1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alarm i kotë apo një fije realitet?

22 Korrik 2009

Sipas Bankës Federale Gjermane mosha e pensionit në vitin 2060 do të jetë 69 vjeç dhe të paktën faktet demografike janë në anën e saj.

https://p.dw.com/p/Iv1x
Gra te moshuara duke qeshur
Pensioni si privilegjFotografi: picture-alliance/dpa

Me prognozën se mosha e daljes në pension në vitin 2060 do të jetë 69 vjeç, Banka Federale Gjermane ka shkaktuar alarm të madh. Sipas saj që të mund të realizohet pagimi i pensioneve në një shoqëri që po plaket, njerëzit duhet të punojnë deri në këtë moshë. Kjo temë zë vend të gjerë edhe në shtypin gjerman.

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" e Mynihut shkruan:

"Jo vetëm nga ana politike, por edhe nga këndvështrimi social Bankës Federale i mungon takti i duhur. Ajo anashkalon dhe lë pa parë faktin se në përfytyrimin e sotëm të shumë menaxherëve për njerëz të moshës 67 apo 69 vjeçare thjesht nuk ka vende pune. Vetëm kur ekonomia ta ndryshojë mendimin në këtë pikë - dhe demografia do ta detyrojë që ta bëjë këtë ndryshim - ka kuptim një debat i ri për moshën e pensionit."

Nga "Frankfurter Allgemeine Zeitung" citojmë:

"Faktet demografike janë në anën e Bankës Federale. Pikërisht ata, që duan ta kthejnë pas rrotën, nuk kanë aspak fantazi politike, për të përputhur këto fakte me realitetet e shoqërisë. Karakteristik për këtë është kundërshtimi i kryetarit të sindikatës së ndërtimit Wiesenhügel, se nuk mund ta lësh një murator 69-vjeçar të tërheqë thasët me çimento. Pavarësisht nga fakti se puna e rëndë fizike në dekadat e ardhshme do të reduktohet ndjeshëm, përse sindikalistët dhe punëdhënësit nuk e vrasin më mirë mendjen, se si ta përshtasin botën e punës dhe sistemin e tarifave kolektive me moshën? "

"General Anzeiger", që botohet në Bon, shkruan:

"Banka Federale vjen me një ide të re, natyrisht jo të mirëpritur, se në të ardhmen për shkak të zhvillimit demografik duhet punuar deri në moshën 69 vjeç. Menjëherë nga goja e ministrit të Punës del fjala "budallallëk", ndërsa në të njëjtën ditë komisioni i BE-së bën të ditur përmes Günther Verheugen-it, se pa ardhjen e emigrantëve të tjerë nga Lindja për të mbajtur standardin e jetesës duhet punuar edhe dhjetë vjetë më gjatë. Ndalimet e Berlinit për të menduar nuk mund ta zëvendësojnë dot politikën."

Autor: Ina Verbica
Redaktor: Dr. Pandeli Pani