1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A shpreson Bullgaria Grexit-in?

Alexander Andreev12 Korrik 2015

Shumë grekë blejnë kaherë mallra më të lira në Bullgari. Po si do të ndikonte dalja eventuale e Greqisë nga Eurozona dhe a do të përfitonte Bullgaria? Mendimet janë të ndara.

https://p.dw.com/p/1FxGU
Kufiri greko-bullgar
Kufiri greko-bullgarFotografi: BGNES

"Ne shpesh blejmë gjëra në Bullgari", shpjegon Demetra Apostolaki, nga qyteti grek Xanthi. Atje shumë gjëra janë përgjysmë më të lira se në Greqi. Së fundi në Bullgari ka edhe medikamente, të cilat nuk gjenden në Greqi, njofton gazeta "24 Ćasa". Edhe Ministria e Jashtme bullgare u ka sugjeruar madje atyre që udhëtojnë në Greqi që të marrin me vete medikamente dhe karburante, sepse në vendin fqinj nuk ka mjaft.

Kriza në Greqi ka lënë pasoja të shumta edhe për raportet ekonomike me Bullgarinë. Mediat bullgare kanë njoftuar javët e fundit për ardhje të shpeshta të grekëve në Bullgari për pazare dhe furnizim me mallra. Por edhe për furnizim me karburante. Ushqimet dhe karburantet në Bullgari janë pjesërisht deri në 30 % më të lira se në vendin fqinj.

Operacionet estetike dhe trajtimet mjekësore më të lira

Jo
Fotografi: Reuters/Y. Behrakis

Mes këtyre dy vendeve ka raporte intensive ekonomike. Në dhjetë vitet e fundit kanë investuar sipërmarrjet greke rreth 3,5 miliardë euro në Bullgari, që do të thotë se Greqia është në vendin e tretë për nga sasia e investimeve të huaja në Bullgari. Rreth 200.000 punëtorët bullgarë sezonal që shkojnë çdo vit në Greqi i sjellin vendit të tyre rreth 50 - 60 milionë euro. Ndërkohë që 40-50 % të eksportit bullgar të energjisë shkon në Greqi. Në Bullgari janë të regjistruara 14.400 firma greke. Edhe vizitat e ndërsjella të turistëve nga këto vende janë shumë të shpeshta.

Eksperti bullgar i turizmit Rumen Draganov konstaton se shumica e 1,1 milionë turistëve grekë që dalin jashtë vendit, vijnë pikërisht në Bullgari. Këto vizita i shfrytëzojnë për rregullimin e dhëmbëve apo për operacione estetike. "Çmimet janë dy deri në tri herë më të ulëta se në Greqi. E njëjta vlenë edhe për sektorin e automjeteve", thotë Draganov në bisedë me Deutsche Wellen. Shumë sipërmarrës grekë nga zona kufitare vozisin makina me targa bullgare. Shkaku: kështu kursejnë 75% të tatimeve dhe kostove. Këshilltari për çështje ekonomike, Vladimir Popov, thotë se shumë grekë kanë paraqitur makinat e tyre në firmat e themeluara në Bullgari. Por ky nuk është shkaku i vetëm pse sipërmarrësit grekë janë aktiv në Bullgari: në këtë vend ka një tatim të përgjithshëm prej 10%.

Cilat do të ishin pasojat e "Grexit", për Bullgarinë?

Zëvendëskryeministri bullgar Tomislav Dontschev thotë madje se "Grexit" do të kishte pasoja pozitive për Bullgarinë - për shkak të kushteve fiskale dhe klimës stabile të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. Kjo do të rezultonte madje me zhvendosjen edhe më të madhe të sipërmarrjeve greke në Bullgari. Bullgarët mund të përfitojnë nga kjo.

Dhrahmia
Euro apo Dhrahmia?Fotografi: picture-alliance/dpa/F. Gambarini

A mund të ndodhë pra që Grexit të rezultojë me largimin e financave në Bullgari dhe kështu të zvoglohen edhe më shumë të hyrat fiskale në Greqi? Jo, mendon eksperti Martin Vladimirov. Analiza të tilla nuk ka. Ndaj është shumë e mundur që të ndodhë procesi i kundërt dhe që kapitali të zhvendoset nga Bullgaria në Greqi.

Drejtuesi i "Kaufland-Bulgarien", Dimitar Spassov, thotë se nuk ka vërejtur ardhjen e shtuar të sipërmarrësve grekë në zonën kufitare. Ndërsa turizmi është ndaluar gati. Gazeta Wall Street Journal bi përshkruan mirë problemet e pushimores bullgare Sandanski: Më parë në javë kanë ardhur nga Greqia 150 autobusë në ditë, ndërsa tani dy apo tre. Por në një punë të gjitha janë të një mendimi: pasojat negative të krizës në Greqi janë shumë më të larta se ato pozitive.