1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150710 Digitalisierung Buchmarkt

16 Korrik 2010

Thuajse asnjë zhvillim tjetër në degën e librit nuk është diskutuar me kaq zjarr sa bëhet sot për librin elektronik edhe pse shifrat e shitjeve të tij vazhdojnë të jenë mjaft të ulëta. Po pse atëherë gjithë kjo zhurmë?

https://p.dw.com/p/ON84
Pamje simbolike: libri i shtypur dhe ai elektronik.
I shtypur apo elektronik? - EBook kthen pëmbys sektorin e librit.Fotografi: DW/picture-alliance/dpa/AP

Për disa libri elektronik është qartë superior ndaj atij të shtypur: nuk dëmton ambjentin pasi kursen letër. Dhe tejet praktik: në fund të fundit e gjithë biblioteka private mund të merret me vete në një paisje vetëm disa gramë të rëndë. Por për të tjerë, libri elektronik është diçka e ftohtë, mungon ndjenja e prekjes, shënimet me laps, era e letrës, përthyerja e cepave të faqeve.

Elisabeth Ruge është një botuese e regjur me krizat. Në vitet '90 ajo ngriti thuajse nga hiçi shtëpinë botuese "Berlin Verlag" dhe sot i gëzohet deri në 200 publikimeve të reja në vit. Por edhe pse shtëpia e saj botuese është tashmë e konsoliduar, ajo nuk e sheh pa shqetësim të ardhmen fare:

Botuesja Elisabeth Ruge nga Berlin Verlag.
Botuesja Elisabeth Ruge nga Berlin Verlag.Fotografi: Berlin Verlag

"Mendoj se na presin kohë shumë të vështira, duhet të kemi të gjithë shumë ide, duhet të jemi të përgatitur për të rejat, dhe atë çka është për ne e rëndësishme në përmbajtje në botën e publikimeve, të arrijmë ta harmonizojmë me të renë."

Vështrimi drejt së ardhmes nuk është vetëm për Elisabeth Ruge si një përgatitje përpara një stuhie të madhe. Botues, tregtarë të librit, njohës të sektorit, të gjithë janë të një mendjeje: libri elektronik do të kthejë vërtet përmbys të gjithë sektorin e librit. Përballë shifrave të shitjes, tani për tani reagimi është i përmbajtur:

"Në Gjermani kuota me 1% e librit elektronik në treg është mjaft e ulët, dhe kjo ka kryesisht dy arsye: së pari, oferta me "bestseller" nuk është ende aq e madhe sa duhet, që të ishte vërtet tërheqëse për një numër të madh lexuesish. Së dyti, ne nuk kishim paisje të përshtatshme leximi, pra lexues për libra elektronikë. Edhe këto aparatura do të vijnë, prej disa javësh kemi iPad dhe nga laboratorët e zhvillimit të ofruesve të mëdhenj mësojmë se gjatë këtij viti do të vijnë edhe shumë paisje të tjera, me cilësi të ngjashme."

iPad nga Apple.
iPad nga Apple.Fotografi: DPA

Kështu thotë Roland Schild, administrator i Librekas, një lloj dyqani në internet për libra elektronikë i shoqatës të sektorit gjerman të librit. Rreth 25.000 tituj librash elekronikë numëron Libreka. Për krahasim: në tregun gjerman të librit ofrohen 1,2 milionë libra të shtypur. Ky krahasim tregon qartë kontrastin e fortë mes tendencës mediale dhe realitetit në sektorin e botimit. Këtu shtohet dhe konfuzioni i madh kur është fjala për aparatet e leximit.

"Fatkeqësisht jemi në një situatë kur pikërisht ofruesit e mëdhenj ngulin këmbë në formatet e tyre, kështu që librat elektronikë mund të lexohen vetëm në paisjet e tyre. Kjo situatë nuk është aspak e këndshme për konsumatorët, pasi nëse merr një tjetër aparat leximi, duhet ta blesh të gjithë bibliotekën nga e para." - thotë Schild.

Me ofrues online si për shembull librarinë në internet Amazon apo eBook-Store të Apple, konfuzioni bëhet i plotë. Kush është në këtë rast botuesi? Kjo në të ardhmen nuk do të luajë më një rol kaq të rëndësishëm, thotë një nga drejtueset e Microsoft, Dorothee Ritz:

"Ne jemi një sipërmarrje programesh komjuterikë dhe jo sipërmarrje mediesh në kuptimin e ngushtë. Nga ana tjetër ne jemi deri në një farë mase publikues pasi të gjithë konsumatorët që janë në platformat tona, krijojnë jashtëzakonisht shumë përmbajtje dhe unë mendoj se ne botojmë në kuptimin që këto përmbajtje që krijohen atje, i bashkojmë me atë që sot quhet libri klasik dhe në këtë mënyrë krijohen forma krejt të reja dhe interesante libri. Ne jemi gjithçka. Kjo e bën këtë botë të re kaq interesante."

Dhe njëkohësisht sfidë për botën e vjetër. Nëse librat do të vazhdojnë të dixhitalizohen gjithnjë e më shumë dhe të shiten në internet, çfarë do të ndodhë me libraritë?

Lexuesh librash elektronikë nga Microsoft.
Lexuesh librash elektronikë nga Microsoft.Fotografi: AP

Disa prej tyre nuk dorëzohen por përpiqen të hyjnë në lojë. Kështu edhe libraria Osiandër në jug të Gjermanisë. 22 filiale ka sipërmarrja dhe këtyre u shtohet edhe një dyqan në internet. Shefi i Osiander-it, Hermann-Arndt Riethmüller, tregon se përse klientët duhet t'i drejtohen portalit të tyre:

"Kush dëshiron sot të blejë një libër elektronik, duhet të regjistrohet me një llogari të veçantë tek ofruesit e ndryshëm. Nëse vijnë në librarinë tonë, mund të sigurojnë librat elektronikë të të gjithë këtyre ofruesve. Kjo është për ne një mundësi e shkëlqyer. Ne kemi funksion këshillues, ne jemi seleksioniues. Ky funksion përzgjedhjeje mendoj se forcohet ashtu siç forcohet edhe funksioni i librit."

Se sa do ta kërkojnë lexuesit në të ardhmen librin elektronik, nuk mund të parashikohet me siguri. Disa përfaqësues të sektorit hedhin sytë nga tregu amerikan: atje xhiro e librit elektronik përbën gati 10% të xhiros së përgjithshme. Një tendencë kjo edhe për tregun gjerman të librit? Të paktën sipas një anketimi rreth 3 nga 80 milionë gjermanët mendojnë të blejnë sivjet një libër elektronik.

Autor: Nadine Wojcik / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora