1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Agimi i Artë" del në rrugë kundër emigrantëve

Niko Anagnosti / Athinë25 Nëntor 2008

Në Athinë u shënuan trazirat e para kundër prezencës së emigrantëve. Departamenti Shën Panteleimon u bë arenë përleshjes midis emigrantëve dhe forcave raciste që duan një Greqi "të pastër" dhe "pa të huaj".

https://p.dw.com/p/G1ak
Athinë- Tetor 2008
Athinë- Tetor 2008Fotografi: picture-alliance/Bildfunk

Problemi i emigracionit dha shkas për trazirat e para, që paralizuan trafikun deri në orët e vona të mbremjes në departamenin Shën Panteleimon, afër qendrës së Athinës. Segmente ultra të djathta të organizatës raciste "Agimi i Artë" shkaktuan trazira, u vunë zjarrin kazaneve të mbeturinave dhe sulmuan emigrantët dhe aktivistë të majtë grekë të mbledhur në një antimiting të programuar .

Të burgosurit në grevë, Greqi nëntor 2008
Të burgosurit në grevë, Greqi nëntor 2008Fotografi: picture-alliance/ dpa

Fajësohen emigrantët për kriminalitetin

"Një komision qytetarësh kishte drejtuar apel për spastrimin e zonës, kryesisht nga emigrantët afganë dhe kishte përpiluar një tekst tejet racist, që fajësonte emigrantët për kriminalitetin," na thotë një nga manifestuesit grekë, Vangjelis Karajorgos, i cili thotë se racistët morën përgjigjen e merituar. Me ndërhyrjen e policisë mundi të evitohej në fakt një shtrirje më e gjerë e episodeve, që edhe me publicitetin që morrën në median greke erdhen për tu kujtuar forcave politike dhe opinionit të gjerë, se rreziku i demonizimit dhe inkriminimit të emigrantëve është prezent dhe bile më i madh në kushtet e krizës aktuale.

Greqia shoqëri multikulturore

Mungesa e getove për të huajt, si në periferinë e Parisit, që përmendet shpesh me një farë lehtësimi edhe nga qeveritarët, nuk eklipson problemet e prezencës së madhe të emigracionit, që brenda 15 vjetesh e ktheu Greqinë në një shoqëri multikulturore me 10 përqind të popullsisë të huaj. Gjithsesi grumbullime të mëdha emigrantësh në lagjet qëndrore të Athinës, si Qipseli apo Patisia ekzistojnë dhe në mungesë të një politike efikase integrimi, po shfaqen shënjat e para të getove. E majta greke ka kohë që i bie këmbanës së alarmit për një zhvillim të tillë negativ. Qeveritarët e djathë, nga ana e tyre, thonë se po zbatojnë një politikë të frytshme integrimi. Vetë kreu i tyre Karamanlis disaprovon në mënyrën më kategorike çdo shfaqje raciste. "Jam absolutisht kundër çdo përgjithësimi apo shprehjeje që lenë të kuptohet se ekziston një predispozicion negativ të një origjine, vendi apo feje të caktuar," thotë kryeministri grek duke shënuar njëkohësisht se shkelësin e ligjit nuk e diferencon as "vendi i origjinës dhe as ngjyra".

Migrant duke mbledhur pambuk në Greqi
Migrant duke mbledhur pambuk në GreqiFotografi: DW-TV

Fillon krijimi i getove për të huajt

Situata do të ishte ndoshta tjetër edhe në Greqi në qoftë se pjesa dërrmuese e emigracionit, shqiptarët, nuk do të kishin indeks të lartë integrimi. Dje, ditën e trazirave në Athinë, ambasadori shqiptar Vili Minarolli vizitonte seksionet e mësimit të gjuhës shqipe në Trikalla të Greqisë kontinentale ku foli për marrëdhënie harmonike të emigrantëve me vendasit. Dy zhvillime që shprehin dy aspektet e realitetit të emigracionit por edhe dy anët e shoqërisë greke, që akoma duket se nuk e ka fituar bastin e emigracionit.