1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A to të mbijetojë ekonomia spanjolle pa ndihma?

1 Qershor 2012

Në Kampionatin Evropian të futbollit Spanja është favoriti kryesor, ndërsa në ekonomi po lufton për të mbijetuar. Shumë shpejt mund të ndodhë që qeveria në Madrid të kërkojë ndihma për të mbijetuar.

https://p.dw.com/p/156Go
Kriza në Spanjë godet Euron
Kriza në Spanjë godet EuronFotografi: picture-alliance/dpa

Në shikim të parë, duket se është një shenjë e mirë. Komisioni i BE-së e ka lëvduar të mërkurën (30.05.2012) Spanjën për kursin e reformave dhe kursimeve. Me shpjegimin se "Spanja po i redukton të dhënat e tepruara për të konsoliduar buxhetin në dy vitet e ardhshme", komisioneri Olli Rehn ka bërë të ditur se këtij vendi mund t'i jepet edhe një vit shtesë për konsolidimin e buxhetit. Pra është e mundur që qeveria e atjeshme të ketë kohë deri në vitin 2014 dhe jo deri në vitin 2013 që të përballet me deficitin.

Por në BE po shtohen dyshimet nëse Spanja është në gjendje të përballet me borxhet pa ndihma nga jashtë. Vendi ka probleme masive me bankat, që janë futur në kredi problematike në vlerë prej miliarda eurosh. Në bankën e katërt më të madhe "Bankia" është dashur të investohen 23 miliardë euro shpëtimin e saj. Prej nga kanë ardhur këto para ende nuk dihet.

Rreziqet për Eurozonën

Duke u nisur nga gjendja aktuale, Komisioni i BE është i vetëdijshëm se gjendja është serioze. Problemet e një vendi si Spanja mund të lëkundin tërë Eurozonën. Nëse Spanja duhet të futet nën obrellën e shpëtimeve është e mundur që të cënohet vet obmrella mendojnë ekspertët.

Për Spanjën ka ardhur momenti i fundit, mendon Daniel Gross, drejtor i "Centre for European Policy Studies" (CEPS) në Bruksel. Ai pohon se sistemi bankar spanjoll nuk është në gjendje të financohet vet dhe se qeveria është ajo që tani duhet të paguaj interesat e bankave, gjë që në shtigje afatgjata nuk është e mundur. Por Evropa nuk duhet të fus Spanjën nën obrellën e shpëtimit, sepse nuk është në gjendje të përballet me këtë, paralajmëron Gross. Duhet gjetur një rrugë për shtimin e kapitalit të bankave por pa e thyer qafën edhe vet shteti.

Kontrolli dhe krenaria nacionale

Financimi duhet të vijë nga një vend në Evropë. Në radhë të parë nga një burim i modifikuar për ndihma, sepse obrella për shpëtimin është krijuar vetëm për mbështetjen e vendeve dhe jo edhe të bankave. "Ombrella e shpëtimit duhet të ndihmojë bankat spanjolle dhe të marr ato nën kontroll", pohon Gross. Ky është një propozim i cili po trajtohet edhe në Komisionin e BE-së. Por një kontroll i tillë bankash bie në kolizion me krenarinë kombëtare spanjolle, sepse ata nuk duan të pajtohen që të kontrollohen nga BE-ja, beson Gross.

Ndërkohë agjencia e klasifikimit Fitch ka ulur notat për tetë rajone të ndryshme në Spanjë, ndër to është edhe Madridi. Ky vendim nuk ka befasuar ekspertët, sepse pavarësia e rajoneve në Spanjë, që është gati e njëjtë me landet në Gjermani, ka cënuar vazhdimisht përpjekjet e qeverisë spanjolle për kursime. Ndaj ato duhet të marrin edhe përgjegjësi më shumë. Nëse qeveria i mbetet besnike qëndrimeve të saj, atëherë rajoneve relativisht të pasura si Katalonia duhet t'u thotë: ne nuk do t'ju shpëtojmë. Këtë duhet të bëni vetë dhe kjo do të silltë një disiplinë më të madhe buxhetore", pohon Gross.

Shitja e mirëqenies?

Ndërkohë po shtohet presioni edhe ndaj qeverisë në Madrid. Tregjet financiare nuk mund të shikojnë edhe më gjatë se si në Spanjë rritet deficiti buxhetor në tetë apo nëntë për qind të prodhimit bruto. Alternativë tjetër ndaj kursit të kursimeve nuk ka. Por shkurtimet mund të realizohen me shumë vështirësi, gjë që e kanë dëshmuar edhe demonstratat e fillimit të marsit. Sindikatat e kanë akuzuar qeverinë konservatore të kryeministrit Mariano Rajoy për "shitjen e mirëqenies" në emër të programeve të kursimeve.

Qeveritë tjera po përpiqen të mbështesin qeverinë spanjolle. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar më shumë mirëbesim ndaj kursit të kursimeve në Spanjë me qëllim zbatimin e reformave dhe stabilizimin e bankave. Por mbetet kontestuese nëse populli spanjoll do t'u besojë këtyre parullave.

Autor: Ralf Bosen/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi