheve në Evropë dhe në SHBA pikërëndesat politike të pushtetit janë zhvendosur edhe më fort në dobi të Kinës dhe të vendeve të tjera në ekspansion ekonomik. Në takimin e G-20-ës ministrat e financave të Kinës, Brazilit dhe Indisë shpallën që përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar të mbështesin vendet me borxhe. Për evropianët kjo është një situatë, me të cilën i duhen ende të mësohen:

Botë e ndryshuar

Eberhard Sandschneider i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP).
Eberhard Sandschneider i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP).Fotografi: DGAP/dapd

"Vijnë tri vende në ekspansion ekonomik, të cilat para 20, apo 30 vjetësh as do të kishin guxuar të ëndërronin, që mund ta merrnin fjalën në një rreth të tillë dhe fillojnë ta shtyjnë para vetes një institucion të tillë si Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kjo në një kohë, kur evropianët besonin së bashku me amerikanët, se e kishin nën kontroll të fortë Fondin Monetar Ndërkombëtar."

Kështu u shpreh Eberhard Sandschneider i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP). Edhe nëse Evropa aktualisht përkëdhelet, këto vende në ekspansion ekonomik po punojnë sipas "Financial Times" për një paketë shpëtimi për shtetet e kërcënuara nga falimentimi. Sepse ato besojnë se Evropa nuk do të jetë më në gjendje që ta nxjerrë veten nga këneta e borxheve. Ajo që favorizohet është një kredi e dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, e cila synon ta mbrojë Evropën nga përhapja e dëmit. Kjo kredi ofron më shumë siguri se sa kuponat e borxhit të shteteve të euros dhe prandaj ajo është për Kinën dhe vende të tjera në zhvillim më tërheqëse.

Pekini tregohet i përmbajtur me ndihmën e tij

Prof. Huang Zemin nga East China Normal University.
Profesor Huang Zemin nga East China Normal University.Fotografi: Huang Zemin

Sepse, megjithë theksimin e përsëritur të gatishmërisë për ndihmë, deri tani Pekini është treguar i përmbajtur përsa i përket blerjes së kredive të shteteve të tronditura nga kriza. Në Fondin e Shpëtimit të Euros, EFSF kinezët deri tani kanë investuar vetëm 300 milionë euro. Vërtet që ky vend aziatik rri kapardisur mbi një mal devizash prej 3,2 bilionë dollarësh. Por përdorimin e këtyre parave, siguria ka përparësi ndaj fitimit, thotë Huang Zemin, ekspert i financave në East China Normal University. Veç kësaj, Kina sipas tij nuk është fare në gjendje që ta ndihmojë Evropën: "Kapaciteti i ekonomisë kineze është vërtet gjigand. Por sapo e sheh këtë të shpërndarë në numrin e popullatës, puna duket ndryshe. Kina vazhdon të jetë në tërësi një vend i varfër. Të ardhurat për frymë janë më pak se 5.000 dollarë në vit. Në Evropë këto të ardhura janë dhjetë herë më të larta. Prandaj është jorealiste që të besosh se Kina mund ta ndihmojë Evropën."

Problemin bazë të Evropës, Huang e sheh në faktin: "Që të ardhurat dhe shpenzimet nuk janë në harmoni. Ata shpenzojnë shumë më tepër para, se sa fitojnë."

Autor: Zhang Danhong/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica