1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ajër i rëndë mbi Fushë- Kosovë!

15 Gusht 2011

Kështu e titullon gazetari Thomas Fuster artikullin e tij të botuar në numrin e së shtunës të gazetës zvicerane "Neue Zürcher Zeitung". Qymyr ka plot, por ende ndërpritet energjia elektrike në Kosovë.

https://p.dw.com/p/12Gf4
Stacion elektrik në KosovëFotografi: Zulfija Jakupi

Artikulli ndalet ndër të tjera me centralet me qymyrguri të Kosovës, të cilat vlerësohen se dëmtojnë ambientin dhe kanë nevojë urgjente për t'u rinovuar. Por përplasjet politike në Kosovë kanë lënë pas dore sistemin e prodhimit të energjisë. Termocentralet janë të rrezikshme për ekologjinë dhe ndërprerjet e rrymës elektrike në Kosovë janë të zakonshme. Ndërtimi i i një centrali të ri dhe privatizimi i rrjetit shpërndarës pritet të sjellin përmirësimin e sistemit.

Djegia e qymyrgurit - faktor ndotës në Kosovë

Ajri në Fushë Kosovë është i rëndë, por kjo nuk ka të bëjë me polemikat për rëndësinë historike të ngjarjeve të zhvilluara këtu në shekullin e 14-të. Në Fushë- Kosovë, jo larg monumentit serb që kujton rënin e Car Llazarit në vitin 1389 në luftën kundër turqve, ndodhen edhe oxhaqet e ndërmarrjes energjetike të Kosovës, KEK. Ndërmarrja shtetërore është furnizuesi i vetëm i energjisë elektrike në vend. Energjia elektrike prodhohet pothuajse krejtësisht nga djegia e qymyrgurit, i cili gjendet me shumicë në këtë rajon. Por kjo djegie nuk bëhet duke mos e dëmtuar ambientin.

Kosovo Kohlekraftwerk in Obilic
Djegia e qymyrit ndot ambientin në Kosovë.Fotografi: AP

Kaosi politik dhe konfliktual i viteve të kaluara kanë lënë gjurmë të ndryshme në Kosovë, edhë në ajrin e Prishtinës, e cila ndodhet 5 km larg. Në centralet e Kosovës nuk është investuar më që prej 1989-ës. Prandaj ato nuk janë më në përputhje me standartet ndërkombëtare, as nga pikëpamja ekologjike as ajo ekonomike. Po ashtu, edhe vlerat e përqëndrimit të lëndëve të dëmshme, që dalin nga centrali janë të larta.

Varavingo tenderash

Ajri i keq vjen nga dy centralet, Kosova A dhe Kosova B. Dëmtues i ambientit është Kosova A, central 40 vjeçar. Tymrat e dala nga ai i kalojnë 70 herë vlerat e lejueshme evropiane. Nën presionin ndërkombëtar, qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbyllë atë në vitin 2017. Më mirë paraqitet gjendja në Kosova B, central ky 25 vjeçar, i cila do të rinovohet dhe do të mbetet në punë. Planet janë edhe për një central të ri me emrin Kosova e Re. Nëse të gjitha këto do të realizohen, mbetet të shihet. Skepticizmi është rritur. Këtë e di edhe Adil Januzi, shefi i divizionit të qymyrit tek KEK, i cili thotë se me projektin e ri ka kaluar shumë kohë kot.

Sa herë vjen një qeveri, tenderi shkruhet nga e para. Koncerne energjetike me emër, si RWE-ja gjermane janë larguar të irrituar. Kritikët thonë se në Kosovë mbesin vetëm firma të dorës së dytë. "Kosova mund të jetë një vend i pasur," thotë Januzi duke treguar me dorë gropën e madhe 1200 hektarë, prej nga nxirret qymyri i cili shkon me konvejerë direkt në central. Krahas zinkut, plumbit, arit, nikelit, kromit dhe boksitit, Kosova ka me 14,7 miliardë tonë rezervat e pesta në botë të qymyrit. Ajo që ka nevojë vendi, thotë Januzi është udhëheqja eficiente politike.

Autor: nzz/ Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi